Më 22 korrik, 2021, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) në partneritet me Slovak Foreign Policy Association dhe me mbështetjen financiare të SlovakAid organizuan Sesionin Plenar përfundimtar për Konventën Kombëtare të Integrimit Europian në Shqipëri për periudhën 2019-2021. Gjatë periudhës 2019-2021, janë formuar pesë grupe pune dhe janë organizuar 20 sesione, më konkretisht: GP I – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore (Kapitulli 23); GP II – Drejtësia, Liria, Siguria (Kapitulli 24); GP III – Bujqësia dhe Mbrojtja e Konsumatorit (Kapitujt 11, 12 dhe 28); GP IV – Instrumentet e Koordinimit të Politikave dhe Strukturave Rajonale (Kapitulli 22) dhe GP V – Çështjet e Tregtisë dhe Ekonomisë (Katër Liritë dhe Kapitulli 20). Ky sesion plenar i organizuar online mblodhi rreth 60 pjesëmarrës nga institucionet shtetërore dhe organizatat e shoqërisë civile, sektori i biznesit dhe përfaqësues nga bota akademike dhe profesionistë të rinj.
Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA) në fjalën e tij hapëse theksoi rëndësinë e kësaj platforme dhe falenderoi Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe SlovakAid, gjithashtu të gjithë aktorët e tjerë që kanë kontribuar dhe kanë qenë të angazhuar në mënyrë aktive në realizimin e Konventës. Sipas Gjipalit, Konventa ka lehtësuar dialogun dhe bashkëpunimin midis institucioneve shtetërore, shoqërisë civile, grupeve të biznesit, shoqatave të punëtorëve, akademisë dhe mediave rreth Integrimit Europian në Shqipëri.
Peter Brezani, përfaqësues i Research Center of the Slovak Foreign Policy Association, RC SFPA si bashkëpunëtor i Konventës në Shqipëri deklaroi se institucioni që ai përfaqëson synon të promovojë diskutimin publik mbi integrimin europian të Shqipërisë midis jo vetëm organeve dhe institucioneve shtetërore, por edhe shoqërisë civile, përfaqësuesve të biznesit, aktorëve të botës akademike dhe medias. Ai theksoi më tej rëndësinë e krijimit të një tradite të diskutimit publik mbi çështjet e Politikave të BE-së në Shqipëri, dhe premtoi mbështetje për vazhdimin e Konventës në Shqipëri për dy vitet e ardhshme.
Sesioni plenar i Konventës u përshëndet edhe nga përfaqësues të lartë si Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, si dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Europës së Sllovakisë. Megjithëse nuk mund të ishin të pranishëm, përmes video-mesazheve, ata vlerësuan punën e bërë deri më tani nga EMA dhe partnerët, dhe gjithashtu shprehën mbështetjen për procesin e integrimit europian për Shqipërinë. Në video-mesazhin e tyre, ata garantuan mbështetje për bashkëpunimet që priten të realizohen në të ardhmen dhe me aktorët e shoqërisë civile.
Olta Xhaçka, Ministre për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë përmes një video-mesazhi vlerësoi punën e bërë nga EMA dhe bashkëpunëtorët për zhvillimin e kësaj nisme gjithëpërfshirëse për procesin e negociatave. Sipas saj, projekti ndihmon Shqipërinë për të përfituar nga përvoja sllovake në integrimin europian. Ajo gjithashtu deklaroi se ky projekt thekson rëndësinë që shoqëria civile luan në diskutimin rreth integrimit europian. Më tej, Xhaçka falënderoi homologun e saj sllovak Korčok jo vetëm për asistencën në këtë projekt, por edhe për kontributin që shteti sllovak po jep për shtyrjen përpara të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
Ivan Korčok, Ministër i Punëve të Jashtme dhe Europës së Sllovakisë, në mesazhin e tij përmes Ambasadorit të Sllovakisë në Shqipëri, Peter Spisiak, vlerësoi punën e Konventës mbi integrimin e Shqipërisë në BE. Ai siguroi se Sllovakia do të ndihmojë Shqipërinë të përfitojë nga përvoja sllovake me ekspertizë dhe udhëzime për të arritur sa më shpejt integrimin në BE. Gjithashtu në mesazhin e tij, Ministri Korčok shtoi se Sllovakia do të donte që Shqipëria të merrte pjesë në Konferencën për të Ardhmen e Europës. Në fund ai garantoi vazhdimin e mbështetjes nga SlovakAid për Konventën Kombëtare për Integrimin Europian në Shqipëri në të ardhmen.
Paneli i parë i këtij aktiviteti kishte në fokus rolin e institucioneve shtetërore në procesin e integrimit në BE dhe gjendjen aktuale të kapitujve të mbuluar nga Konventa. Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore si Ministria e Drejtësisë në Shqipëri dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit të cilët kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të EMA gjatë Konventës 2019-2021, e fokusuan diskutimin e tyre në sfidat me të cilat përballen institucionet përkatëse shtetërore në rrugën e Procesit të Integrimit në lidhje me kapacitetet administrative, procesin legjislativ dhe standardet që duhen përmbushur.
