Konferenca “Konventa për Integrimin Europian”

Më 9 mars, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), në partneritet me Slovak Foreign Policy Association, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Integrimit Europian, organizoi Konferencën “Konventa për Integrimin Europian” pranë ambjeteve të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Të pranishëm në këtë Konferencë ishin: SH.T.Z. Miroslav Lajčák, Zv/kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, SH.T.Z. Ditmir Bushati, Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Gjithashtu, aktiviteti mblodhi përfaqësues të ministrive, analistë, media, akademikë, shoqëri civile, etj. të cilët u përfshinë në një debat të hapur mbi Konventën për Integrimin Europian dhe rolin e saj për vazhdimin e mëtejshëm të rrugëtimit të Shqipërisë drejt Integrimit Europian.

Synimi i aktivitetit ishte prezantimi i modelit unik të Konventës për Integrimin Europian, zhvilluar nga Slovak Foreign Policy Association gjatë viteve 2003-2007, dhe zgjeruar më tej në sajë të mbështetjes së asistencës sllovake të zhvillimit bilateral (Slovak Aid) në Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi, Ukrainë dhe Moldavi.

Aktiviteti u hap me fjalën përshëndetëse të Ministrit të Punëve të Jashtme, SH.T.Z. Ditmir Bushati, i cili u ndal fillimisht në nevojën e integrimit të vendit, proces i cili kërkon reforma, për realizimin e së cilave nevojitet bashkëpunimi i shoqërisë civile. Sipas tij, shoqëria civile, shërben si një kritikë e shëndetshme ndaj cilësisë së reformave. Kjo dëshmohet qartazi, në fazën ku ndodhet Shqipëria: ku hapi i radhës është hapja e negociatave. Kështu, sipas tij, procesi i bisedimeve për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian, shërben si një mundësi e artë për të gjithë aktorët politikë dhe jo vetëm: qeveri, opozitë, shoqëri civile; për të zbuluar problemet dhe për të dhënë zgjidhje rreth tyre.

Lidhur me “Konventën për Integrimin Europian”, ministri nënvizoi se është një nismë në kuadër të partneritetit të mirë Shqipëri-Sllovaki dhe një shtysë për bashkëpunimin e mëtejshëm mes dy shteteve. Nga ana tjetër, rëndësia e Konventës shfaqet edhe në faktin se krijon kontakt të drejtëpërdrejtë e shkëmbim pikëmpamjesh, si dhe ekspertë dhe eksperiencë nga vendet ku është aplikuar, mes tyre: Sllovakia, Mali i Zi dhe Serbia.

Ministri u shpreh se “eksperienca autentike” e Sllovakisë, nevojitet të përthithet edhe nga vendi ynë, nga i cili do të dalin të fituar të gjithë palët, pavarësisht pozicionit të tyre. Nga ana tjetër, ai u shpreh se është duke zhvilluar një marrëveshje Shqipëri-Mal i Zi për shkëmbimin e eksperiencave në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

SH.T.Z. Miroslav Lajčák, Zv/kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, gjatë fjalës së tij vlerësoi se Shqipëria në këtë moment është në një fazë shumë pozitive, për sa i takon çështjes së integrimit europian. Ndaj, meriton mbështetje jo vetëm politike por edhe me anë të sugjerimeve dhe eksperiencave nga vendet mike.

Nga ana tjetër, sipas tij duhet të institucionalizohet debati publik, nga të gjithë aktorët: qeveri, parti politike, shqëria civile si dhe përfaqësuesit e biznesit, duke rritur bashkëpunimin rreth rekomandimeve të dhëna ndaj Shqipërisë lidhur me integrimin e vendit, nga ku një pjesë e madhe e rekomandimeve janë të natyrës ligjore.

Por ky bashkëpunim dhe zhvillim duhet të jetë jo vetëm në fazën e hyrjes në BE, por edhe pas-anëtarësimit, në mënyrë të tillë që të jetë sa më produktive. Ky bashkëpunim mes grupeve të interesit duhet të jetë në shërbim të përmbushjes së pesë prioriteteve kyçe. Duke vlerësuar punën ndër vite të EMA-s dhe FSPA-së në këtë drejtim, Z. Lajcak shprehu besim tek eksperienca e tyre për zbatimin e platformës Konventa për Integrimin Europian.

