GP – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore (Kapitulli 23) – Përtej kufijve në lirinë e medias: Shtysë e re në procesin e integrimit europian, 11 dhjetor 2024

Më 11 dhjetor 2024, Lëvizja Europiane në Shqipëri, në bashkëpunim me Autoritetin e Mediave Audiovizive, (AMA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI) organizoi një tryezë diskutimi me temë “Përtej kufijeve në lirinë e medias: Shtysë e re në procesin e integrimit europian”, në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian, marrë shkas nga miratimi i rregullores “Për kriteret dhe procedurat e shqyrtimit të ndryshimeve në strukturën e pronësisë dhe transparencën e të dhënave të lidhura me pronësinë e OSHMA-ve” në prill 2024, mediat audio dhe audiovizive në vend, të cilat rregullohen nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), të cilat kanë tashmë detyrimin për të deklaruar pronarët e tyre përfitues. Kjo rregullore, e hartuar pas përshtatjes së Direktivës së vitit 2018 në ligjin e institucionit, ka sjellë disa ndryshime të rëndësishme në këtë drejtim.

Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA) pati fjalën përshëndetëse, dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit e koordinimit midis të gjithë aktorëve për të rregulluar tregun mediatik në vend, kryesisht tanimë pas hapjes zyrtare të negociatave. Ashtu si raporti i fundit i Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2024 tregon qartë se nuk ka pasur progres në përafrimin e kuadrit ligjor me acquis të BE-së në fushën e lirisë së shprehjes, përfshirë Ligjin për Lirinë e Medias, është thelbësore që dialogu dhe paanshmëria në media të përforcohen. Në këtë këndështrim, Gjipali sqaroi se transparenca dhe kufizimet në pronësinë e medias dhe në shtrirjen e audiencës janë parësore, ashtu siç është përcaktuar qartazi në Udhërrëfyesin për Shtetin e së Drejtës.

Armela Krasniqi, Kryetare, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), fillimisht, sqaroi se tashmë me listën e publikuar të pronarëve përfitues të mediave audiovizive në vend është përmbyllur një nga kërkesat e BE-së për transparencën e pronësisë së mediave dhe zhvillime në disa pika në këtë drejtim si shqyrtimi nga AMA i ndryshimeve të ndodhura në strukturën pronësore brenda të njëjtit person juridik OSHMA. Gjithashtu, ajo e vuri theksin te qëllimet kryesore të AMA-s dhe aktivitetet e zhvilluara deri më tani për të përmirësuar sektorin e mediave. Në këtë drejtim, AMA, gjatë vitit 2024, ka organizuar tryeza me drejtuesit e televizioneve më të mëdha për matjen e audiencës në nivel kombëtar, duke prezantuar strategji të huazuara nga Maqedonia dhe Kroacia. Ajo ka krijuar gjithashtu grupe pune për themelimin e një Komiteti të Përbashkët, i cili është në proces regjistrimi në Gjykatën e Tiranës. Krasniqi theksoi nevojën për përmirësimin e kuadrit ligjor, veçanërisht në lidhje me piraterinë televizive. Përveç kësaj, AMA ka bashkëpunuar me TikTok për ruajtjen e standardeve etike dhe ka realizuar një fushatë sensibilizuese për sigurinë kibernetike dhe çështje të tjera. Gjithashtu, AMA ka organizuar 25 tryeza diskutimi me prindër dhe fëmijë në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, duke synuar zgjerimin e këtij angazhimi edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Më pas diskutimi  u përqëndrua në forcimin e transparencës dhe vendosjen e kufizimeve për pronësinë e medias, ku Donika Daci, Drejtore e Drejtorisë Ligjore pranë AMA-s, e përqëndroi prezantimin e saj në ligjin 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, ligj i cili e shpalli AMA-n institucion te pavarur. Ndërkohë në ligj të posaçëm për pronësinë e medias ka kufizime për sa i përket krijimit të shoqërive mediatike dhe  përqindja e aksioneve dhe numri i licensave janë të përcaktuara. Neni 62 i këtij ligji përcakton gjithashtu se asnjë zotërues i licencave kombëtare të transmetimeve audio dhe licencave kombëtare të transmetimit audioviziv, përfshirë OSHMA-të, nuk mund të transmetojë më shumë se 30% të reklamave në tregun e transmetimeve audiovizive. Daci theksoi se Komisioni Europian iu sugjeron shteteve të kenë rregulla të qarta për licencat dhe masa konkrete për pluralizmin në media, dhe këtu ajo u ndal gjithashtu në kategorizimin e mediave. Dhe në përfundim të fjalës së saj, ajo theksoi se AMA tashmë në faqen zyrtare ka një dritare më vete për regjistrin e transparencës në lidhje me OSHMA-t, që kërkon vetëdeklarimin e këtyre të fundit për gjendjen aktuale të pronësisë.

