Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), në bashkëpunim me Agjencinë e Prokurimit Publik, organizoi më 18 qershor 2026 një Tryezë Diskutimi dhe Këshillimi për Kapitullin 5 – Prokurimi Publik, me fokus mbi përmbushjen e piketave përmbyllëse të këtij kapitulli, gjendjen aktuale të procesit, si dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në sistemin e prokurimit publik. Aktiviteti u zhvillua në kuadër të Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian (PPIE) dhe Konventës Kombëtare për Integrimin Europian për këtë kapitull.
Gjatë fjalës hapëse, z. Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), theksoi rëndësinë e organizimit të tryezave të tilla si mekanizma konkretë për forcimin e përfshirjes së aktorëve të shoqërisë civile në procesin e integrimit europian dhe në monitorimin e reformave sektoriale. Ai nënvizoi se vlera e këtyre platformave qëndron në krijimin e hapësirave për dialog ndërinstitucional dhe në kontributin e drejtpërdrejtë në procesin e politikëbërjes përmes hartimit të dokumenteve të politikave e rekomandimeve konkrete që mbështesin përafrimin e legjislacionit shqiptar me acquis dhe standardet europiane. Për këtë arsye, ai theksoi se tryeza të tilla duhet të organizohen në mënyrë sistematike duke përfshirë jo vetëm organizatat e shoqërisë civile, por edhe institucionet publike, komunitetin e biznesit, ekspertët e fushës dhe grupet e interesit që preken drejtpërdrejt nga reformat. Duke iu referuar veçanërisht Kapitullit 5 – Prokurimi Publik, ai theksoi se ky është një nga kapitujt me ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik dhe institucional, ku ndryshimet ligjore dhe procedurale ndikojnë edhe operatorët ekonomikë dhe klimën e përgjithshme të biznesit në mënyrën se si marrin pjesë në procedurat e prokurimit, përshtaten me kërkesat rregullatore dhe konkurrojnë në kushte të barabarta.
Në prezantimin e mbajtur nga znj. Xhoana Ristani, Drejtor i Drejtorisë së Zbatimit të Politikave Strategjike dhe Integrimit, Agjencia e Prokurimit Publiku, u prezantua progresi i Shqipërisë në përmbushjen e piketave të përkohshme përmbyllëse për Kapitullin 5 – Prokurimi Publik, si pjesë e procesit të negociatave për anëtarësim në BE. Në fokus të prezantimit ishte harmonizimi i kuadrit ligjor kombëtar me acquis të BE-së dhe forcimi i mekanizmave institucionalë që garantojnë zbatimin efektiv të legjislacionit në fushën e prokurimit publik. U theksua se krijimin i një sistemi funksional, transparent dhe të qëndrueshëm të prokurimit publik është i domosdoshëm në bazë të parimeve të funksionimit të tij. Sa i përket përafrimit legjislativ, u bë me dije se ka nisur procesi i ndryshimit të Ligjit nr. 162/2020 “Për prokurimin publik”, ku drafti i ndryshimeve është duke u finalizuar në konsultim me SIGMA dhe pritet të kalojë në konsultim publik përpara se t’i përcillet Komisionit Europian. Gjithashtu, u nënvizua si një zhvillim i rëndësishëm miratimi i Ligjit nr. 88, datë 12.12.2025 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, i cili përfaqëson një hap drejt përafrimit të mëtejshëm me standardet europiane në këtë sektor. Në të njëjtën kohë, po vijon puna për ndryshimin e Ligjit nr. 36/2020 për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, ku pas komenteve të Komisionit Europian dhe reflektimit të rekomandimeve të SIGMA-s pritet finalizimi i draftit brenda muajit korrik 2026. Në nivel nënligjor, u raportua miratimi i akteve që rregullojnë kufijtë monetarë të procedurave të prokurimit dhe përditësimin e fjalorit të përbashkët të prokurimit, ndërsa paralelisht po avancojnë edhe aktet zbatuese për koncesionet dhe PPP-të, përfshirë rregullat mbi vlerësimin, dhënien, ndryshimin, transferimin dhe pavlefshmërinë e kontratave përkatëse.