Në pjesën e dytë të Konferencës prezantuese të Konventës për Integrimin Europian u zhvillua një panel diskutues, moderuar nga Drejtori Ekzekutiv i EMA-s Z.Gledis Gjipali. Pjesë e panelit ishin Zv.Ministri i Integrimit Europian Z.Gentian Elezi, Z. Tomas Strazay, Analist Politikash tek Slovak Foreign Policy Association (SFPA), dhe Z. Momčilo Radulović, President i Lëvizjes Europiane në Mal të Zi.

Fillimisht ju dha fjala Z.Elezi, i cili u shpreh se kjo nismë i shërben progresit të Shqipërisë në rrugën e integrimit, sepse përfaqëson plotësimin e kriterit të gjithpërfshirjes. “Gjithëpërfshirja realizohet pikësëpari nga institucionet shtetërore, por duhet të kuptojmë se integrimi u përket të gjithëve”,-shtoi ai. Roli i Ministrisë së Integrimit do të jetë koordinues dhe kontribues për standartizimin e konsultimeve, duke mos i numëruar thjesht si raste sporadike. Ai njoftoi se sapo është miratuar krijimi i Këshillit Kombëtar të Integrimit, i cili do të funksionojë si një organizëm për këshillime e konsultime me organet qeverisëse, akademikë të fushës dhe përfaqësues të shoqërisë civile. “Rëndësia e Konventës qëndron në thithjen e mendimeve dhe identifikimin e aktorëve që mund dhe duan të kontribuojnë në rrugëtimin tonë drejt BE-së”,-nënvizoi Zv. Ministri Elezi.

Më tej Z. Gjipali shpjegoi për të pranishmit modelet e bashkëpunimit. Ekzistojnë modele nga më të hapurat ku përfshihen gjithë qytetarët dhe modele të tjera të mbyllura, të cilat mjaftohen me analizat e ekspertëve. “Ne synojmë të zbatojmë një model të përzierë. Nuk kemi luksin e një ekspertize të bollshme, prandaj do përpiqemi të sjellim ekspertë nga kudo që mund të ndodhen”,- u shpreh Z. Gjipali. Më tej ai e vlerësoi këtë nismë edhe për transparencën që do të ofrojë ndaj pjesës më të painformuar të shoqërisë, për sa i përket kostove dhe mundësive që do të vijnë në të ardhmen. Dhe kjo transparencë nuk do të jetë vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, për të nxitur kështu debatin dhe interesin e të gjithëve. ” “Vlera e kësaj konvente shtrihet edhe pas pranimit në BE”- theksoi Z. Strazay, kjo për faktin se këshillat e rekomandimet e mbledhura do të shërbejnë për përmirësim të vazhdueshëm duke u bërë pjesë e legjislacionit. Një numër i madh ekspertësh nga Sllovakia do të asistojnë 4 grupet e punës në Shqipëri, kjo për faktin se Sllovakia e ka kaluar këtë proces rreth 10-vite më parë. “Ekspertët tanë nuk do sjellin vetëm eksperiencën e kaluar, por tashmë dhe ekspertizën e të qenit në anën tjetër të negociatave. Ata sot punojnë në institucionet e BE-së dhe kështu do të ndihmojnë nëpërmjet lobimit dhe përmirësimit të imazhit të Shqipërisë”,-përfundoi fjalën e tij z. Strazay.

“Diçka e re për Shqipërinë, por pjesë e procesit të integrimit”,- kështu e vlerësoi këtë nismë Z. Radulović. Pasi foli për bashkëpunimin gjithëpërfshirës që u arrit në Mal të Zi në zbatimin e Konventës që prej 2012, i pyetur nga pjesëmarrësit për ecurinë aktuale të këtij bashkëpunimi, ai u shpreh se të gjithë kanë nevojë për përmirësim dhe në fund arrijmë aq sa kemi punuar. Ngadalësimimin e procesit ai e argumentoi me nevojën për ndryshimin e mentalitetit dhe sheshimin e konflikteve politike për ndërmarrjen e ndryshimeve kushtetuese. Shembuj të mirë e të këqij ka plot, por ai thekson rëndësinë e ruajtjes së balanacve, pavarësisht ngadalësimeve dhe vlerësimin e ndjesisë se të gjithë mund të kontribuojnë.

Paneli u ndoq me interes nga pjesëmarrësit, të cilët adresuan një serë pyetjesh për të ftuarit.