728 x 90

Tryezë për Kapitullin 12 – Ecuria e adresimit të rekomandimeve të Raportit të Komisionit Europian 2025 sa i përket fushës së sigurisë ushqimore dhe sfidat sa i përket plotësimit të angazhimeve në kuadër të procesit të negociatave në Grupkapitullin 5 “Burimet, Bujqësia, Kohezioni”

Tryezë për Kapitullin 12 – Ecuria e adresimit të rekomandimeve të Raportit të Komisionit Europian 2025 sa i përket fushës së sigurisë ushqimore dhe sfidat sa i përket plotësimit të angazhimeve në kuadër të procesit të negociatave në Grupkapitullin 5 “Burimet, Bujqësia, Kohezioni”

Siguria ushqimore ishte në fokus të tryezës së diskutimit dhe këshillimit të mbajtur nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian (KKIE), si një tematikë e rëndësishme me ndikim në shëndetin, ekonominë dhe besimin publik, dhe veçanërisht në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke qenë se tashmë janë hapur negociatat për Grupkapitullin 5 – Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni, ku Kapitulli 12 “Politikat e Sigurisë Ushqimore, Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve” bën pjesë, dhe janë vendosur gjashtë piketa përmbyllëse për t’u arritur nga pala shqiptare për këtë fushë. Kjo tryezë bëri bashkë institucione shtetërore, organizata të shoqërisë civile dhe grupe të tjera interesi mbi tematikën duke krijuar një vend për diskutime, shkëmbime mendimesh dhe idesh edhe për ecurinë e rekomandimeve të Raportit të Komisionit Europian për vitin 2025 për këtë Kapitull.

Takimi u hap nga Z. Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvisjes Europiane në Shqipëri (EMA), i cili theksoi se bashkëpunimet e vazhdueshme midis aktorëve të ndryshëm janë të rëndësishëm  për procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kjo tematikë ka një rol të veçantë pasi përfshin një legjislacion të gjerë dhe e bën më sfidues procesin e përafrimit me atë europian. Ai thekson se kjo fushë kërkon angazhimin jo vetëm e institucioneve legjislative dhe të atyre ekzekutive, por edhe të biznesve, agrobizneseve, konsumatorëve, organizatave të interesit, pasi duke qenë të informuar mbi ligjet e përafruara, mënyrës së përshtatjes së strukturave për zbatimin e legjislacionit, mund të angazhohen drejtpërdrejt si pjesëmarrës, monitorues dhe kontribues gjatë gjithë procesit të negociatave.

Takimi vijoi nga Z. Taulant Balla, Nënkryetar i Këshillit Kombëtar i Integrimit Europian, i cili solli në vëmëndje se kjo strukturë që nga koha e ideimit të tij ka pasur si qëllim mbledhjen e aktorëve shtetërorë dhe jo-shtetërorë në lidhje me vendimmarrjen në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai vlerësoi shoqëritë civile si aktorë kryesorë në evidentimin e problematikave. Gjithashtu, ai u shpreh se përgjatë vitit 2026, KKIE-ja është e gatshme që të vijojë më me intensitet aktivitetet dhe veprimtarinë e tij, nisur nga eksperienca 10 vjeçare e fituar që nga krijimi i tij. Ai e konsideron si sfidues këtë Grupkapitull për faktin se është një proces teknik dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë politik, ekonomik dhe shoqëror. Ai përmendi se nuk mjafton vetëm përafrimi i legjislacionit, por është i nevojshëm ndërtimi i një sistemi kontrolli efektiv dhe transparent. Referuar Rekomandimeve të Raportit të Komisionit Europian 2025 për Kapitullin 12, është e rëndësishme zbatimi i legjislacionit, rritja e kapaciteteve të institucioneve kontrolluese, zhvillimin e laboratorëve dhe garantimin e standarteve në pikat e kontrollit kufitar. Nga ana tjetër, Kuvendi i Shqipërisë, vazhdon të angazhohet në përmbushjen e piketave të nxjerra nga Bashkimi Europian, si dhe miratimin e 34 akteve nënligjore në dy muajt e parë të vitit 2026 dhe deri në fund të sesionit planifikohet të kalojnë në parlament mbi 200 akte ligjore të lidhura me sigurinë ushqimore. Gjithashtu, Kuvendi është i angazhuar edhe në ushtrimin e mbikëqyrjes reale të zbatimit të legjislacionit, funksionimin e institucioneve përgjegjëse dhe transparencës së procesit, ku ndër të tjera Balla përmendi që masa të tjera konkrete të ndërmarra janë investimet nëpërmjet projekteve “EU4FOODSAFETY” dhe “CRAD” falë mbështjetjes së Bashkimit Europian.

