Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), në partneritet me Slovak Foreign Policy Association, me mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit, realizoi më datë 7 tetor 2015, në Elbasan, Sesionin e II të Grupit të Punës IV me temë ”Ndotja e Mjedisit në Shqipëri dhe Standardet Europiane”.
Z. Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri prezantoi rolin dhe qëllimin e Konventës për Integrimin Europian, për një bashkëpunim më të ngushtë mes institucioneve shtetërore, OJF-ve dhe grupeve të interesit. Ai e cilësoi Konventën dhe realizimin e takimeve si ura komunikimi dhe një proces impenjativ për progresin e mëtejshëm të anëtarësimit si dhe një mundësi për më shumë informacion, rritje të kapaciteteve dhe progres të reformave. Z. Gjipali theksoi se rekomandimet e nxjerra nga Grupet e Punës në këto sesione do t’u përcillen institucioneve kryesore shtetërore, si ministrive, por edhe përfaqësuesve të Delegacionit Europian në Shqipëri, për realizimin e masave konkrete dhe zhvillimin e reformave.
Znj. Holta Ymeri, Eksperte e Grupit të Punës nga EMA, bëri një prezantim të qartë dhe teknik mbi Ndotjen në Shqipëri, duke krahasuar legjislacionin shqiptar me atë të BE-së. Duke u bazuar mbi Raportin e vitit 2014 të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, ajo nënvizoi disa problematika të mëdha gjatë studimeve specifike të bëra për ndotjet e Ujërave, të Tokës dhe Ajrit. Znj. Ymeri u shpreh se një nga problemet kryesore është Menaxhimi i Mbetjeve, që është nën përgjegjësinë e Njësive Bashkiake, të cilat në shumicën e rasteve kontraktojnë aktorët privatë. Por sipas saj nuk ka një mirë-menaxhim të tyre, pasi teknika që përdoret më shpesh është ajo e groposjes, por e realizuar jo në thellësi të mëdha duke bërë kështu që mbetjet si ato spitalore, të mbeten një rrezik mjaft i lartë për qytetarët. Në pjesën e dytë të prezantimit të saj ajo u fokusua në shpjegimin e standardeve të BE—së dhe legjislacionit, duke analizuar dy direktivat mbi Mjedisin :
1) Direktiva e 2004, që rregullon përgjegjësinë civile dhe administrative të ndotësve, sipas së cilës nëse ndotja vjen si pasojë e aktivitetit ajo duhet të kompensohet dhe ndotësi ka përgjegjësi vetëm nëse ka faj. Gjithashtu kjo direktivë i jep të drejtë OJF-ve t’i kërkojnë shtetit të reagojë për aktivitete të tilla.
2) Direktiva e 2008, që e përfshin mbrojtjen e mjedisit në legjislacionin penal duke detyruar shtetet anëtare të BE-së të krijojnë listat e shkeljeve mjedisore, të cilat cilësohen si veprime kriminale. Këto direktiva, sipas znj. Ymeri, janë gjithashtu pjesë e legjislacionit shqiptar, duke e vlerësuar këtë të fundit si mjaft të pasur dhe që prek të gjitha elementet e mjedisit. Ai ka ligje specifike dhe ligje sektoriale për mjedisin, por problemi qëndron të zbatimi i këtij legjislacioni dhe te studimet për të dhënë informacion të saktë mbi shkallën e zbatueshmërisë së tij. Mjedisi sipas znj. Ymeri po afrohet gjithmonë e më shumë me të Drejtat e Njeriut, edhe pse ai nuk shihet drejtpërdrejt si një e drejtë, përsëri shumë problematika mjedisore sjellin shkelje të të drejtave të njeriut duke bërë që zgjidhja për mjedisin të jepet duke u bazuar në këto të drejta.
Më pas eksperti tjetër i Grupit të Punës së EMA-s, z. Florian Xhafa në fjalën e tij u fokusua në rëndësinë e mjedisit për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Në linjë me atë që u diskutua më sipër, ai e vlerësoi legjislacionin shqiptar si shumë të mirë dhe të përafruar me atë europian, por duke nënvizuar mangësi në zbatueshmëri. Sipas tij nuk ka mekanizma administrative dhe procedurale, duke e vështirësuar bashkëpunimin ndërinstitucional si dhe atë, brenda një institucioni. Z. Xhafa sugjeroi të vihet në zbatim parimi që “ndotësi paguan”. Veçoria e mjedisit sipas z. Xhafa qëndron në faktin që është ndër-territorial, pra i kalon kufijtë e një vendi dhe për këtë arsye BE-ja i jep rëndësi të veçanti atij, duke ofruar edhe grante për shtetet aspirante për të arritur standardet e duhura. Problemi në Shqipëri qëndron se nuk ka studime në nivelin mikro për të analizuar problemet, masat konkrete që duhen marrë, pasi mungojnë analizat statistikore dhe ato cilësore. Mungesa e këtij plani specifik dhe vullneti për ta realizuar atë, sipas z. Xhafa pengon marrjen e ndihmave financiare nga BE dhe ngadalëson gjithë procesin e anëtarësimit europian të Shqipërisë.
Pjesa e dytë u shoqërua me diskutime dhe debate mes ekspertëve të grupit të punës, përfaqësuesve të OJF-ve si dhe atyre të autoritete shtetërore. Gjatë diskutimit dolën në pah një serë problematikash që hasin sot autoritetet sidomos mbi zbatimin e vendosjes së gjobave , të cilat janë mjaft të rënda për subjektet që shkelin ligjet duke i bërë ato të pashlyeshme. Për shmangien e dënimeve dhe penaliteteve si zgjidhje , Grupi i Punës sugjeroi rritje të ndërgjegjësimit për mjedisin dhe lidhjen me të drejtat e njeriut, organizimin e fushatave sa më inovative për të nxitur qytetarët për mirëinformim, ndërgjegjshmëri dhe përfshirje.