Për sa i përket kapaciteteve administrative dhe institucionale, znj. Ristani theksoi se Komisioni Europian ka kërkuar informacion të detajuar mbi aftësinë zbatuese të sistemit shqiptar të prokurimit publik dhe se për këtë qëllim është përgatitur një informacion i posaçëm mbi gjendjen aktuale të kapaciteteve. Një prioritet i veçantë është profesionalizimi i administratës së prokurimit përmes trajnimeve dhe certifikimit të vazhdueshëm të zyrtarëve të autoriteteve kontraktore. Në bashkëpunim me ASPA-n, Agjencia e Prokurimit Publik ka vijuar organizimin e programeve të formimit dhe testimit profesional, ndërsa u raportua se numri total i zyrtarëve të certifikuar ka arritur në 904 deri më tani. Po ashtu, u prezantua si zhvillim i ardhshëm ngritja e një institucioni të ri përgjegjës për koncesionet dhe partneritetet publik-private, në zbatim të Ligjit nr. 88/2025, i cili pritet të shoqërohet me një analizë të nevojave për kapacitete dhe programe të reja trajnimi për strukturat përgjegjëse.
Në vazhdim, znj. Ristani u ndal te piketa përmbyllëse që lidhet me demonstrimin e funksionimit të një sistemi prokurimi publik të drejtë, transparent dhe të mbrojtur nga korrupsioni. Në këtë kuadër u evidentua përgatitja e një raporti statistikor që mbulon performancën e sistemit të prokurimit publik, procedurat në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, ankimet administrative dhe rastet e korrupsionit për periudhën 2022–2025. Gjithashtu, u prezantua përfundimi dhe publikimi i metodologjisë për vlerësimin e riskut të korrupsionit në prokurimin publik, ndërsa APP po vijon punën për zbatimin praktik të saj si në nivel makro, bazuar në të dhënat e Sistemit Elektronik të Prokurimit, ashtu edhe në nivel mikro përmes një procesi pilot me Operatorin e Blerjeve të Përqendruara. Një tjetër instrument që u paraqit si pjesë e masave parandaluese është hartimi i një modeli të planit të integritetit për autoritetet kontraktore dhe entet kontraktore, në bashkëpunim me institucionet përkatëse. Në përfundim, u evidentua se sfidat e ardhshme lidhen me finalizimin e reformave ligjore, vazhdimin e profesionalizimit të sistemit, funksionalizimin e institucionit të ri për PPP-të dhe avancimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Marrëveshjen e OBT-së për Prokurimin Qeveritar.
Për sa i përket përdorimit të Inteligjencës Artificiale në sistemin e prokurimit publik, u prezantua evoluimi i sistemit shqiptar të prokurimit publik drejt një modeli tërësisht të dixhitalizuar dhe orientimi i tij i ri drejt integrimit të funksioneve të inteligjencës artificiale në administrimin e procedurave të prokurimit. Duke kaluar te dimensioni i inteligjencës artificiale, znj. Ristani theksoi se Shqipëria ka nisur institucionalizimin e përdorimit të IA-së në prokurimin publik përmes ndryshimeve në Ligjin për Prokurimin Publik të miratuara me Ligjin nr. 16/2024, i cili ka hyrë në fuqi më 20 mars 2024. U shpjegua se ky ndryshim ka krijuar bazën ligjore për përdorimin e funksioneve të inteligjencës artificiale në zhvillimin e procedurave të prokurimit. Paralelisht, një grup ndërinstitucional pune i drejtuar nga AKSHI ka finalizuar dhe miratuar Termat e Referencës për prokurimin e sistemit të ri elektronik të prokurimit, dokument që ka marrë edhe miratimin e Bankës Botërore. Në vijim të prezantimit u paraqitën proceset konkrete ku planifikohet integrimi i inteligjencës artificiale. Në këtë drejtim, funksionet e IA-së synohen të përdoren në përllogaritjen e fondit limit, hartimin e specifikimeve teknike, vlerësimin e ofertave, funksionimin e Sistemit Dinamik të Blerjes dhe ankandit elektronik, menaxhimin e ankimeve në mënyrë elektronike si dhe menaxhimin e kontratave. Në pjesën përmbyllëse, znj. Ristani ndaloi te sfidat dhe objektivat që shoqërojnë këtë transformim teknologjik. U theksua nevoja për të balancuar përdorimin e inteligjencës artificiale me respektimin e kërkesave procedurale dhe ligjore të legjislacionit të prokurimit publik, si dhe vështirësitë që lidhen me vlerësimin e saktë të kontratave në rastet kur mungojnë praktika të ngjashme apo të dhëna historike. Gjithashtu, u evidentua se modernizimi kërkon ndërveprim me sisteme të tjera publike, integrimin e kritereve të prokurimit të gjelbër, krijimin e mekanizmave të sinjalizimit të rasteve potenciale të korrupsionit (“red flags”), harmonizimin me formularët standardë të BE-së dhe publikimin në TED. Në përfundim u nënvizua se një element kyç për suksesin e këtij procesi mbetet forcimi i kapaciteteve institucionale dhe njerëzore për të kuptuar dhe administruar në mënyrë efektive zhvillimet teknologjike në fushën e prokurimit publik.
Znj. Alba Brojka, Analiste e politikave dixhitale dhe autore e dokumentit të politikave “IA në prokurimin publik në Shqipëri: Një udhërrëfyes për inovacion të balancuar në politikat publike”, publikuar nga EMA, prezantoi një analizë mbi potencialin transformues të inteligjencës artificiale në administrimin publik, por edhe mbi kufijtë institucionalë, ligjorë dhe teknikë që duhet të adresohen përpara një përdorimi të plotë të saj. Në hyrje të prezantimit u theksua se Shqipëria është pozicionuar si një nga vendet më të avancuara në rajon në aspektin e dixhitalizimit të shërbimeve publike, ku rreth 95% e tyre ofrohen në mënyrë elektronike përmes platformës e-Albania. Megjithatë, u argumentua se ritmi i adoptimit të teknologjive të reja, përfshirë inteligjencën artificiale, ka ecur më shpejt sesa ndërtimi i kuadrit të nevojshëm ligjor, institucional dhe teknik për qeverisjen e tyre. Në këtë kontekst u soll edhe shembulli i njoftimit për Ministren “Diella”, të prezantuar si ministrja e parë e gjeneruar nga inteligjenca artificiale në botë me funksione mbikëqyrëse në fushën e prokurimit publik, si ilustrim i ambicies për modernizim dhe i nevojës për kujdes në institucionalizimin e këtyre zhvillimeve.
Gjatë prezantimit u argumentua se përdorimi i inteligjencës artificiale në prokurimin publik mund të sjellë përfitime vetëm nëse mbështetet mbi disa kushte themelore. U identifikuan pesë elemente që duhet të ekzistojnë paralelisht: një kuadër funksional rregullator, të dhëna të besueshme dhe pa paragjykime, procese transparente, staf i trajnuar dhe mbikëqyrje e vazhdueshme njerëzore. U theksua se në mungesë të këtyre mekanizmave, inteligjenca artificiale nuk eliminon automatikisht korrupsionin apo diskriminimin, por mund të riprodhojë dhe legjitimojë problematikat ekzistuese të sistemit. Në vazhdim, znj. Brojka analizoi se ku konkretisht përdoret inteligjenca artificiale përgjatë ciklit të prokurimit publik. Duke iu referuar të dhënave të OECD-së për vitin 2025, u shpjegua se pjesa më e madhe e aplikimeve të inteligjencës artificiale në nivel ndërkombëtar përqendrohet në fazat paraprake të procedurës dhe shumë më pak në monitorimin pas dhënies së kontratës. U evidentua se përdorimi i saj është më i zakonshëm në hartimin e kërkesave për tender, kategorizimin dhe analizimin e shpenzimeve, përditësimin e informacionit ligjor në kohë reale, automatizimin e kontrollit të përputhshmërisë së ofertave dhe identifikimin e parregullsive. Në këtë kuadër, u argumentua se ndryshimet e miratuara në Shqipëri gjatë vitit 2024 synojnë kryesisht rritjen e efikasitetit administrativ në këto faza të hershme të procesit, më shumë sesa krijimin e mekanizmave të rinj të kontrollit publik.
Një pjesë qendrore e prezantimit iu kushtua rreziqeve që shoqërojnë përdorimin e inteligjencës artificiale në prokurimin publik. U identifikuan tre fusha kritike: cilësia e të dhënave, transparenca e algoritmeve dhe mekanizmat e monitorimit. U theksua se nëse sistemet trajnohen mbi të dhëna historike të deformuara apo të ndikuara nga praktika problematike, ato mund të favorizojnë vazhdimisht të njëjtët operatorë ekonomikë dhe të institucionalizojnë paragjykime ekzistuese. Po ashtu, u argumentua se institucionet publike duhet të përdorin vetëm modele të kuptueshme dhe të auditueshme, duke garantuar që vendimmarrja automatike të jetë e shpjegueshme për qytetarët dhe operatorët ekonomikë. Një tjetër element i rëndësishëm ishte nevoja për të ndërtuar kapacitete të brendshme institucionale për monitorimin e algoritmeve dhe kontrollin e rezultateve të tyre, duke ruajtur gjithmonë rolin vendimmarrës të njeriut. Duke e vendosur diskutimin në kontekstin europian, znj. Brojka ndaloi te rëndësia e përafrimit me EU AI Act, i cili ndjek një qasje të bazuar në nivelet e riskut. U shpjegua se, si vend kandidat për anëtarësim në BE, Shqipëria do të duhet të harmonizojë gradualisht acquis në fushën e inteligjencës artificiale dhe të ndërtojë kapacitete për zbatimin e tij. Në prezantim u nënvizua se sistemet e inteligjencës artificiale që ndikojnë aksesin në shërbime publike konsiderohen sisteme me risk të lartë dhe i nënshtrohen kërkesave më të forta të transparencës dhe kontrollit. Gjithashtu u theksua se në fushën e prokurimit publik zbatimi i inteligjencës artificiale nuk do të vlerësohet vetëm sipas legjislacionit për IA, por edhe sipas rregullave europiane të prokurimit publik.
Në pjesën e analizës së situatës shqiptare në dokumentin e politikave, argumentohet gjithashtu se ambicia për të përdorur inteligjencën artificiale në prokurimin publik aktualisht ka ecur më shpejt sesa ndërtimi i bazave që e bëjnë këtë proces të sigurt dhe të përgjegjshëm. U evidentua se ende nuk ekziston një Strategji Kombëtare e miratuar për Inteligjencën Artificiale, se institucionet kanë kapacitete të kufizuara për monitorimin dhe auditimin e algoritmeve dhe se të dhënat historike të prokurimit publik mbeten të paplota dhe pjesërisht jo të dixhitalizuara. Në këtë kuadër, u shpjegua se ndryshimet e Ligjit nr. 162/2020 lejojnë përdorimin e inteligjencës artificiale në disa faza të ciklit të prokurimit, si hartimi i dokumenteve të tenderit, sistemet dinamike të blerjes, trajtimi elektronik i ankesave dhe monitorimi i zbatimit të kontratës, por pa përcaktuar në mënyrë të detajuar llojin e teknologjisë që do të përdoret, metodologjinë, përgjegjësitë institucionale apo mënyrën e mbrojtjes së të dhënave personale. Në përfundim, znj. Brojka paraqiti një sërë rekomandimesh për të garantuar një qasje të balancuar ndaj inovacionit në politikat publike. U theksua se përdorimi i inteligjencës artificiale në vendimmarrjen publike nuk duhet të shtrihet përpara krijimit të një kuadri funksional rregullator. Për këtë arsye u rekomandua miratimi i Strategjisë Kombëtare për Inteligjencën Artificiale, auditimi i cilësisë së të dhënave ekzistuese, hartimi i protokolleve për menaxhimin dhe ruajtjen e të dhënave, trajnimi i stafit të Agjencisë së Prokurimit Publik, monitorimi i vazhdueshëm i performancës së sistemeve dhe komunikimi transparent me publikun mbi mënyrën, qëllimin dhe kufijtë e përdorimit të inteligjencës artificiale në administratën publike.
*Kjo tryezë u zhvillua në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility 2021, i cili zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).
















