728 x 90

GP – Drejtësia, Liria dhe Siguria (Kapitulli 24) – Nga Strategjia në Veprim: Menaxhimi i Migrimit të Parregullt dhe Përmbushja e Kritereve të Ndërmjetme për Kapitullin 24, 29 prill 2025

GP – Drejtësia, Liria dhe Siguria (Kapitulli 24) – Nga Strategjia në Veprim: Menaxhimi i Migrimit të Parregullt dhe Përmbushja e Kritereve të Ndërmjetme për Kapitullin 24, 29 prill 2025

Më 29 prill 2025, u zhvillua nga Ministria e Brendshme dhe Lëvizja Europiane në Shqipëri Tryeza për Kapitullin 24 në kuadër të Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian dhe Konventës Kombëtare për Integrimin Europian. Fokusi i informimit dhe diskutimit të tryezës ishte mbi ecurinë e zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Migracionin 2024–2030 dhe Planit të

Më 29 prill 2025, u zhvillua nga Ministria e Brendshme dhe Lëvizja Europiane në Shqipëri Tryeza për Kapitullin 24 në kuadër të Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian dhe Konventës Kombëtare për Integrimin Europian. Fokusi i informimit dhe diskutimit të tryezës ishte mbi ecurinë e zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Migracionin 2024–2030 dhe Planit të saj të Veprimit, me një fokus të veçantë mbi hapat e ndërmarra për përmbushjen e Piketave të Ndërmjetme që lidhen me migracionin, azilin dhe menaxhimin e integruar të kufijve në kuadër të Kapitullit 24. Aktorët e shoqërisë civile, përfaqësues nga universitetet dhe institucionet publike u përfshinë në një diskutim dhe dialog të përbashkët duke ndarë eksperiencat dhe rekomandimet e tyre mbi çështjen e qeverisjes së migracionit në kuadër të procesit të negociatave. Vlerë e shtuar ishte edhe kontributi i ekspertes sllovake, e cila ndau eksperiencën e Sllovakisë sa i përket menaxhimit të migracionit të rregullt dhe të parregullt, specifikisht pas luftës në Ukrainë.

Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, hapi këtë takim duke vënë theksin në faktin që për çështjet e përfshira në Kapitullin 24, të lidhura me migracionin, sot ka dokumente strategjike dhe kritere të ndërmjetme të vendosura nga Bashkimi Europian, duke e bërë më të lehtë monitorimin e procesit të bërjes dhe zbatimit të politikave nga ana e aktorëve të shoqërisë civile. Ai gjithashtu theksoi se ky takim vjen si vazhdimësi e takimit të realizuar një vit më parë, kur Strategjia për Migracionin sapo ishte miratuar dhe po prezantohej te aktorët e shoqërisë civile. Një vit më vonë, ky takim shërben për të kuptuar se si ka qenë progresi i zbatimit të Strategjisë, cilat rekomandime janë marrë në konsideratë dhe si mund të kontribuojë më konkretisht shoqëria civile në vazhdimësi.

Suela Jahaj, Drejtore për Çështjet e Integrimit dhe Marrëveshjeve Ndërkombëtare pranë Ministrisë së Brendshme, paraqiti në mënyrë të detajuar cilat janë kriteret e ndërmjetme të vendosura për Kapitullin 24 dhe si ka vazhduar procesi i përmbushjes së tyre. Dy takime online janë realizuar me përfaqësues të Komisionit Europian dhe institucioneve publike me fokus temat: 1) Lufta kundër krimit të organizuar (drogat, armët, pastrimi i parave) dhe 2) Çështjet e migracionit, azilit, Shengenit, politikat e vizave. Nga këto takime dhe puna e deritanishme, është vlerësuar se ka ende boshllëqe dhe hapësira për përmirësim sa i përket legjislacionit, plotësimit dhe ndryshimit të strukturës institucionale dhe rritjes së kapaciteteve. Sa i përket kuadrit strategjik, Jahaj u shpreh se Shqipëria ka një Strategji kundër krimit të organizuar, Strategjinë për Armët, Plan Veprimi dhe Strategji për Krimin Kibernetik. Një hap i rëndësishëm në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar është ngritja e Zyrës së Rekuperimit të Aseteve (katër persona staf), ndërkohë që pritet miratimi i ligjit gjatë periudhës maj-qershor. Zhvillime janë bërë edhe për ngritjen e Sistemit Kombëtar për Paralajmërimin e Hershëm si dhe ngritjen e Observatorit Kombëtar të Drogave së bashku me Agjencinë për Kanabis. Jahaj theksoi se politika e vizave dhe Shengen do të jenë fusha ku do të kërkohet jo vetëm një vendimmarrje teknike, por edhe politike dhe diplomatike, duke qenë se Shqipëria aktualisht ka liberalizuar vizat me 13 shtete, të cilat BE-ja nuk i ka në listën e vendeve që lëvizin pa viza. Kjo, sipas Jahaj, tregon që ky proces kërkon kohë dhe kapacitete jo vetëm për të realizuar kriteret teknike, por edhe sepse kërkon një vullnet politik, duke përfshirë të gjithë aktorët.

Silvana Banushi, Drejtore e Përgjithshme e Zhvillimit për Migracionin dhe Azilin në Ministrinë e Brendshme, në prezantimin e saj sqaroi për pjesëmarrësit si po zbatohet Strategjia për Migracionin dhe Plani i saj i Veprimit, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në arritjet e deritanishme dhe çfarë problematikash dhe pengesash janë hasur gjithashtu. Ajo theksoi se hapësira si Tryeza për Kapitullin 24 janë me vlerë, pasi ato nuk shërbejnë thjesht për informim, por mbi të gjitha për përfshirje dhe kontribut. Banushi u shpreh se së bashku me Strategjinë është edhe Plani i Veprimit, i cili përfshin një periudhë dyvjeçare, kjo pasi dinamikat dhe ndryshimet në politikat e migracionit janë të shpeshta dhe kërkojnë që herë pas here të ketë përshtatje dhe përditësime. Strategjia ka vendosur disa prioritete, ku Banushi përmendi: forcimin e kuadrit ligjor dhe institucional, ku ndër të tjera synohet të vazhdojë puna për harmonizimin e legjislacionit kombëtar me Direktivat dhe Rregulloret e Kapitullit 24. Kjo do të përkthehet gjithashtu me fuqizim të kapaciteteve institucionale dhe një koordinim të mirëpërcaktuar ndërmjet institucioneve dhe agjencive të ndryshme. Një tjetër prioritet i kësaj Strategjie është parandalimi i emigracionit të parregullt dhe ulja e rasteve abuzive për kërkimin e azilit. Banushi u shpreh se sot ka një ulje të numrit të azilkërkuesve abuzivë, por përpjekjet vazhdojnë si për të bërë të mundur informimin sa më gjithëpërfshirës të qytetarëve, ashtu edhe nëpërmjet trajnimeve dhe rritjes së kapaciteteve institucionale. Ndërkohë, ajo listoi edhe disa nga arritjet e realizuara gjatë kësaj periudhe, siç janë: Shqipëria është bërë pjesë si vëzhguese e Rrjetit Europian të Migracionit, ku pika e kontaktit është pranë Ministrisë së Brendshme. Një tjetër zhvillim pozitiv vjen me punën e bërë për ngritjen e kapaciteteve të Policisë së Shtetit, sidomos të Kufirit, nëpërmjet trajnimeve dhe përmirësimit teknologjik, por edhe rritjes së bashkëpunimeve për riatdhesimin. Për Banushin, policia ka një rëndësi të veçantë në këtë proces, pasi janë ata që përballen me situatat dhe janë në vijën e parë sa i përket menaxhimit të migracionit apo fluksit të migrantëve. Decentralizimi i politikave migratore është një tjetër zhvillim pozitiv, sipas Banushit, ku të gjitha bashkitë janë trajnuar sa i përket shërbimeve për migrantët për të bërë të mundur integrimin e tyre në shoqëri. Arritje të tjera lidhen me hartimin dhe miratimin së shpejti të Planit të Kontigjencës, politika më të përqendruara ndaj mbrojtjes së fëmijëve të pashoqëruar dhe më shumë vëmendje ndaj integrimit të refugjatëve, si për qasjen e tyre në tregun e punës, ashtu edhe në njohjen e kualifikimeve.

Miroslava Mittelmannová, Drejtore Programi, Liga për të Drejtat e Njeriut në Sllovaki paraqiti situatën e migracionit në Sllovaki, duke ofruar gjithashtu disa rekomandime për përfshirjen dhe rolin e aktorëve të shoqërisë civile, si dhe për menaxhimin sa më efikas të migracionit nga institucionet publike. Ajo solli disa të dhëna konkrete, duke theksuar se në Sllovaki aktualisht jetojnë rreth 330 mijë të huaj me leje qëndrimi, ndërkohë që kërkesat për azil janë në nivele shumë të ulëta. Vetëm gjatë vitit 2024 janë paraqitur 165 kërkesa për azil, prej të cilave vetëm 41 persona kanë përfituar statusin e azilit. Megjithatë, lufta në Ukrainë në vitin 2022 solli një situatë të paprecedentë për Sllovakinë, me rreth 110 mijë shtetas ukrainas që aktualisht jetojnë në vend. Mittelmannová vuri në dukje se legjislacioni sllovak fillimisht nuk ishte në përputhje të plotë me Direktivën e BE-së për Mbrojtjen e Përkohshme, duke krijuar pengesa në integrimin e duhur të qytetarëve ukrainas. Ishte këmbëngulja dhe angazhimi aktiv i shoqërisë civile që bëri të mundur përmirësimin dhe harmonizimin e legjislacionit kombëtar me acquis-në e BE-së. Ajo vlerësoi në mënyrë pozitive faktin që Strategjia Kombëtare e Migracionit dhe Plani i saj i Veprimit në Shqipëri i kushtojnë një vëmendje të veçantë rolit të pushtetit vendor dhe bashkive. Duke sjellë përvojën sllovake, Mittelmannová theksoi se autoritetet vendore luajnë një rol kyç në informimin, ofrimin e shërbimeve dhe përmbushjen e nevojave të migrantëve dhe të huajve që vijnë në Sllovaki.

Aktiviteti vijoi me një sesion pyetjesh dhe diskutimesh me pjesëmarrës nga shoqëria civile, aktivistë, profesionistë të fushës së drejtësisë dhe të rinj, të cilët u fokusuan në hapat e ardhshëm për zbatimin e Strategjisë Kombëtare, fushat ku kërkohet një përfshirje më e thelluar e shoqërisë civile, si dhe shkëmbimi i përvojës me Sllovakinë, veçanërisht në menaxhimin e migracionit të parregullt.

Posts Carousel

E-Learning