Z. Andis Salla, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, u fokusua në angazhimin aktual dhe prioritetet e institucionit që drejton në lidhje me tematikën. Ai u shpreh se fokusi ka qenë përmirësimi i kuadrit ligjor, forcimi i kontrollit zyrtar, rritja e kapaciteteve të institucioneve dhe përmirësimi i laboratorëve dhe pikat e kontrollit kufitar. Ndër planet konkrete të vitit 2026 ai përmendi miratimin e rreth 90 akteve nënligjore dhe 5 akteve zbatuese në fushën e sigurisë ushqimore, 31 akte nënligjore në fushën e veterinarisë dhe 10 akte nënligjore në fushën fitosanitare. Gjithashtu, theksoi rëndësinë e projektit “EU4FOODSAFETY” të mbështetur nga Bashkimi Europian dhe qeveria gjermane,me qëllim përmirësimin e standarteve të operatorëve të biznesit ushqimor dhe përmirësimin e cilësisë së qumështit të papërpunuar. Ai shpreh se do të forcohen kontrollet zyrtare të bazuara në risk për produktet e importit, eksportit dhe prodhimit vendor si dhe parashikohen investime për ndërtimin e shtatë Pikave të Inspektimit kufitar dhe forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale të AKU-së dhe ISUV-it, konkretisht ndërtimin e shtatë laboratorëve të rinj në të gjithë territorin, për raportimin dhe certifikimin e të gjithë produketeve nga “ferma në tavolinë”. Ai shtoi se janë bërë diskutime me Bashkimin Europian në lidhje me nisjen e procedurave për eksportimin e produkteve ushqimore si patatja dhe veza, si dhe MBZHR ka ngritur grupe pune për monitorimin e procesit te eksportimit në rast problematikash. Në nivel kombëtar, janë organizuar takime me fermerët dhe aktorë të tjerë në të gjtihë sektorët për të diskutuar mbi problematikat që ato kanë dhe mundësitë për zhvillim nëpërmjet paketave financiare dhe garancisë sovrane për fuqizimin e fermerëve.

Gjatë diskutimeve të bëra, aktorët e shoqërisë civile dhe pjesëmarrësit e tjerë rekomanduan reformë dhe masa të mëtejshme në forcimin e inspektoriateve dhe shtimin e kontrolleve zyrtare, bashkëpunim dhe konsultim me bizneset dhe fermerët e vegjël për një përshtatje sa më të lehtë dhe me kosto sa më të ulëta, rritja e besueshmërisë së konsumatorëve mbi produktet vendase, realizimi i projekteve pilot me fermerët dhe ndërgjegjësimi i të gjithë aktorëve në kuadër të procesit të anëtarësimit.

*Kjo tryezë diskutimi dhe këshillimi u zhvillua në kuadër të projektit “Linja e gjelbër për mbrojtjen e konsumatorit – Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri nëpërmjet fuqizimit të OSHC-ve lokale”, financuar nga Bashkimi Evropian (IPA III/2024), që po zbatohet nga Qendra Alert në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA).

 

Posts Carousel

E-Learning