Sami Neza, Drejtor Ekzekutiv, Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI), mbajti prezantimin e tij në lidhje me nevojën e përdorimit etik të inteligjencës artificiale në mediat audiovizive, sakaq e nisi fjalën e tij duke bërë një prezantim të asaj çfarë konsiderohet inteligjencë  artificiale. Teksa theksoi që inteligjenca artificiale ka marrë kritika pasi e konsiderojnë si një mjet me ‘mallra të vjedhura’, paditë më kryesore të bëra ndaj AI janë në vitet 2023-2024, përkatësisht nga the New York Times, Chicago Tribune dhe New York Daily News. Neza paraqiti 10 parime për AI dhe në ndihmë të gazetarëve bazuar në Kartën e Parisit, si dhe parashtroi tri mënyra të ndryshme në të cilat njëanshmëria jonë mund të bëhet pjesë e teknologjisë që ne krijojmë. Mungesa e saktësisë dhe lajthitjet e AI; produkti i dëmshëm i nisur nga vetë njerëzit, falsifikimet e thella (deepfake), si dhe besimi i tepruar në sistemet e AI, janë kufizime të tjera teknike të tij. Prandaj, në këtë drejtim redaksitë e mediave duhet të marrin në konsideratë respektimin e kodeve të etikes në përdorimin e AI, ashtu si në rastet e ushtrimit të profesionit të gazetarit. Kështu, Neza theksoi se krijimi i një kodi etik është hapi më i rëndësishëm për të garantuar transparencën dhe llogaridhënien gjatë përdorimit të AI.  Më tej, ai u përqendrua konkretisht te përdorimi i AI në Shqipëri ku sipas indeksit të Oxfordit për vitin 2023, vendi ynë rendit me 43 pikë nga 100 pikë. Nëpërmjet krijimit të një matësi të thjeshtuar, duke marrë parasysh AIRI dhe AIR Cisco, janë realizuar intervista me drejtorë lajmesh në 4 televizione kombëtare, 4 televizione rajonale, dhe 1 televizion lokal, MCN, ku ky i fundit eshte i vetmi që renditet pjesërisht në nivelin e tretë të gatishmërisë ‘Gati për AI’ dhe plotëson kushtet për nivelin e dytë ‘I vetëdijshëm për AI’. Në fund të fjalës së tij, ai theksoi se nga një monitorim i kryer gjatë muajit korrik – gusht 2024, rezulton se televizionet kombëtare në Shqipëri nuk kanë zbatuar ndonjë formë të përdorimit të AI gjatë procesit të ndërtimit dhe transmetimit të lajmeve.

 Tomáš Kemenec, Partner, Paul Q Law Firm, Sllovaki, dha një pasqyrë mbi zhvillimet e fundit legjislative në sektorin e mediave në Sllovaki dhe përputhshmërinë e këtyre ndryshimeve me iniciativat më të gjera të Bashkimit Europian. Z. Kemenec e filloi prezantimin e tij duke paraqitur Ligjin për Shërbimet Mediatike të Sllovakisë, të miratuar në vitin 2022. Ky ligj modernizoi një ligj ekzistues për t’u përshtatur me zhvillimin e shpejtë të sektorit të mediave dhe plotëson Aktin e Lirisë së Mediave të BE-së të vitit 2024. Duke njohur natyrën dinamike të mediave, qeveria sllovake e krijoi ligjin në mënyrë të tillë që të përfshinte një gamë të gjerë aktorësh, duke siguruar përshtatshmërinë me zhvillimet e ardhshme teknologjike dhe shoqërore. Një ndryshim i dukshëm që ky ligj ka sjellë është standardizimi i terminologjisë, me të gjitha agjencitë e transmetimeve që tani klasifikohen si “Transmetim Digjital.” Kemenec theksoi rëndësinë e rregullimit të përmbajtjes që publikohet në platformat multimediale. Objektivat kryesore të këtyre rregullave përfshijnë mbrojtjen e të miturve dhe ruajtjen e dinjitetit njerëzor. Transparenca doli si një shtyllë kyçe e Ligjit për Shërbimet Mediatike, ku të gjitha stacionet televizive, radio dhe media të mëdha janë të detyruara të regjistrojnë strukturat e tyre të pronësisë; publikojnë informacion rreth marrëdhënieve ndërmjet kompanive në një platformë publike, dhe shpalosin identitetet e përfituesve financiarë. Kemenec e krahasoi peizazhin e vogël dhe të pavarur të mediave të Sllovakisë me tregje më të mëdha si Gjermania, ku gjigandët mediatikë si RTL dominojnë. Në tregje më të vogla, rreziku i monopolizimit të mediave është shumë më i lartë, duke kërkuar masa të forta transparence. Komponenti i fundit i madh i ndryshimeve ka të bëjë me besueshmërinë financiare dhe transparencën e burimeve. Z. Kemenec e përshkroi këtë dispozitë si mbrojtëse për demokracinë, me qëllim parandalimin e pastrimit të parave dhe kundërshtimin e ndërhyrjeve të huaja në median vendase. Në përfundim, Kamenec theksoi se ndërsa BE-ja vazhdon të adresojë sfidat në sektorin e mediave, qasja e Sllovakisë ofron një model të vlefshëm për të mbështetur një peizazh mediatik të qëndrueshëm dhe demokratik.

Gjatë diskutimeve pati interes nga pjesëmarrësit, që përfshinin përfaqësues nga shoqëria civile, media dhe akademia, për sa i përket prioritet e punës së AMA-s në vazhdim si luftimi i piraterisë në mediat audiovizive apo zbatimin e procesit të matjes së audiencës. Një fokus i veçantë i diskutimeve ishin përmbajtja e reklamave, kryesisht atyre me përmbajtje të dëmshme kundrejt konsumatorëve, siç është rasti i reklamamit të barnave me recetë mjekësore si suplemente, të cilat sipas rregullimeve ligjore janë të ndaluara rreptësisht.  Pjesëmarrësit theksuan gjithashtu nevojën për përdorim etik të inteligjencës artificiale në vend, kryesisht nga gazetarët, për ruajtjen e standardeve, si dhe përdorimin e drejtë të gjuhës shqipe.

* Kjo tryezë zhvillohet në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility 2021, i cili zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).

*Gjithashtu, kjo tryezë zhvillohet në kuadër të “Konventës Kombëtare për Integrimin Europian: Fuqizimi i shoqërisë civile si aktor aktiv në procesin e integrimit europian”, financuar nga Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC).