Ministria e Integrimit Europian konsulton Raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë me shoqërinë civile

Ministria e Integrimit Europian, takim me shoqerine civile

Ministria e Integrimit Europian, ka mbledhur në një tryezë të rrumbullakët përfaqësuesit e shoqërisë civile, me qëllim konsultimin e Raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2015. Ministrja Klajda Gjosha, së bashku me Zv. Ministrin, Gentian Elezi bënë një përmbledhje të rekomandimeve të Komisionit, duke kërkuar përfshirjen edhe më të madhe të shoqërisë civile si dhe kontributin e saj, si një prej aktorëve më kyç në procesin e integrimit.

Ministrja Gjosha, nënvizoi se brenda një kohe të shkurtër Ministritë e Linjës do të kenë gati propozimet e tyre për një Plan Veprimi për 5 prioritetet që do të nisë të zbatohet në 2016. Ky plan do të hartohet nga Bordi i Negociatave, një strukturë e re që drejtohet nga Kryeministri dhe ka pjesë të saj Ministrat e Linjës që mbulojnë 5 prioritetet. Sipas Ministres, rekomandimet edhe pse janë sfida të qenësishme për administratën publike dhe kërkojnë vullnet të qartë politik, do të pasqyrohen në këtë Plan Veprimi si angazhime të vitit 2016. I rëndësishëm është kontributi i shoqërisë civile në këtë plan, në mënyrë që brenda një kohe të shkurtër të plotësohen rekomandimet.

Zv. Ministri u shpreh se Ministria e Integrimit Europian është duke koordinuar punën për përditësimin e Planit Kombëtar të integrimit dhe nevoja për gjithëpërfshirje bëhet edhe më e madhe. Sipas Zv. Ministrit sfida kryesore është analiza e Komisionit në këtë raport e cila jep nivelin përgatitjes për çdo sektor dhe çdo fushë, nga pikëpamja e përafrimit dhe zbatimit të legjislacionit europian.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile dhanë sugjerimet, vërejtjet dhe rekomandimet e tyre mbi Raportin por edhe për marrëdhëniet me institucionet, nevojat për përmirësim të tyre dhe sfidat e përbashkëta për procesin e integrimit.