Konventa Kombëtare për Integrimin Europian të Shqipërisë po kontribuon në rritjen e pjesëmarrjes të të gjithë segmenteve të shoqërisë shqiptare në formulimin e politikave kombëtare. Vëmendje e veçantë i kushtohet përpjekjes për integrimin europian të vendit, si dhe promovimin e bashkëpunimit të sektorit shtetëror me shoqërinë civile, me qëllim forcimin e kapaciteteve dhe aftësive që mundësojnë plotësimin e kritereve për integrimin në BE.
Duke e kuptuar Integrimin në BE jo thjesht si një axhendë institucionale, por si një projekt ambicioz zhvillimi i nxitur vazhdimisht nga shoqëria, roli i shoqërisë civile dhe qytetarëve aktivë dhe të angazhuar është thelbësore për promovimin e vlerave europiane dhe rritjes së ndërgjegjësimit të opinionit publik për ndikimin dhe përfitimet që sjell anëtarësimi i Shqipërisë në BE.
Qëllimet e Konventës Kombëtare për Integrimin Europian
- Institucionalizimi i debatit publik lidhur me çështjet e Bashkimit Europian, bazuar në partneritetin mes qeverisë, shoqërisë civile si dhe organizatave të biznesit.
- Forcimi i aftësive të ekspertëve dhe kapaciteteve të OSHC-ve në negociatat lidhur me Integrimin Europian;
- Angazhimi i aktorëve jo-shtetërorë dhe grupeve të interesit në hartimin e politikave kombëtare për çështjet lidhur me Integrimin Europian
- Krijimi i një kanali të përhershëm dhe ndëraktiv informimi për të gjitha segmentet e shoqërisë;
- Transferimi i eksperiencës europiane dhe rajonale në fushën e ndërtimit të institucioneve demokratike dhe dialogut të përhershëm profesional.
- Strukturimi i informacionit për BE-në, bazuar në interesat sektorale të segmenteve kyç të shoqërisë (përmirësimi i njohurive të përgjithshme dhe profesionale);
Ndikimi i Konventës Kombëtare për Integrimin Europian
- Krijimi i një forumi debati të qëndrueshëm, koherent dhe i strukturuar tematikisht, i fokusuar në marrëdhëniet mes BE-së dhe shtetit shqiptar
- Mbështetja e përpunimit të pozicionimit kombëtar dhe krijimin e konsensusit kombëtar në çështje specifike (përgatitje ndaj procesit të negociatave);
- Forcimi i kapaciteteve të qeverisë dhe OJQ-ve lidhur me procesin e integrimit europian;
- Përmirësimi i gatishmërisë së shtetit për integrim në strukturat ndërkombëtare.
Rezultatet e Konventës Kombëtare për Integrimin Europian
- Rekomandime politikash nga Seancat Plenare;
- Rekomandime politikash nga Sesionet e Grupeve të Punës;
- Publikime (rekomandime politikash: Seancat Plenare, mbledhjet e grupeve të Punës dhe rezultate nga kërkimet e ekspertëve të brendshëm);
- Krijimi i rrjetit të think-tank-eve në bashkëpunim me segmente të tjera të shoqërisë (qeverinë, sipërmarrësit, pushtetin lokal, etj), për çështjet e rendit të ditës të integrimit në BE.
Për periudhën 2023-2026 po mbështetet financiarisht nga Bashkimi Europian (IPA CSF 2021) në kuadër të projektit Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE që po zbatohet nga EMA në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Lirinë e Informacionit (CTFI).
Grupet e punës (GP): Janë formuar disa Grupe Pune tematikat e të cilëve lidhen në mënyrë direkte me procesin e integrimit në BE duke u fokusuar në dimensioned politike, teknike dhe ligjore të këtij procesi. Grupet aktive për periudhën 2023 -2026 janë grupet që përfshijnë pesë kapitujt e Grupimit 1 – Themeloret. 45 sesione të GP-ve po organizohen për periudhën 2023-2026, duke synuar të përfshijnë të gjithë aktorët të cilët nuk janë përfshirë/janë përfshirë pjesërisht në procesin e integrimit në BE, me fokus të veçantë nivelin lokal.
GP për Kapitullin 23: Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore;
GP për Kapitullin 24: Drejtësia, Liria dhe Siguria;
GP për Kapitullin 5: Prokurimi Publik;
GP për Kapitullin 18: Statistikat;
GP për Kapitullin 32: Kontrolli Financiar
Grupe të tjera të ngritura:
GP: Bujqësia dhe Mbrojtja e Konsumatorit (Kapitujt 11,12 dhe 28)
GP për Kapitullin 22: Politikat Rajonale dhe Koordinimi i Instrumenteve Strukturore
GP: Tregtia dhe Çështjet Ekonomike (Kapitujt 1,2,3,4 dhe 20)
GP për kapitullin 27: Mjedisi
******
Konventa në Shqipëri 2014-2016 dhe 2019-2023: Konventa në Shqipëri filloi në një moment të rëndësishëm – kur Shqipëria fitoi statusin e ‘shtetit kandidat’ (2014). Konventa i jep një vëmendje të veçantë përpjekjeve të Shqipërisë në integrimin në BE dhe promovon bashkëpunimin. Gjatë kësaj periudhe të Konventës janë organizuar 60 sesione të grupeve të punës dhe 5 sesione plenare gjatë të cilave rekomandime dhe konkluzione i janë dërguar institucioneve shtetërore, OJF dhe Organizata Ndërkombëtare, misioneve diplomatike në Shqipëri dhe Komisionin Europian.
Rreth Konventës
Ajo është një model unik i zhvilluar nga Slovak Foreign Policy Association gjatë periudhës 2003-2007, dhe është zgjeruar në vende të tjera si Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Gjeorgjia, Ukraina dhe Moldavia, falë mbështetjes së SlovakAid. Për periudhën 2014-2023 Konventa Kombëtare për Integrimin Europian në Shqipëri është mbështetur financiarisht nga SlovakAid dhe është zbatuar në bashkëpunim me Slovak Foreign Policy Association.
Mali i Zi – http://eukonvencija.me/en/o-nacionalnoj-konvenciji/
Serbia – http://eukonvent.org/
Maqedonia e Veriut– http://europeanmovement.org.mk/nkeu-mk/
Gjeorgjia – http://mikeladzefoundation.org/euconvention.html