728 x 90

GP – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore (Kapitulli 23) – Angazhimi dhe Koordinimi Institucional dhe Kontributi i Shoqërisë Civile në kuadër të negociatave për Kapitullin 23, 06 mars 2025

GP – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore (Kapitulli 23) – Angazhimi dhe Koordinimi Institucional dhe Kontributi i Shoqërisë Civile në kuadër të negociatave për Kapitullin 23, 06 mars 2025

Tryeza e radhës mbi Kapitullin 23 ofroi një vështrim të thelluar mbi zhvillimet e fundit dhe progresin e deritanishëm të negociatave dhe angazhimin që vazhdon për hartimin e Raportit të dytë të Sundimit të Ligjit. Takimi, si pjesë e Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian (PPIE) dhe Konventës Kombëtare për Integrimin Europian (NCEI), u organizua nga Ministria e Drejtësisë dhe Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA).

Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv pranë Lëvizjes Europiane në Shqipëri, hapi diskutimin duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së grupeve të interesit në tryezat e diskutimit dhe dedikimin që EMA dhe bashkëpunëtorë të ndryshëm të shoqërisë civile kanë ndaj kësaj praktike. Ai nënvizoi rëndësinë e informimit dhe shpërndarjes së informacionit tek grupet e interesit, por edhe tek qytetarët e thjeshtë. Gjipali theksoi vlerën e madhe që ka feedback-u i Ministrisë apo çdo institucioni shtetëror mbi qasjen, adresimin dhe përfshirjen e rekomandimeve të nxjerra nga shoqëria civile gjatë procesit të konsultimit të dokumenteve strategjikë si Strategjia Ndërsektoriale e Drejtësisë, apo për dokumente të tjera me rëndësi si kritere për procesin e integrimit europian. Ai gjithashtu solli në vëmendje organizimin e rregullt të tryezave në kuadër të PPIE, duke mundësuar dhe një kombinim mes anëtarëve të tryezave të PPIE dhe të Grupeve Ndërinstitucionale (GNPIE), në mënyrë që të shërbejnë si model për mbarëvajtjen e tryezave për kapitujt e tjerë të negociatave, të cilët janë me rëndësi  po aq sa Kapitulli 23.

Tedi Dobi, Zëvendës Ministër i Drejtësisë dhe Negociator për Kapitullin 23, shprehu nevojën për këto platforma në kontekstin e sotëm dinamik. Ai bëri të ditur se Shqipëria po përgatitet për të hapur dy grupkapituj të tjerë, përkatësisht Grupkapitullin 2 dhe 3, të cilët kanë në qendër të tyre ekonominë dhe konkurrencën. Ai theksoi se puna duhet të vazhdojë për përmbushjen e 14 piketave të ndërmjetme të caktuara nga Bashkimi Europian për Kapitullin 23, të ndara në tre nënfusha: 4 piketa për gjyqësorin dhe reformën në drejtësi, 3 piketa për luftën kundër korrupsionit dhe 7 piketa për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut. Dobi informoi se një takim i përjavshëm me përfaqësues të BE-së mbahet për të diskutar këto piketa me detaje dhe se 131 masa konkrete që duhen të ndermerren nga pikëpamja institucionale, ligjore dhe praktikave të brendshme, janë evidentuar si pasojë e këtyre diskutimeve. Ai vuri në dukje sesi këto piketa dhe Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor janë te kornizuara me njëra-tjetrën dhe bëri thirrje për avancimin e tyre duke përmendur pritshmëritë e Marta Kos, Komisioneres për Zgjerimin, për të mbaruar procesin teknik të negociatave në Shqipëri deri në fund të vitit 2027. 

Elona Bano, Drejtore e Integrimit dhe Negociatave në Ministrinë e Drejtësisë, u shpreh mbi disa tematika të rëndësishme të përfshira në Kapitullin 23 dhe 24. Ajo shpjegoi se Udhërrëfyesi mbi Shtetin e së Drejtës, është studiuar thellësisht dhe janë identifikuar 124 boshllëqe (critical gaps) mbi të cilat duhet të punohet. Ajo vuri në dukje realizimin e dy pikave të rëndësishme të parashikuara për vitin 2024 si: investigimi i magjistratëve të cilët dhanë dorëheqjen gjatë veting-ut të kryer nga KPK dhe reforma për lirinë e shprehjes e kryer nga AMA për matjen e audiencës. Për sa i përket lirisë së shprehjes, ajo informoi se në vitin 2024, treqind (300) policë u trajnuan mbi qasjen ndaj gazetarëve. Gjithashtu, Bano përgëzoi punën e stafit, i cili pasqyron çështjet e reja në kohë reale në platformën online te krijuar nga Komisioni Europian për krimin e organizuar, element i cili ka bërë të mundur raportime më të thella dhe të plota nga BE. Bano u shpreh se diskutimet mbi probleme si transparenca dhe anonimati në zgjedhjen apo ngritjen në detyrë të magjistratëve dhe plotësimin e vakancave mbas procesit të veting-ut kanë qenë të vazhdueshme përgjatë muajve të fundit. Ajo theksoi vështirësinë në arritjen e konkluzioneve kur aktorët e përfshirë janë të ndryshëm për sa i përket funksioneve të tyre, si në rast të institucioneve të pavaruara, dhe fakti që mungon një strukturë hierarkike. Ajo e përmbylli fjalën e saj duke inkurajuar shoqërinë civile bashkë me institucionet publike të investojnë në kulturën e Shtetit të së Drejtës dhe të shohin planin ambicioz të rritjes si një shtysë pozitive për të realizuar piketat në afatet e duhura.

Gjatë diskutimeve me pjesëmarrësit, përfaqësues nga shoqëritë civile, akademia, dhe institucionet pubike u prekën disa çështje me rëndësi të lidhura me problematikat apo çështjet më sfiduese në kuadër të kapitullit 23, si procesi i vetingut dhe pavarësia e institucioneve të drejtësisë, liria e shprehjes dhe mbrojtja e gazetarëve, si të drejtat e pakicave kombëtare dhe grupeve të margjinalizuara. Gjatë diskutimit dolën dhe një numër rekomandimesh drejtuar si çështjeve tematike specifike ashtu dhe ndaj procesit të negociatave dhe realizimit të reformave. 

Posts Carousel

E-Learning