GP III (Kapitulli 11): Bujqësia organike, 26 tetor 2022, Sarandë

Më 26 tetor 2022, Lëvizja Europiane në Shqipëri në bashkëpunim me Slovak Foreign Policy Association, me kontributin e Këshillit të Agrobiznesit në Shqipëri (KASH) dhe me mbështetjen financiare të SlovakAid organizuan në Sarandë sesionin e dytë të Grupit të Punës III (Zhvillimi Rural dhe Mbrojtja e Konsumatorit). Ky aktivitet u mbajt në kuadër të Konventës 2021-2023 dhe kishte në fokus Bujqësinë Organike.

Harallamb PandehiN/Kryetar i Qarkut Vlorë përshëndeti pjesëmarrësit dhe theksoi se puna e vazhdueshme në këtë sektor është thelbësore për zhvillimin ekonomik të vendit.

Agim RrapajKryetari KASH prezantoi projektin pilot “Oazi Ekologjik i Butrintit” i cili do të shërbejë si një model i ri i zhvillimit socio-ekonomik për zonat rurale (Delvinë, Finiq, Himarë, Konispol, Sarandë). Kjo nismë synon të ndikojë në grumbullimin, përpunimin, riciklimin e mbetjeve dhe prodhimin e plehut organik. Për më tepër, Rrapaj shtoi se kjo iniciativë do të ndihmojë në zhvillimin e turizmit rural, agroturizmit, akuaturizmit dhe agropylltarisë. Disa objektiva të tjera janë: rritja e cilësisë së ushqimit dhe sigurisë së konsumatorit; rritja e punësimit të të rinjve; studimi dhe përmirësimi i strukturës agropedologjike të tokës dhe njohja dhe zbatimi parimit të fleksibilitetit në procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së veçanërisht për produktet organike. Ky projekt do sjellë së bashku strukturat shtetërore, universitetet dhe organizatat jo-qeveritare. Gjithashtu, Rrapaj përmendi katër shtyllat bazë të kësaj nisme: bashkëpunimin dhe koordinimin e procesit; mekanizimin, inovacionin, dhe dixhitalizimin; financimin dhe mikrofinancat; përmirësimin e legjislacionit dhe përshtatjen me atë të BE-së.

Ján Baršváry, Dhoma Sllovake për Ushqimin dhe Bujqësinë foli për skemat mbështetëse të Politikës së Përbashkët të Bujqësisë (CAP) për bujqësinë organike. Metodat e përdorura në bujqësinë organike synojnë të prodhojnë ushqime duke përdorur substanca natyrale nëpërmjet një procesi që ka ndikim negativ të limituar mjedisor. Baršváry shpjegoi legjislacionin e BE-së mbi bujqësinë organike dhe rolin e Institutit të Testimit dhe Kontrollit Qendror për Bujqësinë në Sllovaki, një strukurë përgjegjëse për pranimin e aplikimeve dhe lëshimin e autorizimeve për inspektimin e fermave organike dhe mbikëqyrjen e aktiviteteve të tyre. Instituti, po ashtu jep leje për përdorimin e produkteve jo-ekologjike në bujqësinë organike (plehut, produkteve që mbrojnë bimët, agjentëve ushqyes dhe pastrues etj.) si dhe konstaton raste të shkeljeve të rregullave në bujqësinë organike. Kjo strukturë menaxhon dhe listën e subjekteve të regjistruara, listën e njësive të inspektimit, bazën e të dhënave të farave bio në Sllovaki, lëndët ushqyese të lejuara në bujqësinë organike etj. Më tej, eksperti shpjegoi skemat e mbështetjes për bujqësinë organike në Sllovaki duke përfshirë; Programin e Zhvillimit Rural 2014- 2022 dhe Planin Strategjik për Politikën e Përbashkët Bujqësore të Sllovakisë 2023- 2027. Këto dy skema ofrojnë të njëjtën shumë parash për konvertimin në bujqësinë organike dhe zhvillimin e saj. Baršváry bëri të ditur se periudha e konvertimit është dy vite për tokat e shfrytëzueshme, perimet, bimët aromatike, medicinale e tokat pjellore dhe tre vite për vreshtat dhe pemëtarinë. Pas përfundimit të kësaj periudhe, kohëzgjatja e zhvillimit shkon deri në pesë vite.

Skema e parë kërkon ruajtjen e kullotave të përhershme duke bërë një përzgjedhje më të kujdesshme të farave të certifikuara. Plani Strategjik 2023- 2027 përcakton se vetëm zonat me kullota ku rriten produkte për ushqim dhe për prodhimin e farave do të mbështeten. Përparësi u jepet kompanive të cilat: hyjnë në rradhën e atyre të regjistruara në bujqësinë organike, janë në zona me vlera të pasura natyrore, kanë regjistruar në bujqësinë organike si prodhimin e bimëve po ashtu dhe të kafshëve. Për Planin Strategjik për Politikën e Përbashkët Bujqësore 2023- 2027 në rast të një numri të lartë aplikimesh, kriteret e përzgjedhjes bazohen në madhësinë e tokës së zotëruar të aplikantit, vendodhjen e saj në përputhje me atë të zonave të sigurta etj.

Në lidhje me sistemin e administrimit, eksperti shpjegoi se hapen thirrjet vjetore për aplikim për tu bërë pjesë e skemave mbështetëse; lejohet një aplikim i vetëm- së bashku  me pagesa të tjera shoqëruse të bazuara në kriteret e Politikës së Përbashkët Bujqësore. Për më tepër, Baršváry dha edhe shembuj të bashkëpunimit mes institucioneve dhe fermerëve në Sllovaki.

Në diskutimin e hapur, Aulona Veizi nga Bashkia Vlorë duke vlerësuar kontributin e ekspertëve dhe praktikat më të mira të BE-së, ofroi gadishmërinë e kësaj bashkie për mbështetjen e fermerëve dhe palëve të interesuara në këtë nismë. Në të njëjtën linjë, Ramzi Husi, N/kryetar i Bashkisë së Sarandës, falenderoi të pranshmit dhe theksoi nevojën për rritjen e bashkëpunimit me fermerët në nivel lokal dhe qendror. Pytje të tjera u ngritën mbi anën teknike të aplikimit në skemat mbështetëse.