GP II (Kapitulli 24): Bashkëpunimi gjyqësor në çështjet civile dhe tregare, 27 maj 2022

Në datë 27 maj 2022 u zhvillua Sesioni i parë i grupit të punës II (Drejtësia, Liria, Siguria) me temë ‘Bashkëpunimi gjyqësor në çështjet civile dhe tregare’, që po zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) në bashkëpunim me Slovak Foreign Policy Association, me mbështetjen financiare të SlovakAid. Ky sesion u organizua në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian për periudhën 2021-2023. Takimi u zhvillua online në platformën ZOOM.


Sesioni u hap nga Gledis Gjipali, Drejtor ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), i cili shprehu se tema e sotme është me shumë interes, edhe për faktin se nuk është trajtuar aq shumë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Gjipali theksoi se sesioni ka rëndësi, jo vetëm në kuadrin e integrimit europian të Shqipërisë, por edhe në vetë zhvillimin e sistemit gjyqësor dhe gjetjes së zgjidhjeve sa më të mira për qytetarët shqiptarë dhe europianë.
Denard Veshi, pedagog pranë Universiteti Bedër prezantoi fillimisht  legjislacionin në fuqi, njohjen e vendimeve gjyqësore në fushën civile dhe penale. Ai shprehet se si në të drejtën ndërkombëtare, ashtu në të drejtën e Bashkimit Europian dhe në të drejtën shqiptare ka një rëndësi bashkëpunimi në fushën civile dhe tregtare. Veshi e nisi prezantimin duke i njohur pjesëmarrësit me të drejtën ndërkombëtare, ku u ndal në dy traktate shumë të rëndësishme, Traktatin e vitit 1971 dhe atë të 2019. Ai u shpreh se fatkeqsisht këto traktate janë ratifikuar nga shumë pak shtete, ndërsa traktati i vitit 1971 është ratifikuar edhe nga Shqipëria. Në vijim të prezantimit u fol për një nga risitë që BE po bën vitet e fundit, siç është marrja pjesë në organizatat ndërkombëtare psh.: BE (jo vetëm shtetet europiane) është partner në konferencën e Agrës, në të Drejtën private ndërkombëtare. Veshi u shpreh se Shqipëria e ka shumë të rëndësishëm legjislacionin e Bashkimit Europian, edhe pse ende nuk jemi ende pjesë e tij. Në vijim u shpreh se kodet janë shumë të rëndësishme në legjislacionin shqiptar dhe kanë një forcë më të rëndësishme se ligji, kjo sepse aprovohen me tre të pestat e anëtarëve të parlamentit. Pra është shumë e rëndësishme të kuptohet se cilat janë organizmat që bëjnë të mundur njohjen e vendimeve në fushat civile e tregtare në vendet e ndryshme.
Në vijim të takimit  Ersi Bozheku, Avokat në Gjykatën e Lartë të Apelit, në Romë, Itali dhe Profesor në Universitetin e Romës, La Sapienza,  bëri një prezantim të kuadrit ligjor në Shqipëri, të institucioneve, të veprave penale në çështjet financiare, duke qenë se gjithnjë e më shumë kjo fushë po merr rëndësi dhe kërkon një trajtim sa më profesional. Sipas Bozhekut koncepti në të cilin jetojmë duket shumë solid dhe harmonik, por po ta shikojmë në mënyrë më të thellë konteksti europian është i komplikuar, jo vetëm për faktin se kemi popuj të ndryshëm, por sepse kemi legjislacione të ndryshme, si edhe formanti jurispudencial është totalisht i ndryshëm nga shteti në shtet. Kjo bën që Europa të quhet Bashkim Europian, por të mos kemi një shtet euopian sepse legjislacioni në këto vende mund të jetë i njëjtë, por mënyra e interpretimit të ligjeve në këto vende është e ndryshme. Kjo problematikë shikohet në zhvillimin konkret të legjislacionit në kontekstin europian, gjë që sjell edhe problemin e krijimit të vatrave që përdoren më pas nga organizatat kriminale për të realizuar aktivitetet e tyre. Më tej Bozheku shprehet se legjislacionet europiane duhet t’i përshateten kontekstit, duke marrë shembull legjislacionin shqiptar, i cili në planin leksikor i përgjigjet direktivave europiane, mirëpo nuk është i aftë për t’u implementuar dhe me këtë lloj problematike mund të haset edhe në fushën e të drejtave penale dhe ekonomisë. Bozheku shtoi se zgjidhja e problematikave do të ishte rritja e nivelit të kulturës në njohjen e ligjit, duke shtuar se duhet investuar në implemenitimin dhe ngritjen e institucioneve të forta në zbatimin e ligjit, duhet forcuar sistemi i tij, por përkrahë saj duhet rritur edhe niveli i formimit, si edhe niveli i Universiteteve sepse aty formohen dhe dalin gjeneratat e juristëve të rinj. Bozheku shprehet se nëse Shqipëria do që të bëjë një zhvillim konkret, atëherë prioritet do të ishte që të zhvishemi nga forma dhe të shikojmë substancën, përmbajtjen e gjërave, pra duhet bërë investim në formimin e juristëve dhe formimin konkret të administratës.
Fjalën e mori Miroslav Slašťan, Profesor në Departamentin e Drejtësisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Comenius në Bratislavë. Prezantimi i tij u fokusua kryesisht në çështjet civile dhe tregtare, duke sjellë edhe eksperiencën sllovake në çështjet gjyqësore. Slašťan gjatë fjalës së tij u ndal në ligjin ndërkombëtar privat të Bashkimit Europian, të drejtat dhe detyrimet e individëve. Sipas Slašťan kushti për aplikimin e këtij ligji është elementi ndërkombëtar dhe se gjithashtu është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi i gjykatave. Më tej Z. Slašťan nuk ngurroi që të japë rekomandime se si të kemi një bashkëpunim efektiv, si të rrisim kapacitetet dhe të forcojmë bashkëpunimin me këto struktura.