Najada Shundi, përfaqësuese e Ministrisë së Drejtësisë në Shqipëri si Institucioni Drejtues për Kapitullin 23, shpjegoi veprimet dhe përvojat e ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë për procesin e Integrimit Europian. Ajo deklaroi se deri më tani, të gjithë kapitujt e Acquis janë shpjeguar dhe pritet të pasohet nga takimet dypalëshe të cilat janë faza e dytë e procesit të shqyrtimit, të cilat pritet të zhvillohen pas Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Ajo shpjegoi se në këtë fazë Shqipërisë i kërkohet të paraqesë nivelin e përafrimit të legjislacionit të përgatitjes dhe aftësive profesionale për zbatimin e Acquis, si dhe planet që ka për të ardhmen në këtë drejtim. Ajo më tej shtoi se Kapitujt 23 dhe 24 luajnë një rol të rëndësishëm në përparimin e të gjithë procesit, pasi këta kapituj përmbajnë aspektet kryesore të shtetit të së drejtës dhe lirive dhe të drejtave themelore, të cilat janë thelbësore për integrimin në BE. Ajo më tej sqaroi Kapitullin 23, ku Acquis për këtë kapitull përbëhet prej 126 akteve, nga të cilat: 61 akte të konsideruara “hard acquis” dhe 65 akte të konsideruara si “soft acquis”, ku e gjitha është ndarë në tre fusha tematike: gjyqësori, anti-korrupsioni dhe të drejtat themelore. Ajo gjithashtu shtoi se Ministria e Drejtësisë është duke punuar në përafrimin e kodit penal me 10 direktivat e BE-së që parashikohet në Planin Kombëtar të Integrimit Europian 2021-2023. Në fund Shundi u shpreh se i gjithë ky proces nuk mund të zhvillohet pa ndihmën e partnerëve, shoqërisë civile dhe akademisë, pasi ky proces është shumë sfidues. Ajo deklaroi se procesi duhet të forcojë administratën shtetërore dhe të ndërtojë kapacitete për të vazhduar rrugën e duhur duke përfshirë të gjithë aktorët shtetërorë dhe civilë.
Ermal Ilirjani, Drejtor në Fondin Shqiptar të Zhvillimit, institucion ky që lidhet drejtpërdrejt me me Kapitullin 22, gjatë fjalës së tij shpjegoi se për zbatimin e Programit Operacional për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin, duhet të ndiqet legjislacioni i BE. Ai shtoi se Kapitulli 22 kërkon krijimin e një kornize institucionale dhe kapacitetin e duhur administrativ për të siguruar pjesën e planifikimit dhe programimit, si dhe zbatimin dhe monitorimin bazuar në afatet kohore të përcaktuara nga BE. Sipas Ilirjanit, rritja e kapaciteteve administrative është e rëndësishme në mënyrë që Shqipëria të përgatitet mirë gjatë avancimit të fazave të integrimit për zhvillimin rajonal dhe kohezionin.
Paneli i dytë përbëhej nga përfaqësues të grupeve të biznesit dhe shoqërisë civile, të cilët ndanë përvojën e tyre të punës dhe ofruan rekomandime për kapitujt përkatës. Në prezantimin e tyre, përfaqësuesit e grupeve të biznesit dhe shoqërisë civile ishin të gatshëm të ofrojnë mbështetje në bashkëpunimet e ardhshme.
Agim Rrapaj, Kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (Kapitulli 11 & 12) deklaroi se bashkëpunimi me ekspertë të huaj të angazhuar nga EMA ka pasur një efekt pozitiv në procesin e informacionit dhe lehtësimit të disbursimit të fondeve në fushën e bujqësisë. Ai më tej shtoi se sektori privat në bujqësi ka potencial të madh për të shpërndarë fondet e dhëna nga BE për zhvillimin e sektorit. Rrapaj siguroi se do të vendosi të gjitha kapacitetet institucionale që ai koordinon në dispozicion për suksesin e procesit.
Florian Xhafa, ekspert i kapitullit 11, shpjegoi rrugën që Shqipëria duhet të ndjekë për zbatimin e Acquis dhe kapitujve përkatës. Ai nënvizoi se vetëm krijimi i institucioneve nuk mjafton, por një rol të rëndësishëm luan edhe adaptimi dhe mënyra se si strukturat e ndërtuara do të funksionojnë. Një aspekt tjetër i rëndësishëm, sipas Xhafaj, është hartimi i politikave nga Shqipëria në funksion të Kapitullit 11. Xhafaj theksoi se përzgjedhja e politikave për Kapitullin 11 duhet të paraprihet nga një analizë e kujdesshme e sektorit në nivelin makro dhe mikroekonomik në mënyrë që pas zbatimit të politikave në të ardhmen, mos të rezultojnë efekte negative për sektorin përkatës.
Nirvana Deliu nga Lëvizja Europiane në Shqipëri shpjegoi se Kapitullit 24 i është kushtuar vëmendje e veçantë që nga fillimi i Konventës, meqenëse temat e mbuluara në këtë Kapitull si migrimi dhe emigracioni i parregullt janë konsideruar si çështje me ndjeshmëri të lartë. Deliu nënvizoi bashkëpunimin e suksesshëm me institucionet e Ministrisë së Brendshme dhe Policinë e Shtetit për këto çështje për realizimin e aktiviteteve dhe sesioneve. Sipas saj, një fokus i rëndësishëm ka qenë dhënia e zërit për aktorët jo-shtetërorë në lidhje me temat e Kapitullit 24. Ajo theksoi rëndësinë e informimit dhe angazhimit të të gjithë aktorëve shtetërorë dhe jo-shtetërorë dhe aktivizimi i të gjitha kapaciteteve, duke konsideruar vështirësitë dhe sfidat që Kapitulli 24 shfaq.
Pas fjalimeve nga të dy panelet, Gledis Gjipali e mbylli aktivitetin duke ofruar një përmbledhje të rekomandimeve të hartuara gjatë të gjitha takimeve të Grupeve të Punës të Konventës të zhvilluara gjatë periudhës 2019-2021 – duke theksuar Kapitujt e mbuluar nga këto GP si Kapitujt 23, 24, 22, 11 dhe 12, 4 liritë e lëvizjes dhe Kapitullin 28 që trajton mbrojtjen e konsumatorit.
Sesioni Përfundimtar për Konventën Kombëtare për Integrimin Europian