Më 22 janar 2024, Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe Ministria e Drejtësisë organizuan në Tiranë Tryezën e Kapitullit 23 me temë: Roli aktiv i Shoqërisë Civile në Udhërrëfyesin për Funksionimin e Institucioneve Demokratike. Kjo Tryezë erdhi si nevojë për të diskutuar dhe konsultuar me anëtarët e tryezës dhe aktorë të shoqërisë civile pikat dhe masat e Udhërrëfyesit për Funksionimin e Institucioneve Demokratike dhe prioritetet e përcaktuara në këtë udhërrëfyes që mbulon tri fusha kryesore: 1. Procesin Zgjedhor 2. Kuvendin dhe 3. Shoqërinë Civile.
Takimi u hap nga Elona Bano, Drejtore e Integrimit dhe Negociatave pranë Ministrisë së Drejtësisë, e cila pasqyroi në mënyrë të detajuar procesin e monitorimit dhe raportimit në kuadër të Shtetit të së Drejtës që institucionet shqiptare bëjnë, ku një hap pozitiv është dhe fakti që Shqipëria pas miratimit nga COELA tanimë do të jetë pjesë e raportimit për Shtetin e së Drejtës që Bashkimi Europian bën për 27 shtetet anëtare, duke përfshirë dhe 4 vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi dhe Serbi). Kjo do të kërkojë më shumë angazhim dhe përgatitje nga njëra anë, po nga ana tjetër do t’u japi mundësinë vendeve kandidate që të vlerësohen dhe krahasohen jo vetëm mes tyre, por dhe me vendet anëtare të BE-së. Sa i përket Udhërrëfyesit për FID, Bano theksoi që ky nuk është një piketë hapëse detyruese për Grupimin 1 – Themeloret, por mbetet i domosdoshëm për të vendosur disa prioritete sa i përket procesit zgjedhor, rolit të Kuvendit si organ ligjvënës, por edhe si dhe për një mjedis sa më mundësues për Shoqërinë Civile në Shqipëri. Ajo u shpreh që gjatë këtij takimi mirëpret rekomandime dhe komente nga aktorë të shoqërisë civile sidomos për dy çështje me rëndësi: si mund të përfshihet shoqëria civile në monitorimin e medias gjatë fushatës zgjedhore dhe në monitorimin e financimit të partive politike.
Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri theksoi që momenti që po kalon vendi në kuadër të procesit të negociatave, është momenti i duhur për shoqërinë civile për t’u përfshirë dhe për të qenë aktiv në strukturat e konsultimit si Platforma e Partneritetit për Integrimin Europian, por dhe Këshilli Kombëtar i Shoqërisë Civile dhe Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian. Sipas tij, këto struktura nuk janë ende tërësisht aktive dhe gjithëpërfshirëse, ku KKSH vlerësohet si më problematik, ku dhe raporti i Komisionit Europian nuk i ka kursyer kritikat. Pavarësisht, aktorët e shoqërisë civile duhet të kenë në radhë të parë interesin të përfshihen dhe jenë proaktiv dhe të krijojnë bashkëpunime dhe të institucionalizojnë dialogun me institucionet publike. Për Gjipalin, është një hap pozitiv që shoqëria civile po shihet gjithnjë e më shumë si aktor i rëndësishëm që duhet të përfshihet në proceset e politikëbërjes dhe vendimmarrjes në kuadër të procesit të integrimit të vendit, gjë që nuk ka qenë e tillë për vendet e tjera të Bashkimit Europian gjatë procesit të tyre të anëtarësimit. Ai solli shembullin e Sllovakisë, ku shoqëria civile filloi të përfshihej vetëm pasi vendi ishte anëtarësuar në BE. Ai theksoi që përfshirja sidomos në Grupimin e parë të kapitujve, është me shumë rëndësi pasi ky Grupim do të përcaktojë progresin e gjithë procesit të negociatave duke qenë që ai hapet i pari dhe mbyllet i fundit, dhe progresi në këtë grupim do të ndikojë dhe në fazat e tjera të procesit.
Në pjesën e dytë të takimit anëtarët e tryezës, aktorë të shoqërisë civile, përfaqësues nga akademia, të rinj profesionistë dhe studentë diskutuan mbi çështjet e përfshira në Udhërrëfyes duke ofruar dhe rekomandimet e tyre sa i përket monitorimit të zgjedhjeve nga OSHC-të, dhe nevojën për më shumë bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, rolit dhe problematikat që media në Shqipëri ka sot, me fokus të veçantë problematikat e mediave online dhe atyre rrjeteve sociale që janë ende të parregulluara me ligj, nevoja për më shumë financim dhe mbështetje financiare për OSHC-të për të luajtur rolin e tyre monitorues por dhe gjetjen e incentivave për ti bërë ato më aktive dhe të përfshira në procesin konsultues.