Politikat e migrimit dhe azilit

Në 18 Korrik 2015, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), në partneritet me Slovak Foreign Policy Association, me mbështetjen e Ministrisë së Integrimit Europian dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, organizoi Sesionin e I të Grupeve të Punës me temë” Politikat e migrimit dhe azilit”.

Znj. Elona Gjebrea, Zv. Ministre e Punëve të Brendshme e konsideroi aktivitetin një projekt serioz duke vënë theksin tek rëndësia dhe roli i patjetërsueshëm i shoqërisë civile në procesin e integrimit të vendit dhe rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për ndikimin dhe përfitimet e procesit. Sipas znj. Gjebrea, Grupet e punës, duke sjellë rekomandimet e tyre, përbëjnë garanci për sukses dhe do të përmirësojnë punën e ministrisë prandaj ata do merren për bazë, ashtu sikurse rekomandimet e vetë Bashkimit Europian që nga ana tjetër përbëjnë një detyrim jo vetëm për Ministrinë e Brendshme, por për të gjitha instancat e tjera. Zv. Ministrja vlerësoi si suksese të deritanishme në kuadër të Kapitullit 24, miratimin e Ligjit të Policisë së Shtetit, Strategjinë Ndërsektoriale të Menaxhimit të Integruar të Kufijve, Strategjinë e Luftës ndaj Trafikimit të Personave, Aplikimin online “Raporto dhe Shpëto”. Brenda harkut kohor të 20 ditëve, do të prezantohet Profili i ri i Migracionit, për të cilin Znj. Gjebrea kërkoi bashkëpunimin e shoqërisë civile. Znj. Gjebrea ritheksoi se fenomeni i azil-kërkuesve vijon të mbetet shqetësues për Shqipërine dhe ashtu siç është thënë disa herë më parë, nuk do të ketë mundësi për azil-kërkuesit ekonomik që të marrin të drejtën për azil. Ajo dha mesazhin se shqiptarët e kanë vendin në Shqipëri dhe ata nuk duhet të bien pre e skemave të mashtrimit.

Z. Ilirjan Xhezo Drejtor i Politikave Sektoriale në Ministrinë e Integrimit Europian në Shqipëri, vuri gjithashtu theksin tek shoqëria civile si një partner themelor. Sipas z. Xhezo, mundësimi i pjesëmarrjes së shoqërisë civile është parakusht për një proces gjithëpërfshirës. Ai theksoi nevojën e një shoqërie civile të fortë dhe aktive për të përmbushur misionin e ndërmarrë nga Shqipëria në rrugën e integrimit europian.

Ekspertja nga Sllovakia, njëkohësisht Shefe e Zyrës së Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) në Sllovaki znj. Zuzana Vatralova, duke folur për politikat e emigrimit nga pikëpamja e Sllovakisë dhe mësimet e nxjerra nga vendi i saj, shpjegoi se Sllovakia para se të bëhej pjesë e BE-së, nuk kishte një kuadër të mirë-rregulluar ligjor sa i takonte politikave të migrimit. Ato filluan të përshtateshin pas anëtarësimit në Union në 2005. Para anëtarësimit në Sllovaki kishte probleme me azil-kërkuesit ku numëroheshin 12, 000 kërkesa për azil në një vit, ndërkohë që numri i tyre ka pasur një rënie të ndjeshme që pas anëtarësimit. Për znj.Vatralova politikat e emigrimit në Sllovaki sot, arrijnë t’i përmbushin të gjitha boshllëqet që ekzistonin më parë, duke përbërë një proces fleksibël dhe lehtësisht të menaxhueshëm. Sipas zj. Vatralova organizatat e shoqërisë civile kanë qenë të përfshira që në hapat e parë të Strategjisë së Migrimit duke luajtur rolin kryesor në këtë proces në Sllovaki.

Znj. Etleva Dyrmishi, Eksperte Migrimi, Ministria e Punës, Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, vlerësoi aktivitetet e hapura me shoqërinë civile sidomos për politikat e azilit, duke pasur parasysh që shumë shqiptarë janë të prekur drejtpërdrejt nga ky problem. Znj. Dyrmishi konkretizoi edhe politikat e Ministrisë së Punës, Mirëqenies Sociale dhe Rinisë duke shpjeguar se krahas Ministrisë së Punëve të Brendshme, në këtë Ministri përfshihen politikat për migracionin e rregullt dhe të parregullt. Të gjitha këto masa, sipas znj. Dyrmishi, do të ndërmerren duke zbatuar një parim të rëndësishëm sikurse është parimi kundër diskriminimit dhe trajtimit të barabartë.

Znj. Teuta Grazhdani, Drejtuese&Hartuese Projektesh, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin(IOM), Shqipëri, sikurse edhe pjesa tjetër e panelistëve theksoi inkurajimin e bashkëpunimit me shoqërinë civile. Duke u ndalur në një analizë për menaxhimin efikas të politikave të azilit, kryesisht në ato për emigrimin në Shqipëri u konsiderua ngërç për ecurinë e Shqipërisë mungesa e një qasjeje gjithë-përfshirëse dhe mungesa e një dokumenti gjithë-përfshirës. Qasja e politikave konkrete dhe prakitke për emigrimin dhe një dokument gjithë-përfshirës do të ishte një zgjidhje e parë sipas znj.Grazhdani. Duke folur edhe për Strategjinë e Ri-integrimit të Shtetasve u theksua nevoja e ofrimit të një paketë informuese më konkrete nga sportelet ndihmëse dhe informuese në vendin tonë, duke pasur parasysh edhe nevojat e grupeve vulnerabël. Fenomeni i emigrimit të të miturve ta pashoqëruar, të cilët i drejtohen vendeve të BE-së sipas znj. Grazhdani, po shndërrohet gjithashtu në një problem. Gjithashtu ajo konkludoi se legjislacioni ka ende nevojë të përmirësohet dhe të implementohet.

Paneli u shoqërua nga diskutime dhe rekomandime mes pjesëmarrësve nga institucione shtetërore dhe organizata të shoqërisë civile si IOM,UNHCR, ICMPD, RMSA, ARTI etj.