Mbrojtja e Mjedisit nëpërmjet Legjislacionit Penal

Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), në partneritet me Slovak Foreign Policy Association,  me mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit dhe Ministrisë së Integrimit Europian, realizoi më  datë 16 dhjetor 2015, Sesionin e fundit të Grupit të Punës IV me temë “Mbrojtja e Mjedisit nëpërmjet Legjislacionit Penal”.

Znj. Mona Xhexhaj, Koordinatore e Konventës për Integrimin Europian pranë Lëvizjes Europiane në Shqipëri, bëri një hyrje dhe vlerësim të sesioneve të zhvilluara deri më tani nga Grupi i Punës së Mjedisit, çfarë është arritur dhe çfarë pritet nga takimi i fundit. Pasi prezantoi fokusin e Konventës për Integrimin Europian duke përmendur bashkëpunimin me partnerët sllovakë, ajo theksoi që qëllimi kryesor i Konventës është krijimi i urave të bashkëpunimit, një dialogim i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm mes institucioneve shtetërore, shoqërisë civile dhe grupeve të interesit në kuadër të integrimit të Shqipërisë në BE. Sipas znj. Xhexhaj tre sesionet e mëparshme u fokusuan në problematikat kryesore që ka fusha e mjedisit në Shqipëri, si legjislacioni dhe zbatimi i dobët i tij, arritja e standardeve europiane, menaxhimi dhe bashkëpunimi ndërinstitucional për mbrojtjen e mjedisit, si dhe një mungesë presioni i vazhdueshëm nga media e organizatat jo-qeveritare. Duke vënë në dukje karakterin gjithpërfshirës të Konventës, sesionet e kaluara nuk janë fokusuar në Tiranë por edhe në qytete të tjera ku mjedisi merr vlerë dhe rëndësi të veçanti, siç është qyteti i Elbasani ku është zhvilluar sesioni i Dytë mbi ndotjen mjedisore dhe qyteti i Fierit ku u realizua takimi i tretë për zhvillimin e qëndrueshëm të shfrytëzimit të burimeve natyrore.

Më pas fjalën e mori znj. Erinda Misho, përfaqësuese e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit e cila u fokusua më shumë te objektivi dhe veprimtaria e agjencisë, si autoriteti kompetent për përcaktimin e kushteve për lejet përkatëse të mjedisit i krijuar në kuadër të ligjit mbi “Mbrojtjen e Mjedisit” nr. 10431, datë 9.6.2011. Të tjera funksione të rëndësishme përfshijnë edhe hartimin e Programit Kombëtar për Monitorimin e Mjedisit dhe monitorimin e gjendjes së mjedisit, përgatitjen dhe publikimin e raporteve vjetore për gjendjen e mjedisit, krijimin dhe menaxhimin e Regjistrit të Shkarkimit dhe Transferimit të Ndotësve, sigurimin e informacionit mjedisor për publikun etj. Risi sipas znj. Misho është edhe realizimi i Regjistrit të Shkarkimeve dhe Transferimit të Ndotësve, ku janë përpunuar dhe hedhur raportet e vetë-monitorimit për vitin 2015 deri më tani për 444 subjekte. Gjithashtu është përgatitur, miratuar dhe publikuar online Programi i Transparencës, si dhe përditësohet çdo tre muaj Regjistri i Kërkesave për Informacion dhe Përgjigjeve ku deri më tani ka pasur 25 kërkesa. Si përfundim ajo përmendi arritjet e bëra nga AKM gjatë vitit 2015 si realizimi i hartave për cilësinë e ujërave, vendndodhjen e stacioneve për treguesit si ajri, zhurmat apo pyjet, të subjekteve të pajisur me leje A, B në qarkun e Tiranës dhe i HEC-ve që janë të pajisur me licencë. Në fund znj. Misho theksoi që AKM ka si qëllim transparencën dhe kërkon t’i japë mundësi publikut të aksesojë lehtësisht dhe të përdorë informacionet dhe raportimet, publikimet që ky institucion realizon. Gjithashtu ajo u shpreh që një bashkëpunim më i gjerë mes aktorësh të ndryshëm është i nevojshëm për përmirësimin e politikave dhe procedurave në fushën e mjedisit.

