Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), në partneritet me Slovak Foreign Policy Association, me mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit, realizoi në Fier, më datë 16 nëntor 2015 Sesionin e 3 të Grupit të Punës IV me temë ”Ndikimi mjedisor i zhvillimit të burimeve natyrore dhe politikat e BE-së për zhvillimin e qëndrueshëm”.
Z. Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri prezantoi arsyen e zgjedhjes së Fierit për realizimin e aktivitetit në kuadër të Konventës për Integrimin Europian. Përmendi faktin që ai mbetet një nga qytetet më të pasura me burime natyrore në Shqipëri sidomos me naftë dhe gaz natyror, por duke theksuar se politika e zhvillimit të burimeve natyrore ka sjellë shpeshherë dëmtime të mjedisit duke e bërë një nga qytetet që vuan më shumë nga problemet mjedisore. Nafta dhe gazi natyror mbeten dy burimet minerare më të rëndësishme të vendit, ku zona e Patos-Marinzës është fusha më e madhe e naftës në të gjithë Ballkanin. Sipas z. Gjipali, dy sfidat kryesore janë si zbatimi dhe mbrojtja e ligjeve, ashtu edhe rritja e ndërgjegjësimit tek qytetarët ashtu edhe tek institucionet përkatëse.
Z. Agron Basholli, Drejtor i Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit në Fier, mori fjalën e tij duke vlerësuar takimin si mjaft të rëndësishëm pasi problemet me mjedisin në Fier janë shumë të mprehta duke e vështirësuar punën e tyre të përditshme. Z. Bashollari theksoi se për institucionin e tij është mjaft e vështirë të zgjidhen problematikat e mjedisit, pasi mungojnë kapacitetet e duhura, mungon tradita në trajtimin e duhur të problemeve si dhe kualifikimet dhe trajnimet që mund të ndihmonin në përmirësimin dhe përgatitjen e stafit.
Në analizën e bërë nga znj. Holta Ymeri, eksperte e Grupit të Punës së EMA, u dha një pasqyrim i situatës së burimeve natyrore në Shqipëri dhe konkretisht në Fier, legjislacionit ku mbështetet procedura e prodhimit të burimeve të tilla, si dhe sfidat që hasen nga parimi i zhvillimit të qëndrueshëm dhe detyrimeve të BE-së. Sipas znj. Ymeri, Edhe pse Shqipëria është e pasur me burime natyrore, përsëri legjislacioni ku mbështetet për nxjerrjen dhe përpunimin e tyre është mjaft i vjetër, duke përmendur: -Ligjin 7746 të vitit 1993 për Hidrokarburet (Kërkimi dhe Prodhimi), i cili përmban disa parime të përgjithshme por që nuk përfshin rregulla të qarta teknike mbi procedurën e prodhim-kërkimit, përdorimit të teknologjisë apo mbrojtjes së mjedisit; Ligji 10 304, datë 15.7.2010. për Sektorin Minerar në Republikën e Shqipërisë.
Këto ligje nuk përputhen me detyrimet e nxjerra nga Bashkimi Europian, duke nxjerrë si një sfidë të vërtetë procesin e hartimit të ligjeve të reja të përafërta me direktivat europiane. Ekspertja e Grupit të Punës nënvizoi që veprimtaria e zhvillimit të burimeve natyrore është e mangët në Shqipëri pasi nuk mbështetet në 3 aspektet e rëndësishme të Zhvillimin të Qëndrueshëm: atë ekonomik, shoqëror dhe mjedisor. 1)Ekonomik- pjesa më e madhe mineraleve në Shqipëri shfrytëzohet nga kompani private duke përfshirë edhe Bankers Petrolium në zonat e Patos-Marinzës dhe Kuçovës, ndërsa kompania shtetërore nxjerr dhe përpunon një përqindje të vogël, dhe së dyti sipas ligjit 7746, shteti përfiton vetëm 15% të naftës nxjerrë nga kompanitë private, vlerë kjo e krahasueshme me vendet e Afrikës por jo me standardet europiane. 2) Shoqëror- Nuk ka struktura shoqërore apo shëndetësore të ndërtuara si pasojë e këtyre aktiviteteve. Përkundrazi banorët e zonave të naftës apo minatorët e minierave ankohen shpesh se jeta e tyre është në rrezik për shkak të këtyre aktiviteteve.3) Mjedisor- Ndotja është një shqetësim në këto zona, siç është rasti i zonës Patos-Marinzë, ku nafta derdhet në lumin Gjanicë që shkarkohen në Adriatik duke dëmtuar faunën dhe florën.
Z. Juraj Mesik, Ekspert nga Sllovakia mbi Mjedisin dhe Energjinë, prezantoi politikat dhe objektivat për një zhvillim të qëndrueshëm dhe sfidat që po përballet sot Europa dhe bota në lidhje me mjedisin dhe ndryshimet klimaterike. Sipas tij është e rëndësishme që çështja e mjedisit të zhvillohet edhe pse kjo mund të cilësohet si proces i kushtueshëm, pasi sipas tij e ardhmja me një mjedis të ndotur do të jetë edhe më e kushtueshme. Më pas ai shpjegoi se fusha e burimeve natyrore mbetet problematike për t’u zgjidhur pasi dhe korrupsioni është më i madh aty, kështu që duhet më shumë punë dhe bashkëpunim për të arritur rezultate pozitive. Z. Mesik më pas u fokusua në strategjitë që përdor Bashkimi Europian për mbrojtjen e mjedisit, të cilat mund të përdoren dhe pranohen edhe nga politikat e shtetit shqiptar si. 1) Taksimi dhe Subvencionet. 2) Vlerësimi i Impaktit Mjedisor bazuar në dy direktiva kryesore të BE-së : Direktiva 2011/92/EU dhe Direktiva 2001/42/EC, e njohur si Strategjia e Impakti Mjedisor. 3) Strategjia 20-20-20, që ka si qëllim të uli me 20% emetimin e dioksidit të karbonit, dhe të rrisë po me 20% eficiencën energjetike si dhe përdorimin e energjisë së rinovueshme deri më 2020.
Në përfundim panelistët diskutuan me pjesëmarrësit, ku në fokus ishte lidhja mes zhvillimit të qëndrueshëm dhe mjedisit për një zhvillim të ekonomisë dhe sektorëve si turizmi, transporti etj. Gjatë diskutimi u vu theksi mbi rëndësinë e hartimit të një legjislacioni të plotë dhe projekteve dhe politikave në përputhje me direktivat e BE-së dhe parimet e zhvillimit të qëndrueshëm.