GP – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore (Kapitulli 23) – Ligji i Vullnetarizmit në Shqipëri: Si prioritet për zhvillimin e një mjedisi mundësues për shoqërinë civile, 9 korrik 2024

Më 9 korrik 2024, u mbajt tryeza për Ligjin e vullnetarizmit si prioritet për zhvillimin e një mjedisi mundësues për shoqërinë civile në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian në Tiranë. Tryeza u organizua nga Lëvizja Europiane në Shqipëri në bashkëpunim të ngushtë me Ministrin e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si dhe Qendrën Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri, Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim. Kjo tryezë erdhi dhe si shtysë nga aktorët e shoqërisë civile, të cilët për më shumë se katër vjet po kërkojnë rishikimin e ligjit duke nxjerrë rekomandime dhe analiza për problematikat e ligjit ekzistues.

Në fjalën e saj hyrëse, Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Znj. Bora Muzhaqi, qartësoi rëndësinë e rishikimit të Ligjit 45/2016 “Për Vullnetarizmin” për një mjedis mundësues për të gjithë përfituesit dhe ofruesit e vullnetarizmit në vend. Pas një periudhe 8-vjeçare nga miratimi i këtij ligji, ajo theksoi nevojën për konsultime të thella me grupet e interesit për të përpiluar një draft të përmirësuar. Ajo u shpreh se këto seri takimesh të përqendruara në një dialog të hapur me profesionistë të rinj kryesisht, si një nga grupet më të shumta në numër për sa i përket përfitimit të vullnetarizmit, dhe me organizatat e shoqërisë civile si ofruesit e vullnetarizmit, shënojnë një hap të rëndësishëm, pasi procesi i konsultimeve po kryhet gjithashtu para hartimit të draftit. Ministrja e Shtetit përqendroi sugjerimin e saj tek bashkëpunimi mes Ministrisë për Rininë dhe Fëmijët, Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Organizatave të Shoqërisë Civile, për të përfituar një rang më të gjerë idesh dhe terreni në mënyrë që efektiviteti i këtyre konsultimeve të jetë maksimal.

Znj. Olta Manjani, Zëvendësministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, shprehu se ligji ekzistues është një bazë e mirë për ushtrimin e vullnetarizmit në vend, por përmirësime dhe ndryshime të mëtejshme do ta lehtësojnë këtë proces. Manjani theksoi se ka mungesa të shumta informimi dhe po punohet mbi këtë fushë duke shtrirë bashkëpunimin mes Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët dhe Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësimit.

Në këtë kontekst, SH.T.Z Silvio Gonzato, Ambasador i BE-së në Shqipëri, vuri në dukje se rishikimi i Ligjit për Vullnetarizmin është jo vetëm i rëndësishëm për vullnetarët dhe organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri, por gjithashtu është një hap thelbësor në procesin e integrimit europian. Ky rishikim adreson sfidat e identifikuara në raportin screening për Grupkapitullin 1, ku vullnetarizmi është një nga prioritetet për të krijuar një mjedis mundësues për shoqërinë civile, çështje kjo e përfshirë në Kriterin Politik.

Z. Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i EMA, theksoi se përfshirja e shoqërisë civile në këto diskutime është e rëndësishme për të pasur një spektër tjetër të problematikave të ligjit për vullnetarizmin dhe konsultimi i vazhdueshëm me to në të gjitha fazat shihet me vlerë pasi organizatat e shoqërisë civile janë ofruesit e drejtpërdrejtë të vullnetarizmit. Gjithashtu Gjipali u shpreh se bashkëpunimi i mëtejshëm i institucioneve shtetërore jo vetëm me njëri-tjetrin por dhe me OSHC-të dhe vetë rininë do të mundësojë një hartim draft-ligji më cilësor, më realist dhe më të përshtatshëm.

Znj. Arjola Agolli, Menaxhere e Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri, Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, shprehu se ligji i tanishëm është mjaft i cunguar, i pakonsultuar dhe i pazbatueshëm duke bërë rishikimin e tij mëse të nevojshëm. Agolli theksoi se ligji i rishikuar në cilësinë e duhur do të kontribuojë në harmonizimin e situatës ligjore dhe do të ndihmojë në eliminimin e barrierave që pengojnë zhvillimin e vullnetarizmit në vend, duke pakësuar abuzimet, duke rritur nivelin e sigurisë për vullnetarët dhe duke shpresuar që ligji i ri të bëjë të mundur dhe rritjen e numrit të vullnetarëve. Për këtë çështje ajo u shpreh se bashkëpunimi i instituioneve shtetërore me Organizatat e Shoqërisë Civile është thelbësor, ku dhe në pjesën e dytë të tryezës ofroi dhe një prezantim lidhur me këtë pikëpamje.

Në pjesën e dytë të tryezës, u mbajt një prezantim në lidhje me rishikimin e Ligjit të Vullnetarizmit në Shqipëri nga Z. Oltion Pengu, Këshilltar Ligjor për Ministrin e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, i cili foli mbi procesin, objektivat dhe infrastrukturën e përgatitur për këtë rishikim ligjor. Ai sqaroi se përmes Urdhrit të Kryeministrit Nr. 9, datë 17.1.2024 është ngritur Grupi Ndërinstitucional i Punës për hartimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin 45/2016 “Për vullnetarizmin”. Ai bëri me dije gjithashtu se falë vlerësimit ex-post të ligjit dhe bashkërendimit të punës midis ministrive dhe agjencive të tjera, ka një pasqyrë të plotë mbi problemet ekzistuese në ligj dhe ndryshimet e mundshme në të, duke ndjekur praktikat më të mira nga shtetet anëtare në BE. Ai theksoi disa aspekte thelbësore që mund të ndryshohen me këtë projektligj duke përfshirë specifikimin e dallimit mes formave të vullnetarizmit, si vullnetarizëm i strukturuar/afatgjatë dhe vullnetarizmi masiv/afatshkurtër; përcaktimin e masës së kontributit që ofruesi i vullnetarizmit duhet të paguajë për të siguruar shëndetin e vullnetarit dhe formën e sigurimit; qëllimin e mbajtjes dhe përdorimit të bazës së të dhënave të vullnetarëve nga AKPA dhe ngritjen nga kjo e fundit të një platforme elektronike që do të përdoret nga ofruesit dhe përfituesit e vullnetarizmit, për të reklamuar nismat vullnetare dhe për të bërë lidhjen kërkesë/ofertë për projektet vullnetare. Ai përfundoi duket informuar për hapat e mëtejshëm, ku bashkërendimi dhe miratimi në Këshill të Ministrave për këtë draft ligj pritet të vazhdojë në periudhën shtator-dhjetor 2024.

