Më 21 dhjetor 2021, u zhvillua Sesioni Plenar që shënoi rifillimin e Konventës Kombëtare për Integrimin Europian në Shqipëri 2021-2023 e cila zbatohet nga EMA që prej vitit 2014 në bashkëpunim me Slovak Foreign Policy Association me mbështetjen financiare të SlovakAid. Aktiviteti u hap me fjalët përshëndetëse të Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i EMA dhe Tomáš Strážay, Drejtor pranë Qendrës së Kërkimit të Slovak Foreign Policy Association, të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Sllovakisë përsa i përket procesit të Integrimit Europian dhe shpjeguan në terma konkretë misionin e Konventave Kombëtare që po zbatohen në disa vende të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë sesionit të parë, Martin Klus, Sekretar i Shtetit i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Europiane të Sllovakisë shprehu rëndësinë e Integrimit Europian të rajonit të Ballkanit Perëndimor jo vetëm në nivel teknik por më gjerë, duke përmendur kështu tejçimin e vlerave europiane. Klus, shprehu vlerësimin e tij për “qasjen nga poshtë-lart” që konventa përfaqëson në Shqipëri. Më pas, Megi Fino, Zëvendës Ministre për Europën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, nënvizoi rëndësinë për ta bërë këtë proces pjesëmarrës dhe gjithëpërfshirës të aktorëve të ndryshëm në vend. Fino u shpreh që “Nëse ka diçka për të cilën duhet të jemi të sigurt është që e ardhmja jonë është europiane”. Në vazhdim, Adea Pirdeni, Zëvendës Ministre e Drejtësisë në Shqipëri, iu referua nevojës për të shtyrë procesin përpara nëpërmjet axhendës së brendshme. Gjithashtu, Pirdeni solli në vëmendje sfidat e integrimit si dhe përpjekjet dhe arritjet përsa i përket reformës në drejtësi.
Gjatë sesionit të dytë, u ofruan shembuj nga rajoni të suksesit të Konventave Kombëtare në kuadër të proceseve integruese në BE. Miroslava Pisklová hulumtuese e Qendrës së Kërkimit të Slovak Foreign Policy Association solli në vëmendje eksperiencën sllovake dhe prezantoi aktivitetet e ndërmarra në kuadër të Konventës Kombëtare. Pisklová vuri theksin te rëndësia që aktivitete të tilla të vijonë edhe pasi procesi i integrimit të përmbyllet. Diskutimi më pas u pasua nga Konstantin Minoski, Koordinator i Grupeve të Punës pranë Konventës Kombëtare për Bashkimin Europian në Maqedoninë e Veriut. Minoski u fokusua tek rëndësia për ta sjellë procesin e integrimit më afër qytetarëve dhe prezantoi suksesin e Grupeve të Punës me fokus kapitujt 23,24, 27 dhe 19 duke nënvizuar impaktin që përfshirja e grupeve ka prodhuar në rrugën drejt arritjes së këtij qëllimi. Nëpërmjet listimit dhe prezantimit të sesioneve të Grupeve të Punës, Minoski shpjegoi rezultatet dhe rekomandimet e prodhuara nga këto grupe përsa i përket kapitujve të ndryshëm, ku deklaroi se mbi 250 rekomandime janë miratuar, që nënkupton rreth 35-40% e tyre janë marrë në konsideratë dhe janë bërë zhvillimet e nevojshme nga shteti maqedonas. Momčilo Radulović, President i Lëvizjes Europiane në Mal të Zi në këtë linjë diskutimi, ndau eksperiencën e Malit të Zi përsa i përket Konventës Kombëtare dhe ndërkohë solli në vëmendje Konventën Rajonale për Integrimin Europian që bëri bashkë Malin e Zi, Serbinë dhe Shqipërinë në realizimin e takimeve të përbashkëta rajonale për sfidat gjithashtu të përbashkëta të integrimit europian. Radulović, në këtë pjesë shprehu rëndësinë që bashkëpunimi mes aktorëve të ndryshëm luan dhe vlerën e shtuar që ofrojnë OJQ-të.
Gjatë sesionit të tretë, Gledis Gjipali dhe Nirvana Deliu nga EMA shpjeguan në detaje aktivitetet e zhvilluara në kuadër të Konventës në Shqipëri që nga 2014. Gjipali prezantoi objektivat e Konvetës në vetvete për ta institucionalizuar debatin publik për çështjet europiane, forcimin e kapaciteteve eksperte, angazhimi i qytetarëve dhe aktorëve të ndryshëm qeveritare dhe joqeveritare si dhe transferimi i njohurive, praktikave më të mira dhe eksperiencës Sllovake në rrugëtimin drejt Integrimit Europian. Në vijim, Gjipali prezantoi punën e bërë nga 6 Grupet e Punës të ngritura në kuadër të Konventës si dhe aktivitetet e ndërmarra në këtë aspekt. Gjipali përmendi 40 sesionet e Grupeve të Punës të zhvilluara deri më tani jo vetëm në Tiranë, por edhe në rajone të tjera si Fieri, Lushnja, Elbasani, Durrësi me fokus tema specifike si mjedisi, bujqësia apo siguria ushqimore. Pjesëmarrësit në këto aktivitete vijnë nga institucionet publike, shoqëria civile, sektori i biznesit dhe akademia. Gjipali përfundoi duke prezantuar produktin e aktiviteteve të vazhdueshme, si Rekomandime të Polikave, të publikuara dhe ndara me grupe interesi dhe monitorimi i zhvillimeve në sajë të këtyre rekomandimeve.
Ndërkohë Deliu u fokusua te aktivitetet dhe rezultatet e Konventës gjatës periudhës 2019-2021, ku u realizuan nga katër sesione për pesë Grupe Pune, me pjesëmarrjen e Ministrive të linjës si ajo e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, e Bujqësisë dhe e Financave. Ndërkohë që për realizimin e sesioneve pati një bashkëpunim mjaft të mirë dhe institucione të tjera si Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Kuvendi dhe Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian dhe Dhoma e Avokatisë. Gjatë këtyre sesioneve me pjesëmarrjen e aktorëve të shoqërisë civile, universitetit dhe sektorit privat jane nxjerrë një numër rekomandimesh për të cilat janë vënë re zhvillime si në drejtim të hartimit të legjislacionit ashtu dhe të ngritjes së kapaciteteve institutcionale dhe forcimit të bashkëpunimit mes aktorëve të ndryshëm. Disa nga këto rekomandime Deliu përmendi, rekomandimet mbi përmirësimin e ligjit për azilin dhe ligjin për të huajt (GP II – Kapitulli 24) dhe zhvillimet në këtë drejtim, ngritja e FADN që mbledh të dhënat për fermerët (GP III – Kapitulli 11) ku është një nga prioritetet e nënvizuara dhe nga Komisioni Europian apo edhe zhvillimet legjislative në fushën e Mbrojtjes së Konsumatorit. Deliu përfundoi duke theksuar që këto fusha dhe tema do të trajtohen edhe gjatë Konventës së ardhshme me qëllim monitorimin dhe ndjekjen e këtyre sfidave.
Në sesionin e fundit të eventit hapës të konventës, u zhvilluan pyetje-përgjigje me pjesëmarresit ku u prezantuan disa nga iniciativat e ndërmarra nga përfaqësues të organizatave të pranishme si dhe u adresuan pyetje përsa i përket integrimit europian të Shqipërise dhe metodologjisë së re të zgjerimit.