Më 21 korrik, 2021, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) dhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë, në bashkëpunim me Slovak Foreign Policy Association dhe me mbështetjen financiare të Slovak Aid, organizuan sesionin e dytë të Grupit të Punës II (Drejtësia, Liria dhe Siguria) në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian , me temë: “Trajtimi i çështjeve të refugjatëve – programi i kuotave në BE dhe Sllovaki – mësimet e nxjerra për Shqipërinë”.
Nirvana Deliu, hulumtuese politikash nga Lëvizja Europiane në Shqipëri, falënderoi pjesëmarrësit dhe shpjegoi shkurtimisht objektivat e Konventës Kombëtare për Integrimin Europian. Deliu vuri në dukje se një pjesë thelbësore e Konventës janë Grupet e Punës të krijuara për të diskutuar mbi Kapitujt e Acquis dhe për të fituar përvojë nga ekspertë të vendeve të tjera. Për më tepër, ajo prezantoi një studim që EMA ka kryer në lidhje me Politikat e Integrimit të Migrantëve në Shqipëri, duke përmendur se në disa fusha politikat kombëtare janë të favorshme, si bashkimi familjar apo mundësia për të përfituar shtetësinë, por në fusha të tjera, si arsimi, shëndetësia, pjesëmarrja politike politika dhe masat për të mundësuar procesin e integrimit të të huajve janë të mangëta.
Dr. Enkelejda Koka nga Universiteti Europian i Tiranës mbajti një prezantim mbi migrimin e parregullt, dhe u shpreh se për një periudhë të gjatë kohore migrantët kanë përdorur rrugë detare të pasigurta me anije të mbipopulluara për të lëvizur. Ajo deklaroi se që nga viti 2011, një numër i lartë anijesh me migrantë që kërkojnë të shpëtohen kanë mbërritur në ujërat ndërkombëtare. Anijet qeveritare ose private që i përkasin shteteve kufitare të BE-së kanë detyrimin ligjor për t’iu përgjigjur thirrjes për shpëtim, e më pas duhet që ata të zbarkohen në një zonë të sigurt.
Situata e Covid-19 u përdor nga Malta, Libia dhe Italia për të shpallur portet e tyre të pasigurta duke ndaluar anijet me flamurë të huaj që shpëtojnë migrantët e parregullt për të zbarkuar atz. Këto veprime shkelin të drejtën për azil, të drejtën për jetë, të drejtën për të shpëtuar dhe parimin e mos-kthimit. Më 10 prill 2020, më shumë se 150 njerëz u bllokuan në det duke pritur të zbresin në një port të sigurt. Ata u shpëtuan nga anija e OJQ-së Sea-Eye. Migrantët e parregullt u detyruan të hidheshin në ujë pasi u penguan nga milicia libiane duke qëlluar drejt anijes së tyre. Në ditët e sotme, OJQ -të duhet të marrin leje nga qeveria e Maltës ose Italisë dhe ato janë të lejuara vetëm nëse vendet e tjera bëjnë marrëveshje për transferimin e tyre. Këto veprime shkelin parimet kryesore: 1) të drejtën për kujdes adekuat mjekësor (qasje të barabartë në kujdesin shëndetësor dhe 2) të drejtën për t’u shpëtuar.
Alzbeta Kvasnickova nga Zyra e Migracionit e Republikës Sllovake u shpreh se sistemi sllovak i azilit bazohet në Konventën e lidhur me Statusin e Refugjatëve të vitit 1951 (Konventa e Gjenevës) dhe protokollin në lidhje me Statusin e Refugjatëve të vitit 1967 (Protokolli i Nju Jorkut ). Republika Sllovake ka miratuar përkufizimin e refugjatit në përputhje me nenin 1a të Konventës së Gjenevës. Kvasnickova sqaroi se brenda procedurës së azilit Sllovakia ndjek instrumentet ndërkombëtare dhe europiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe me dy Traktatet kryesore të BE -së: TBE dhe TFBE. Sa i përket legjislacionit sllovak, dokumenti më thelbësor i rëndësishëm në fushën e azilit është Kushtetuta e Republikës Sllovake. Në Sllovaki i vetmi organ shtetëror përgjegjës për procedurën e azilit është zyra e migracionit. Ajo më pas shpjegoi termat si azil, mbrojtje shtesë, azil në baza humanitare në kontekstin e ligjit sllovak dhe atij europian. Ajo ofroi një tablo të detajuar të kuadrit institucional dhe të procedurës ligjore që ndiqet për dhënien e azilit dhe parimet kryesore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.