Znj. Arjola Agolli, nga ana tjetër, paraqiti perspektivën e shoqërisë civile lidhur me zhvillimin e vullnetarizmit në Shqipëri. Ajo theksoi se iniciativa për rishikim të këtij ligji filloi në vitin 2020 nga Partnerët Shqipëri, Qendra Kombëtare Burimore dhe organizata Përtej Barrierave në bashkëpunim me një grup organizatash, të cilat kanë mundësuar një seri takimesh me organizatat në vend që punojnë me vullnetarë dhe kanë drejtuar një letër të hapur për qeverinë, donatorët, institucionet ndërkombëtare, etj; për të filluar dialogun me institucionet mbi rishikimin e kuadrit ligjor (nënshkruar nga mbi 120 OJF dhe rrjete të OJF-ve) dhe, ajo theksoi që vetëm në vitin 2022 ka filluar dialogu me institucionet. Agolli theksoi se ligji aktual ka tendencë të rregullojë vullnetarizmin duke marrë parasysh natyrën dhe funksionimin e organizatave të shoqërisë civile, dhe realizimin ose jo të kontratave; kostot e sigurimit të vullnetarëve; regjistrimin e vullnetarëve; institucionet përgjegjëse dhe ndarjen e kompetencave, të cilat ende mbeten ende çështje problematike të pazgjidhura. Në fund të fjalës së saj, ajo nënvizoi disa rekomandime kyçe, që kanë dalë nga procesi i konsultimit me organizata të shoqërisë civile dhe ekspertë ligjorë, për adresimin e problematikave të këtij ligji.

Një kontribut i çmuar në këtë segment ishte prezenca e ekspertes sllovake, Znj. Alžbeta Brozmanová Gregorová, Presidente e Platformës së Qendrave dhe Organizatave Vullnetare në Sllovaki, e cila ndau eksperiencën e Sllovakisë në procesin e harmonizimit të ligjit të tyre kombëtar të vullnetarizmit me standardet europiane, duke sjellë një perspektivë të rëndësishme për pjesëmarrësit në tryezë. Ajo nënvizoi se nuk ekziston një kuadër ligjor i unifikuar për vullnetarizmin, pasi politikat dhe rregullimet janë të vendosura në nivel kombëtar, ndërkohë BE-ja e mbështet vullnetarizmin nëpërmjet programeve dhe nismave të ndryshme. Ekspertja nxori në pah se për të pasur një kuadër ligjor të posaçëm për vullnetarizmin është e rëndësishme të njihen të gjitha format e vullnetarizmit dhe të mundësohet një mjedis i përshtatshëm për ushtrimin e tyre; të përcaktohen qartazi qëllimet e synuara nëpërmjet ndryshimit të legjislacionit; i cili duhet ta lehtësojë procesin e vullnetarizmit dhe jo ta pengojë më shumë atë, duke marrë parasysh rrethanat ekonomike, sociale dhe kulturore të secilit shtet, dhe përfshirja e të gjithë aktorëve në fazën e shqyrtimit dhe hartimit. Ekspertja u ndal gjithashtu në detajet kontraktore midis vullnetarit dhe ofruesit të vullnetarizmit, konkretisht në dispozitën për kompensimin sipas një rregulloreje specifike apo rimbursimin e vullnetarit për shpenzimet e kryera për sigurimin shëndetësor apo sigurimin vullnetar të papunësisë dhe pensionit. Gjithashtu, ajo shtoi se ligji në Sllovaki parashikon mundësinë e caktimit të 3% të taksës për vullnetarët që kanë punuar të paktën 40 orë dhe të dorëzimit të një certifikate. Një nga praktikat e mira të vullnetarizmit në komunitet është ushtrimi i tij kundrejt përjashtimit ose uljes nga taksa vendore. Ekspertja theksoi se akreditimi nuk është kusht për kryerjen e aktiviteteve të një organizate dërguese ose marrëse të aktiviteteve vullnetare. Të gjitha këto hallka përbëjnë propozime për përmirësimin e kuadrit ligjor për vullnetarizmin në Shqipëri.

Pjesëmarrësit kontribuan me rekomandime konkrete për përpilimin e draftit të Ligjit të Vullnetarizmit në Shqipëri, për mjedisin mundësues dhe kapacitetet e zbatimit, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve ligjore dhe praktikave të vullnetarizmit në vend. Ata diskutuan për saktësimin e mëtejshëm midis vullnetarizmit të mirëstrukturar dhe atij masiv dhe parashikimin e dispozitave të ndryshme për to, si dhe marrëdhëniet kontraktore midis përfituesit dhe ofruesit të vullnetarizmit, kontributet e sigurimeve shëndetësore nga ofruesit si dhe mundësimi i fondeve publike për mbulimin e këtyre shpenzimeve.