Workshop-i MEL, në kuadër të iniciativës “Le të Sundojë Drejtësia Rajonin”, u mbajt në Tiranë më 13 mars 2024 dhe trajtoi praktikat më të mira europiane për zbatimin e Mekanizmit të Shtetit të së Drejtës të BE-së në Ballkanin Perëndimor, duke sjellë përvoja nga ekspertë rajonalë dhe sllovakë. Paneli u pasurua me pjesëmarrjen e ekspertit sllovak Peter Čuroš, i cili prezantoi Mekanizmin e Shtetit të së Drejtës të BE-së, duke analizuar katër shtyllat e tij dhe duke sfiduar qasjen “një zgjidhje për të gjithë”.
Ndërkohë, paneli i dytë u fokusua në Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si një nismë për të pasur një vizion të përbashkët për harmoni ekonomike dhe politike për këto vende. Gjatë diskutimeve, u shprehën shqetësime lidhur me përjashtimin e shoqërisë civile nga konsultimet për këtë plan dhe mungesën e transparencës mbi ndarjen e fondeve përkatëse. Në qendër të diskutimeve ishte gjithashtu çështja e sigurimit që këto fonde, të dhëna mbi bazën e progresit të arritur, të shërbejnë realisht për përmirësimin e qeverisjes dhe stabilitetit në rajon.
Kështu, workshop-i nuk u shndërrua thjesht në një takim ekspertësh, por në një thirrje për aktorët e shoqërisë civile që të luajnë rolin e tyre si watchdogs, duke siguruar që premtimet për reforma dhe mirëqenie të mos mbeten të paplotësuara.
