
Në datë 11 maj 2022 u mbajt tryeza e diskutimit për informimin dhe ndërgjegjësimin publik mbi sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit: roli i institucioneve zbatuese përgjegjëse. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit SANECA – Komponenti i përfshirjes së shoqërisë civile, organizuar nga GIZ dhe European Movement Albania (EMA) dhe Konventës Kombëtare për Integrimin Europian. Aktiviteti u zhvillua në formantin hibrid, me pjesëmarrje fizike në ambientet e Xheko Imperial Hotel dhe online në platformën ZOOM.
Ky takim u hap nga Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i EMA, i cili falenderoi pjesëmarrësit dhe vuri në dukje se në këtë takim janë të përfshirë një grup më i gjerë pjesëmarrësish përtej anëtarësisë së tryezave të Platformës së Partneriteti, duke qenë se edhe çështja e standardeve dhe mbrojtjes së konsumatorit përfshin një serë institucionesh përgjegjëse dhe prek grupe interesi dhe aktorë me rëndësi.
Agim Rrapaj, Kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar dhe anëtar i tryezës së PPIE për Kapitullin 28, foli për sfidat e sektorit të agrobiznesit në Shqipëri, kostot e prodhimit, certifikimit, rolin e institucioneve publike për sigurimin e cilësisë ushqimore dhe bashkëpunimin e koordinimin ndërinstitucional. Z. Rrapaj solli në vëmënedje sfidat dhe problematikat e secilit prej sekrorëve të agrobiznesit në Shqipëri. Duke nisur me sektorin e agropërpunimit, ku u përqëndrua te prodhimi i grurit dhe mishit, duke vënë në dukje problemet e këtij sektori si: kostoja e lartë e prodhimit, përdorimi pa kriter i disa stimulantëve, favorizimi i konkurrencës së pandershme dhe informaliteti. Në sektorin e bujqësisë problem vijon të mbetet kostoja e lartë e prodhimit. Në sektorin e blegtorisë problem është ushqimimi i kafshëve, higjiena, informaliteti i lartë i prodhimit të mishit dhe qumështit, kostoja e lartë e prodhimit etj. Në vijim të prezantimit u fol për problemet në sektorin e peshkimit dhe bimëve mjekësore, ku vazhdon të ketë mangësi në procesin e ambalazhit dhe paketimit. Z. Rrapaj theksoi për rolin e rëndësishëm të institucioneve publike në garantimin e sigurisë ushqimore, duke u shprehur se shumë nga inspektoriatet ende nuk janë dixhitalizuar dhe sipas tij kjo është një praktikë që duhet ndryshuar. Rrapaj solli si shembull rolin e Agjensisë së Veterinerisë të krijuar së fundmi, duke u shprehur se operatorët e biznesit prisnin më shumë nga kjo agjensi dhe vëmendja duhet të përqëndrohet në forcimin e kësaj agjensie. Në përfundim të prezantimit fokusi u vendos në rëndësinë e bashkëpunimit dhe kooperimit të sektorit të biznesit dhe përgjegjësitë e tyre për sigurimin e informacionit dhe mbrojtjen e konsumatorit. Me interes nga pjesëmarrësit ishte të dihej më shumë rreth markimit të biznesit dhe patentave. Sipas z. Rrapaj kjo është shumë e rëndësishme, por aktualisht dy probleme të mëdha mbeten: çështja e financimit dhe çështja e legjislacionit dhe vëmendja duhet përqëndruar në kapërcimin e këtyre vështirësive.
Më tej prezantimi u vijua në formë diskutimi me pjesëmarrësit. Granit Sokolaj, Drejtori i Qendrës Alert, i cili theksoi se çështja e sigurisë ushqimore duhet të bëhet prioritet kombëtar, duke u shprehur se nuk eksportojmë produkte në shtetet europiane për shkak se këto shtete nuk kanë besim në sigurinë ushqimore shqiptare. Rrapaj solli shembullin e prodhimit të midhjeve, për të cilat ndikon imazhi negativ i krijuar më parë rreth sigurisë ushqimore të tyre që edhe sot e bën të pamundur për operatorët shqiptarë që ta eksportojnë këtë produkt në tregun europian.
Në vijim të takimit fjalën e merr Viera Baričičová, nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Sllovaki dhe eksperte e Konventës Kombëtare për Integrimin Europian. Ajo foli për kuadrin institucional të sigurisë ushqimore në Sllovaki duke sjellë një krahasim mbi mënyrën sesi ka qenë kjo siguri ushqimore në Sllovaki para dhe pas anëtarësimit në BE. Sllovakia është anëtare e Bashkimit Europian që prej vitit 2004 dhe para anëtarësimit të saj asnjë nga vendet nuk kishte përvojën e duhur në mënyrë që Sllovakia të mund të përfitonte. Në Sllovaki ligji për ushqimin u krijua në vitin 1995 dhe para vitit 2002 inspektimet bashkoheshin në një ligj të vetëm. Znj. Baričičová i njohu pjesëmarrësit me objektivat kryesore të ligjit të sigurisë ushqimore në Sllovaki si psh., garantimi i mbrojtjes së jetës njeëzore dhe shëndetit të konsumatorit. Ligji për ushqimin në Sllovaki është përmirësuar kur ky sistem u mbështet në sistemin e gjurmueshmërisë, kjo në parim ka të bëjë me mbrojtjen e konsumatorit. Baričičová nuk ngurron të sjellë këshilla edhe për Shqipërinë, duke u shprehur se është mirë që të vendoset një ligj sa më i thjeshtë për sigurinë ushqimore dhe të ketë gjithashtu një legjislacion dytësor më të detajuar. Duhet të ketë kompetenca të qarta mes institucioneve dhe është e rëndësishme që të përgatiten plane trajnimi të mirëstrukturuara.