Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) dhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë, në partneritet me Slovak Foreign Policy Association dhe mbështetjen financiare të Slovak Aid, zhvilluan më 28 korrik 2021, sesionin e katërt të GP II – Drejtësi, Liri, Siguri (Kapitulli 24) në kuadër të Konventës Kombëtare mbi Integrimin Europian në Shqipëri. Fokusi i këtij sesioni ishte harmonizimi i legjislacionit të BE -së në fushën e së drejtës penale. Profesorë dhe ekspertë të fushës folën për rrugën, detyrat dhe sfidat me të cilat Shqipëria do të përballet gjatë këtij procesi.
Nirvana Deliu nga Lëvizja Europiane në Shqipëri moderoi sesionin dhe në fjalën e saj hapëse falënderoi pjesëmarrësit dhe partnerët që kanë kontribuar në realizimin e Konventës dhe njoftoi se seancat e GP 2 do të rifillojnë gjatë vjeshtës 2021. Deliu nënvizoi rëndësinë e Kapitulli 24 në procesin e Integrimit për Shqipërinë dhe theksoi se fushat e trajtuara në këtë kapitull janë të një rëndësie delikate.
Dr. Aida Gugu Bushati, eksperte ligjore për BE-në, në prezantimin e saj bëri një përmbledhje të Kapitullit 24 të Acquis të BE-së në kuadrin e së drejtës penale dhe bashkëpunimit gjyqësor. Ajo nënvizoi se, ndryshe nga e drejta civile, e drejta penale do të përballet me vështirësi në harmonizimin me legjislacionin e BE-së dhe kërkon një kohë më të gjatë për t’u materializuar. Bushati theksoi se Shqipëria gjatë procesit të Negociatave duhet të ndryshojë vazhdimisht legjislacionin për ta harmonizuar atë me atë të BE-së, të përgatisë kuadrin administrativ dhe të forcojë agjencitë ligjzbatuese. Sipas saj, nga Shqipëria do të kërkohet një performancë e nivelit të lartë në fushën e menaxhimit të kufijve, në luftën kundër korrupsionit, krimit dhe drogës, etj. Më tej në prezantimin e saj, ajo u fokusua në bashkëpunimin gjyqësor dhe bazën ligjore, ku shtyllat kryesore janë rregulluar në Traktatin e Funksionimit të Bashkimit Europian (TFBE), përkatësisht në nenet 82-86 TFBE për bashkëpunimin gjyqësor dhe nenet 87-89 TFBE për bashkëpunimin policor. Bushati shtoi më tej se parimet kryesore për të materializuar bashkëpunimin gjyqësor janë parimi i njohjes reciproke dhe procesi i përafrimit të legjislacionit. Në fund, ajo përfundoi duke theksuar sfidat që e presin Shqipërinë, ku vendi duhet të vazhdojë të punojë në çështje që lidhen me bashkëpunimin gjyqësor në çështjet penale, në trajnimin e trupës së gjyqësorit, në zhvillimin e teknologjisë së informacionit, etj. Ajo gjithashtu përmendi institucionet e BE-së të krijuara dhe nevoja për të zhvilluar më tek struktura të tilla si Zyra e Prokurorisë Publike Europiane (EPPO), Agjencia e Bashkëpunimit Europian për Bashkëpunimin me Drejtësinë Penale (Eurojust) dhe Rrjeti Gjyqësor Europian në Çështjet Penale (EJN).
Prof. Dr. Altin Shegani, Lektor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës, ekspert për harmonizimin e legjislacionit penal shqiptar në fushën e veprave penale e përqendroi prezantimin e tij në veprat penale me qëllime terroriste. Si fillim ai dha një pasqyrë të evolucionit normativ në Shqipëri në fushën e veprave penale kundër rendit publik, ku nënvizoi rëndësinë e Paketës Ligjore të 26 shkurtit 2007 në luftën kundër terrorizmit. Sipas tij, ligjvënësi shqiptar ka arritur të hartojë një legjislacion të mirëmenduar në fushën e veprave penale kundër rendit publik duke zgjeruar kufijtë e formave të inkriminimit, i cili është në përputhje me legjislacionin e BE-së. Shegani përfundoi me një pasqyrim të rezolutave dhe masave të marra nga Këshilli i Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme brenda BE-së, të cilat konsistojnë në sanksione për personat fizikë dhe juridikë të cilët janë të lidhur me grupe të ndryshme terroriste.
Prof. Ass. Dr. Ervin Karamuço, Lektor ne Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës theksoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla në kuadër të procesit të negociatave me BE-në. Sipas Karamuços, është me rëndësi që konceptet e harmonizimit të legjislacionit të BE të përshtaten sa më mirë në kontekstin shqiptar. Karamuço u shpreh se Shqipëria është e papërgatitur për krime si rezultat i ritualeve okulte, qoftë në aspektin institucional apo edhe atë akademik ku ka mungesë informacioni rreth këtyre krimeve. Gjithashtu dhe Kodi Penal nuk është i kompletuar në këtë fushë. Ai më tej shtoi se është shumë e nevojshme të krijohet legjislacion i ri në lidhje me këto krime, dhe vetëm pas krijimit të një legjislacioni të ri mund të arrihet harmonizimi me rezolutat dhe direktivat e BE-së. Më tej në diskutimin e tij, Karamuço u përqendrua në krimet e urrejtjes, ku nënvizoi se legjislacioni shqiptar është ende i paplotë, megjithëse ka direktiva dhe rezoluta për krijimin e një legjislacioni të ri. Së fundi, ai preku dhe çështjen e detektivit privat, ku sipas tij, edhe pse aktiviteti i këtij të fundit ofrohet në një masë të gjerë në vendin tonë, ky profesion nuk është i rregulluar në legjislacionin shqiptar. Sipas tij, është gjithashtu e nevojshme për sistemin gjyqësor dhe organet ligjzbatuese, konsolidimi i veprimtarisë së detektivit privat në legjislacionin shqiptar, në ndihmë të sigurimit të provave për çështje të caktuara.
Diskutim i hapur: Pyetje u ngritën nga pjesëmarrësit në lidhje me përdorimin e termit terrorizëm dhe lidhjen e tij me termin “refugjat”. Komentet në lidhje me krimet e urrejtjes dhe grupet e veçanta të vlerësuara si viktima të synuara të krimeve të tilla ishin gjithashtu pjesë e diskutimit të këtij sesioni.
Aktivitetin mund ta gjeni këtu: Grupi i Punës II, Sesioni 4