GP V (Kapitulli 20): Mjedisi i biznesit në Shqipëri – përditësimi i legjislacioni shqiptar dhe harmonizimi me Acquis e BE-së (Kapitulli 20), 17 qershor 2022

Në datë 17 qershor 2022 u mbajt tryeza e diskutimit për mjedisin e biznesit në Shqipëri, përditësimin e legjislacionit shqiptar dhe harmonizimin me Acquis e BE-së (Kapitulli 20).  Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian 2021-2023 nga EMA dhe Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian (KKIE) në bashkëpunim me Slovak Foreign Policy Association, me mbështetjen financiare të SlovakAid. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga institucionet shtetërore të linjës, përfaëqësues të misioneve diplomatike,, nga sektori i shoqërisë civile, dhe komuniteti i biznesit dhe universitetet. Aktiviteti u zhvillua në formantin hibrid, me pjesëmarrje fizike në mjediset e Hotel Tirana International dhe online në platformën ZOOM.

Takimi u hap nga Gledis Gjipali, Drejtor ekzekutiv i European Movement Albania (EMA), i cili u shpreh se në procesin e Integrimit Europian fokusi është vënë në çështjet politike, për këtë arsye nëpërmjet Konventës i jepet rëndësi drejtimit të vëmendjes në çështjet sociale e ekonomike në një aspekt më teknik. Konventa po integron komponentë të ndryshëm për të vazhduar dialogun me qëllim që të hedhë dritë mbi çështje të rëndësishtme, sikurse është tema që do të trajtohet në takimin e sotëm me fokus biznesin dhe masat që duhen ndërmarrë për të bërë një mjedis sa më të përshtatshëm për zhvillimin e tij.

Jorida Tabaku, Kryetare e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian (KKIE) si pjesë e takimit pati në fokus politikat industiale të përfshira në Kapitullin 20. Ajo u shpreh se këmbimi mes sekretariatit Teknik të Këshillit të Integrimit dhe shoqërisë civile është shumë i vlefshëm dhe theksoi se shoqëria civile luan një rol të jashtëzakonshëm në forcimin e këtij procesi. Përsa i përket përafrimit të legjislacionit shqiptar me legjislacioni e BE-së, sipas saj problem mbetet jo vetëm zbatimi i tij, por edhe mënyra si përkthehet ky legjislacion në jetën e përditshme. Tabaku solli shembullin e ligjit të vreshtarisë dhe u shpreh se prodhuesit gjykojnë se koha për ta zbatuar këtë ligj është 4 vite. Më tej gjatë fjalës së saj solli rastin e Serbisë dhe u shpreh se nuk është aspak mirë që Shqipëria të ketë një renditje aspak të favorshme dhe sipas saj kjo është e gjitha çështje politikash kombëtare. Ndër të tjera,  shprehu shqetësimin se akoma nuk e kemi një shembull të impaktit për të parë se si zbatohet ky legjislacion në praktikë. Takimi u vijua në formë diskutimi me pjesëmarrësit, ku Tabaku foli për ndikimet që do të ketë përafrimi i këtij ligji për  biznesin e vogël si një nga grupet e interesit që duhet të informohet dhe përfshihet në tema dhe çështje që lidhen me Kapitullin 20. 

Fjalën e mori Elda Zenelaj, Drejtore e Sekretariatit Teknik pranë KKIE, e cila shtoi se në këto dy vitet e fundit Sekretariati në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile kanë organizuar 6 aktivitete mbi sigurinë ushqimore, axhendën e gjelbër etj.  Zenelaj theksoi se është futur gjykimi ex-post dhe shumë shpejt edhe vendi ynë do të fillojë të shohë rezultatet e këtij përafrimi dhe e rëndësishme nuk është vetëm çështja e impaktit, por edhe monitorimi që do të bëhet lidhur me pjesën tjetër. 

Fjalën e mori Adriána Valášková, Drejtore mbi Sektorin e Zhvillimit të Mjedisit të Biznesit pranë Ministrisë së Ekonomisë në Sllovaki. Ajo e nisi prezantimin e  saj duke shpjeguar barrierat për të bërë biznes në Shqipëri si: Informaliteti, barra administrative, falimenti, vështirësitë administrative, ligjore etj. Veç të tjerash, Valášková nuk ngurroi të sillte dhe praktikat më të mira nga Sllovakia me fokus dhe procesin e hartimit dhe konsultimit në këtë kapitull. U ndal të fliste për Këshillin e Qeverisë së Republikës Sllovake për Konkurrueshmëri dhe Produktivitet, ku theksoi se detyra e tij themelore është të monitorojë, analizojë dhe vlerësojë produktivitetin dhe konkurrencën në republikën sllovake, veçanërisht në mjedisin e biznesit, inovacioni etj. Më tej gjatë fjalës së saj foli për rolin e aktorëve të biznesit në konsultime dhe ofrimin e rekomandimeve. Valášková theksoi se për çdo konsultim ftohen të jenë pjesë subjektet që janë drejtpërdrejt të prekura nga materiali i përgatitur dhe roli i këtyre subjekteve është të pajtohen ose të mos pajtohen me materialin, për të përcaktuar  se cilat janë pjesët me të cilat nuk bien dakord dhe të sugjerojnë zgjidhje të mundshme. Nga pjesëmarrësit pati interes të veçantë për rastin e Sllovakisë, evoluimin e procesit të integrimit, si edhe për vlerësimin e cilësisë, nëse parlamenti është i përfshirë ose jo në këtë proces dhe gjithashtu të dihej më shumë për masat që ato marrin dhe procesin e komentimit. 

Më tej, Gjipali shtoi se çdo gjë është e vlerësuar mirë në bazë të eksperiencave dhe këtu ka një rol shumë të rëndësishëm edhe shoqëria civile. Rasti i Sllovakisë është shumë interesant dhe është me shumë rëndësi jo vetëm në përafrimin e legjislacionit, por edhe për mënyrën e implementimit të tij. Gjipali gjithashtu theksoi rëndësinë e madhe të organizimit të tryezave të tilla sepse vërtet institucionet shkojnë drejt përafrimit formal, por është shumë e rëndësishme të shihet se si ndikojnë këto përafrime në praktikë.