Udhërrëfyesi i Qeverisë për Shoqërinë Civile

Më 26 shkurt, Ministrja e Integrimit Europian, znj. Kladja Gjosha mori pjesë në  takimin me grupet e interesit për konsultimin e Udhërrëfyesit të Qeverisë për Shoqërinë Civile. Ky dokument shumë i rëndësishëm ka për qëllim   intensifikimin e bashkëpunimit dhe partneritetin ndërmjet autoriteteve shtetërore dhe shoqërisë civile në formësimin dhe zbatimin e politikave publike, si  veçori thelbësore të një shteti modern që është në shërbim të qytetarit.

“Ministria e Integrimit Europian, e ka një ndër prioritetet kryesore të punës së saj,  thellimin e bashkëpunimit me shoqërinë civile, konsultimin gjithnjë e më intensiv me të për çdo hap dhe iniciativë në funksion të procesit të integrimit”, tha Ministrja Gjosha gjatë takimit, ku u prezantua Udhërrëfyesi dhe Plani i veprimit për implementimin e tij.
“Ky Udhërrëfyesi, i cili është përgatitur nga ekspertë shqiptarë dhe të huaj me eksperiencë të spikatur në sektorin e shoqërisë civile, pritet të kontribuojë në zhbllokimin e potencialit që buron nga përmirësimi i bashkëpunimit qeveri-shoqëri civile”, tha Ministrja Gjosha.

Ministrja, nënvizoi se shoqëria civile si e tërë, në filozofinë e qeverisë, është një partner themelor përgjatë të gjitha reformave dhe proceseve integruese që po ndërmerren. Ministrja e konsideroi  sfidë dhe motivim për të krijuar të gjithë mekanizmat të cilët mundësojnë pjesëmarrjen e gjerë dhe të qëndrueshme të këtij sektori në çdo hap që hedh vendi për procesin e integrimit.