728 x 90

GP – Drejtësia, Liria dhe Siguria (Kapitulli 24) – Rëndësia për edukimin e publikut për pastrimin e parave – Forcimi i bashkëpunimit me aktorët jo-shtetërorë, 21 maj 2025

GP – Drejtësia, Liria dhe Siguria (Kapitulli 24) – Rëndësia për edukimin e publikut për pastrimin e parave – Forcimi i bashkëpunimit me aktorët jo-shtetërorë, 21 maj 2025

U mbajt më 21 maj 2025 në Tiranë takimi i Grupit të Punës për Kapitullin 24, në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian, organizuar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) në bashkëpunim me Agjencinë për Inteligjencën Financiare (AIF). Takimi kishte në fokus informimin mbi zbatimin e Strategjisë për Edukimin e Publikut ndaj Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit 2025–2027, si dhe rolin e shoqërisë civile dhe sektorit privat në luftën kundër pastrimit të parave.

Gjatë fjalës hyrëse, Ervin Koçi, Drejtor i Përgjithshëm i AIF, theksoi se pa përfshirjen e aktorëve të sektorit të biznesit, shoqërisë civile, universiteteve dhe medias, përpjekjet vetëm të institucioneve do të ishin të pamjaftueshme. Ai nënvizoi nevojën për bashkëpunim të plotë dhe kontribut më të gjerë të këtyre aktorëve në procesin e informimit dhe rritjes së ndërgjegjësimit për rreziqet që paraqet pastrimi i parave. Koçi përmendi se AIF, së bashku me institucionet e tjera përgjegjëse, ka realizuar dhe po vijon me aktivitete informuese, trajnime dhe seminare në bashkëpunim me shkolla e universitete për të edukuar që në moshë të hershme, por dhe me sektorin e biznesit apo shoqërinë civile. Sipas tij, media është një aktor kyç në këtë proces, ndaj kërkohet një bashkëpunim më i ngushtë për promovimin e aktiviteteve dhe nismave institucionale. Në përfundim, Koçi vlerësoi bashkëpunimin me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, si dhe me organizata të shoqërisë civile si EMA, që kontribuojnë përmes aktiviteteve, ekspertizës dhe përfshirjes aktive në informim dhe edukim mbi këto çështje.

Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), theksoi se me intensifikimin e procesit të integrimit, është rritur edhe përgjegjësia e institucioneve për të përmbushur detyrimet përkatëse. Megjithatë, ai theksoi se ky është një proces që nuk mund të përmbyllet pa përfshirjen e aktorëve të tjerë të shoqërisë. Shoqëria civile, biznesi dhe akademia janë jo vetëm palë interesi, por edhe të prekura drejtpërdrejt nga përafrimi me standardet e BE-së. Përfshirja e tyre është thelbësore për të kuptuar më mirë ndikimin dhe kostot që sjellin reformat. Ai shtoi se aktivitete si kjo tryezë diskutimi janë të rëndësishme për t’i dhënë një rol më proaktiv këtyre aktorëve në bashkëpunim me institucionet shtetërore. Gjipali përmendi gjithashtu sinergjinë që Konventa Kombëtare për Integrimin Europian, ka me Platformën e Partneritetit për Integrimin Europian duke sjellë raste suksesi bashkëpunimi mes institucioneve shtetërore dhe aktorëve jo-shtetërorë, dhe theksoi nevojën që dialogu dhe bashkëpunimi të forcohen më tej gjatë gjithë procesit.

Nikolin Jaka, Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, solli në vëmendje nevojën që ka biznesi shqiptar për të përmbushur standardet kombëtare dhe ndërkombëtare, në funksion të ndërtimit të një ekonomie eficiente, të qëndrueshme dhe konkurruese. Ai theksoi që është e domosdoshme të ketë më shumë investime në burime njerëzore dhe teknologji  nga ana e biznesit për të parandaluar pastrimin e parave në këtë sektor. Sipas tij, ky fenomen ndikon negativisht në besueshmërinë e bizneseve shqiptare, ndaj përmbushja e standardeve është e domosdoshme. Ai shtoi se ka ardhur koha që biznesi të bëhet më proaktiv dhe të luajë rolin e tij si partner dinjitoz në procesin e integrimit.

Agim Muslia, Drejtor i Përputhshmërisë dhe IT pranë AIF, prezantoi objektivat, grupet e synuara, masat dhe aktivitetet e Strategjisë për Edukimin e Publikut kundër Pastrimit të Parave, tashmë në zbatim si pjesë integrale e strategjisë kombëtare për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Ai theksoi se qëllimi kryesor është të shpjegohen qartë dhe thjesht efektet negative që ky fenomen ka në ekonomi, biznes, shoqëri dhe sigurinë e një vendi. Edhe pas anëtarësimit në BE, sfida e pastrimit të parave do të mbetet – prandaj theksoi ai, kërkohet përgatitje jo vetëm institucionale, por edhe përfshirje aktive e aktorëve të tjerë. Muslia nënvizoi që zbatimi i strategjisë po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme. Ai vuri në dukje rëndësinë e edukimit përmes aktiviteteve publike, fushatave mediatike dhe trajnimeve, si dhe nevojën për bashkërendim ndërinstitucional dhe bashkëpunim konkret me sektorin privat dhe shoqërinë civile dhe përfshirjen e aktorëve si shkollat, universitetet apo media.

Ndërkohë, Andrej Leontiev, avokat dhe ekspert për AML nga Sllovakia, solli shembuj konkretë nga Bashkimi Europian mbi rolin e aktorëve jo-shtetërorë në hartimin e Direktivës së Gjashtë për luftën kundër pastrimit të parave. Ai theksoi rolin e të ashtuquajturve “gatekeepers”, si gazetarët dhe organizatat e shoqërisë civile, në raportimin e mospërputhjeve në regjistrat e pronarëve përfitues. Sipas tij, për të realizuar këtë mision kërkohet bashkëpunim nga institucionet publike, të cilat duhet të ofrojnë të dhëna të qarta dhe lehtësisht të monitorueshme, si dhe përkushtim dhe vetëangazhim nga sektori privat për të sinjalizuar rastet e dyshimta. Leontiev theksoi se 95% e rasteve të raportuara në Sllovaki kanë ardhur nga aktorët jo-shtetërorë. Ai solli si shembull modelin e ndërgjegjësimit në Sllovaki: përgatitja e informacionit, zbatimi i tij dhe shpërndarja në shkallë të gjerë, e ndjekur nga testimi i njohurive te aktorët përkatës. Në përmbyllje, ai theksoi se fenomenet si korrupsioni dhe pastrimi i parave nuk mund të zhduken plotësisht, por mund të bëhen të padëshirueshme duke rritur koston transaksionale të tyre.

Takimi u mbyll me një diskutim të gjallë me pjesëmarrësit – përfaqësues të shoqërisë civile, komunitetit të biznesit, akademisë dhe të rinj profesionistë – të cilët shkëmbyen ide dhe rekomandime për përforcimin e bashkëpunimit dhe realizimin e aktiviteteve të përbashkëta për rritjen e ndërgjegjësimit dhe luftën kundër pastrimit të parave.

Posts Carousel

E-Learning