Znj. Holta Ymeri, Eksperte e Grupit të Punës filloi analizën e saj me anë të krahasimit mes legjislacionit të Bashkimit Europian dhe atij shqiptar mbi mjedisin duke theksuar që mbrojtja e mjedisit në BE por edhe në vende të tjera të zhvilluara ka arritur standarde të larta ndryshe nga Shqipëria që është ende shumë mbrapa në këtë aspekt. Gjithsesi ajo theksoi se një lajm pozitiv është iniciativa për të realizuar një projektligj për forcimin dhe ndryshimin e legjislacionit penal shqiptar në mbrojtje të mjedisit, duke uruar që kjo do të rrisë ndjeshmërinë dhe ndërgjegjësimin ndaj mjedisit dhe mbrojtjes së tij. Për eksperten e Grupit të Punës, politikat e BE-së për mjedisin kanë si objektiva garantimin e cilësisë së ujit, ajrit dhe tokave dhe uljen e ndotjeve, mbrojtjen e natyrës më atë krijimit të rreth 26 mijë zonave të mbrojtura natyrore dhe rritjen e përdorimit të energjisë së gjelbër. Një nga risitë në fushën e mbrojtjes së mjedisit për vetë BE-në ka qenë Direktiva 2008/99/EC që përfshin një listë shkeljesh mjedisore që duhen të trajtohen si krime mjedisore dhe dënohen si vepra penale. Për këtë duhet plotësuar disa kritere: 1)duhet të jetë veprim i paligjshëm, 2) i kryer me dashje 3) apo të paktën me faj të rëndë. Por shoqëritë tregtare në emër të të cilave shkaktohen këto dëme dënohen me dënime të tjera si masa administrative, gjoba, pezullim, heqje të drejtë për të lidhur kontrata me shtetin etj. Ndryshe paraqitet Kodi Penal shqiptar ku në asnjë moment nuk përmendet ndotja e tokës dhe dëmet ndaj tokës, kafshëve dhe bimëve, por nenet 201 dhe 203 përfshijnë vetëm ndotjen e ajrit. Një tjetër mangësi është që ndryshe nga Direktiva e BE-së që parashikon veprimtaritë e rrezikshme, Kodi Penal në Shqipëri nuk ka asnjë ligj që të rregullojë veprimtari të tilla. Kodi penal është shumë i kufizuar dhe nuk ka shtrirje dhe për çështje të tjera që përfshijnë peshkimin, prerjen e pyjeve apo menaxhimin e mbetjeve toksike dhe radioaktive duke e bërë pothuaj të pamundur mbrojtjen e mjedisit dhe rregullimin e tij. Gjithashtu në shembullin e marrë nga një rast shpërthimi nafte në Meksikë dhe duke e krahasuar me rastin e shpërthimit të puseve të naftës në Fier, u vu re që masat e marra nga shteti shqiptar ishin shumë të lehta dhe nuk ka pasur transparencë dhe informacion rreth mbarëvajtjes së çështjes dhe procedurave që duhen ndjekur. Në Meksikë nga ana tjetër firma u dënua si me gjobë ashtu dhe me ndjekje penale duke u akuzuar për krime mjedisore.

Z. Ondrej Koporec, Ekspert i Krimit mjedisor dhe substancave KBRN pranë Ministrisë së Brendshme në Republikën Sllovake analizoi me detaje legjislacionin penal në Sllovaki si mbështetet ai në atë Europian dhe fokusi ndaj mbrojtjes së mjedisit. Ai nënvizoi që vetëm para 7 vitesh në Sllovaki u vlerësua si një rrezik i madh krimi mjedisor, i cili në më të shumtën e rasteve është i motivuar nga përfitimi ekonomik, pasi ul kostot dhe nuk ka sanksione të rënda. Në 2010 ku BE kërkoi zbatimin e Direktivave nga Sllovakia, ata e refuzuan sepse vlerësonin se ligji i tyre ishte i mjaftueshëm. Por në vlerësimin e BE-së në 2014 u vu re që legjislacioni sllovak kishte mangësi: pasi disa veprime që për BE-në cilësohen të paligjshme, ligji sllovak nuk parashikonte masa si dhe duhen ndryshuar dënimet për disa veprime të paligjshme. Legjislacioni i BE-së ndihmoi ligjin sllovak për t’u përmirësuar në fusha të caktuara të mbrojtjes së mjedisit. Ndër krimet më të zakonshme në Sllovaki sipas ekspertit janë prerja dhe vjedhja e drurëve, gjuetia e paligjshme dhe dëmtimi i florës dhe faunës. Sipas z. Koporec, është i rëndësishëm Vlerësimi i Dëmit Mjedisor që është mbledhja e dëmit ekologjik me dëmin e aseteve. Dëmi ekologjik mund të përcaktohet drejtpërdrejtë nga ligji apo rregullore te tjera, por mund të përdoret opinioni profesional dhe në raste shumë të komplikuara mund të merret dhe opinioni i një eksperti. Po e rëndësishme është që të jetë e mirëpërcaktuar në ligj pasi në këtë mënyrë është më e lehtë për të vendosur dhe hartuar kriteret e vlerësimit. Dëmtimi i aseteve lidhet drejtpërdrejtë me humbjen e aseteve apo të drejtave plus kostot e restaurimit apo kthimit në gjendjen e mëparshme. Për dëmtimin dhe rrezikimin e Mjedisit dënimi mund të shkojë deri n 3 vjet dhe një shkelës mund të dënohet deri në 8 vjet nëse dëmtohen zonat e mbrojtura mjedisore. Sipas të dhënave të z. Koporec rreth 15 raste të dëmtimit mjedisor ka në Sllovaki çdo vit. Por ka disa problematika në lidhje me ndjekjen e çështjeve mjedisore në rrugë penale, duke përfshirë: -vështirësinë për të identifikuar dëmtuesit, -mungesa e interesit të policisë dhe prokurorëve për çështje të tilla, -bashkëpunimi mes agjencive të ligjit është shumë i ulët- si dhe niveli i lartë i korrupsionit që ndikon në mos-ndalimin e keqbërësve kur dëmtohet mjedisi.

Më pas takimi vazhdoi me diskutimet me pjesëmarrësit të cilët shprehën shqetësimet e tyre mbi mbrojtjen mjedisore në Shqipëri dhe përpjekjet që duhen bërë që situata të ndryshojë. U diskutuan disa rekomandime si krijimi i Kodit Mjedisor, të rriten masat ndëshkuese në raste të dëmtimit mjedisor, të rriten kapacitetet ekspertëve dhe hetuesve të krimit mjedisor si dhe një forcim bashkëpunimi ndërinstitucional.