Konventa e Aarhus-it dhe situata në Shqipëri

Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), në partneritet me Slovak Foreign Policy Association, me mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit, realizoi më datë 28 korrik 2015 Sesionin e I të Grupit të Punës 6 me temë ”Konventa e Aarhus-it dhe situata në Shqipëri”.

Z. Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri shpjegoi funksionimin e grupeve të punës në kuadër të Konventës për Integrimin Europian, duke i konsideruar grupet e interesit dhe rekomandimet e tyre në të tilla tryeza si një vlerë të shtuar të këtyre projekteve. Sipas z. Gjipali pjesëmarrësit do të kenë mundësi të informohen mbi panoramën e qartë të problematikave të fushës së mjedisit.

Në fjalën e tij hyrëse, Z. Redi Baduni, Drejtor i Drejtorisë së Mjedisit në Ministrinë e Mjedisit duke u përqendruar tek realizimet e detyrave të Shqipërisë në rrugën e integrimit në familjen europiane, renditi arritjet pozitive të Ministrisë së Mjedisit në këtë kuadër, duke u përqëndruar sidomos tek iniciativa për sensibilizimin e qytetarëve lidhur me çështjet e mjedisit përkundrejt të cilave ata janë gjithnjë të ndjeshëm, ashtu edhe sensibilizimin e njësive lokale. Ai përmendi gjithashtu edhe bashkëpunimin me REC Albania dhe Ministrinë e Drejtësisë, në nismën e informimit dhe trajnimit të studentëve të shkollës së Magjistraturës mbi çështjen ligjore të mjedisit, realizimin e paketës ligjore për krimin mjedisor, si dhe rritjen e vendimmarrjes së drejtpërdrejtë të opinionit publik apo organizatave të tjera në proceset që lidhen me mjedisin.

Duke trajtuar Konventën e Aarhusit si mjaftueshëm ambicioze, znj. Holta Ymeri, Eksperte e Grupit të Punës IV, shpjegoi në mënyrë të detajuar tre shtyllat kryesore të Konventës: të drejtën për akses në informacionin mjedisor, aksesi në drejtësi për çështjet mjedisore dhe pjesëmarrja e publikut të interesuar në vendimmarrjet mjedisore. Duke qenë pjesë e kësaj konvente, Shqipëria ka ligje të cilat rregullojnë dhënien e informacioneve për çështjet mjedisore ashtu sikurse edhe ligje të cilat rregullojnë aksesin në gjykatë jo vetëm të personave fizik por edhe të organizatave të cilat kanë interes. Këto ligje përfshijnë ligjin “Mbi Mbrojtjen e Mjedisit” apo ligji “Për të Drejtën e Informimit “si dhe ai i “Vlerësimit të Impaktit Mjedisor” ku sanksionohen të drejtat e personave për informim ndaj çështjeve mjedisore. Megjithatë sipas znj. Ymeri ekzistojnë probleme që shkojnë përtej vullnetit të palëve e ku mund të ndikojë drejtpërdrejt edhe faktori ekonomik.

Z.Vangjel Kosta, anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në pozicionin e një juristi dha kontributin e tij mbi çështjen e aksesit në drejtësi. Z. Kosta e konsideroi Ligjin për Gjykatat Administrative (2012) një lehtësim në këtë drejtim, pavarësisht kushteve që duhet të përmbushë një subjekt i caktuar për t’u legjitimuar në momentin që i drejtohet kësaj gjykate. Ai renditi disa pengesa lidhur me aksesin në gjykata si: Procedurat, informacioni i duhur për t’iu afruar gjykatave apo kufizimet ekonomike. Ai ofroi dhe zgjidhje për këdo që kërkon ekspertizë ligjore duke përmendur Ligjin për Ndihmën Ligjore si dhe organizatat jofitimrurëse që ofrojnë shërbim ligjor falas. Në fjalën e tij, z.Kosta theksoi se ka më shumë raste mosveprimi të organeve shtetërore për të mbrojtur mjedisin, sesa veprime në dëm të mjedisit.

Përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, si institucioni i ekzekutimit drejtpërdrejt të politikave mjedisore me drejtori në 12 qarqe të vendit, shpjeguan se ky institucion ushtron veprimtarinë e tij duke u bazuar edhe në konsultat e realizuara me pjesëmarrjen e gjerë të publikut. Znj. Enkeleda Shkurta përmendi Programin Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit 2015, në krijimin e hartave mbi ajrin, zhurmat apo ujërat. Ajo prezantoi dhe fillimin e Programit të Transparencës ku çdo tre muaj do të publikohen të dhënat në portalin online.

Gjatë diskutimeve, z. Mihallaq Qirjo Drejtor i Qendrës Rajonale Mjedisore në Shqipëri, përmendi si problematike vështirësinë e qytetarëve dhe shoqërisë civile në marrjen e informacioneve për çështje sensitive. Për sa i përket perceptimit të publikut ai listoi disa të dhëna mbi nivelin arsimor dhe informimit të qytetarëve, të cilat do të jenë pjesë e studimit “Perceptimi i Publikut për Mjedisin”, që pritet të publikohet gjatë shtatorit 2015. Z. Qirjo sugjeroi që në raste dëgjesash publike të adresohet e targetohet grupi i interesuar për çështjen,duke paraqitur si shembull pozitiv në këtë aspekt TAP-in.