Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), në partneritet me Slovak Foreign Policy Association, me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë, realizoi më datë 6 tetor 2015 Sesionin e II të Grupit të Punës III (Siguria Ushqimore, Veterinaria, Mbrojtja e Bimëve, Bujqësia dhe Zhvillimi Rural – Kapitujt 11 dhe 12), ku u trajtua tema “Sfidat në adoptimin dhe zbatimin e standardeve të sigurisë dhe cilësisë ushqimore nga AKU dhe operatorët e biznesit ushqimor”. Z. Afrim Bakaj, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ushqimit, u shpreh se për realizimin me sukses të përpunimit, ruajtjes dhe shpërndarjes ushqimore, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka përgjegjësi garantimin e sigurinë ushqimore në përputhje me ligjin. Z. Bakaj përmendi si arritje dyfishimin e operatorëve ushqimor që gjatë vitit 2014 kanë adoptuar sistemin HACCP, i projektuar dhe zbatuar sipas kërkesave themelore të sigurisë ushqimore. Nëpërmjet HACCP si risi prezantohet dhe metodologjia që përcakton kriteret për nivelin e riskut, dhe një plan veprimi që siguron zbatimin e metodologjisë. Në bazë të inspektimeve të bëra dhe duke zbatuar masat administrative sipas z. Bakaj po shihen gjithnjë e më shumë impakte pozitive. Ndër problematikat kryesore të hasura ai listoi mungesa e infrastrukturës për të realizuar inspektimet.
Në vijim fjala u mor nga eksperti i Grupit të Punës, z. Florian Xhafa, i cili duke u përqendruar në detyrimet e shtetit shqiptar në rrugën e integrimit, përmendi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, neni 70 që parashikon garantimin e lëvizjes së lirë të mallrave dhe njëkohësisht garantimin e cilësisë së tyre. Z. Xhafa nënvizoi se Autoriteti kompetent AKU duhet kurdoherë të kryejë funksionet e tij bazuar në tre parime të rëndësishme: 1. Analizë e riskut – Në sajë të funksionimit të Komitetit Shkencor dhe paneleve shkencore, nga ana strukturore analiza e riskut është e realizueshme në vendin tonë. 2. Vlerësimi mbi bazën e riskut -Nëpërmjet vlerësimit mbi bazën e riskut jepen dhe alokohen burimet njerëzore. 3. Menaxhimi i riskut është funksioni kryesor që duhet të ketë AKU, por ndarja apo copëzimi institucional që ekziston në Shqipëri e bën të vështirë funksionimin e këtij parimi. Ai ngriti si problematike çështjen e mbivendosjes së kompetencave ndërmjet institucioneve të ndryshme.
AKU zotëron përgjegjësinë më të madhe në kontrollin ushqimor, por nuk ka mekanizmat pasi kontrolli i është lënë pushtetit lokal. Në këtë rast nuk ka konflikt ligjor, por problemi qëndron te struktura e cila duhet rregulluar e modifikuar ligjërisht.
Z. Bohuslavmr Harvilak, ekspert në fushën e sigurisë ushqimore dhe Drejtor i Departamentit Ligjor në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë në Sllovaki ndau eksperiencën e Sllovakisë, si vend i BE-së në këtë kuadër. Ka një rregull detyrues për vendet e Bashkimit Europian sipas të cilit duhet të ngrihen institucione që kanë kompetenca të qarta dhe të sakta që nuk duhet të mbivendosen. Eksperti sllovak i Grupit të Punës solli disa sugjerime si: – Organizimi në klube i operatorëve të biznesit, sipas fushave të tyre dhe përfshirja në grupet e punës për hartime legjislacionit. – Në kuadër të legjislacionit të BE-së organizohen trajnime të përbashkëta mes operatorëve dhe inspektorëve gjë që ndihmon në kuptueshmërinë e punës, me problemet dhe të përbashkëtat e njëri-tjetrit në arritjet e qëllimeve. –Marrëveshje të arritura mes Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Shëndetit, institucioneve tatimore dhe doganore për Plane Pune dhe kontrolle të përbashkëta, duke ulur kostot dhe afatet kohore. Duke qenë një vend anëtarë i BE-së, një detyrim tjetër i caktuar nga direktivat e Unionit është edhe ekzistenca e instrumenteve laboratorike. Në Sllovaki kryesisht janë të rregulluar laboratorët shtetëror e megjithatë ka edhe laboratorë privat por vihen në përdorim vetëm nga bizneset private.
Paneli u shoqërua nga diskutime dhe rekomandime mes pjesëmarrësve nga institucione shtetërore dhe organizata të shoqërisë civile.