Më 22 korrik 2021, u zhvillua online në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe në partneritet me SFPA dhe GIZ Albania, sesionet për Grupin e Punës V – me fokus kapitullin 1,3, 20 dhe 28.
Zv. Ministri i Financave dhe Ekonomisë z. Besart Kadia vuri në dukje se Urdhri nr. 113 për Platformën ia cakton këtë detyrë Bordit Drejtues, që është organi më i lartë drejtues i tryezave të këshillimit. Ashtu siç percaktohet në urdhër Bordi Drejtues themelohet pasi janë ngritur tryezat e këshillimit për të gjithë kapitujt dhe pasi janë zgjedhur edhe përfaqësuesit nga grupet e interesit. Duke qenë se ky proces do të marrë më shumë kohë dhe duke pasur parasysh kërkesën e anëtarëve të tryezave për nevojën e të pasurit të disa rregullave, që do ta bënin efektiv bashkëveprimin, MFE ka hartuar një dokument të parimeve të funksionimit të tryezave si një masë e ndërmjetme deri në miratimin e rregullores nga Bordi Drejtues. Lidhur me panelet informuese z. Kadia u shpreh se marrja e përvojës dhe shembujve të mirë nga rajoni është shumë i rëndësishëm, pasi MFE e cilëson të rëndësishëm parnteritetin me grupet e interesit dhe dëshiron që ata të jenë të mirëinformuar dhe të angazhuar përgjatë rrugëtimit kompleks drejt anëtarësimit.
Z. Gledis Gjipali, Lëvizja Europiane në Shqipëri moderoi aktivitetin duke e vendosur theksin te nevoja për zhvillimin e aktiviteteve të tilla që ofron mundësinë për ndarjen e përvojave dhe eksperiencave mes aktorëve të interesit.
Panelet informuese për kapitujt 1, 3, 20 dhe 28.
Përvoja e Serbisë në procesin e bisedimeve për anëtarësim dhe bashkëpunimit me aktorët jo-shtetërorë.
Znj. Natasa Dragojlovic, Koordinatorja e Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian në Serbi shprehu kënaqësinë e saj që ishte pjesë e këtij aktiviteti dhe përmendi një përpjekje për të krijuar Konventën Rajonale për Integrimin Evropian duke mbledhur përfaqësues nga Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi. Ajo e konsideroi si një mundësi të shkëlqyeshme për të shkëmbyer pikëpamje dhe forcuar bashkëpunimin përpara hyrjes në BE. Dragojloviç shpjegoi se në 2014 kur Serbia hapi negociatat, Konventa Kombëtare u rivendos si një platformë e shoqërisë civile avokuese për integrimin në BE. Përveç mbulimit të 35 kapitujve të negociatave, grupet e punës mbuluan tema ndërsektoriale si programi i reformës ekonomike, zhvillimi i qëndrueshëm, liria e fjalës dhe medias, Procesi i Berlinit dhe kriteret politike. Gjetjet dhe rekomandimet citohen rregullisht në raportin e Komisionit Evropian për Serbinë dhe përdoren si një mjet për të vlerësuar cilësinë e reformave, që qeveria ndërmerr në lidhje me integrimin në BE. Ajo vuri në dukje se Grupet e Punës takohen rregullisht për të mbajtur monitorimin e vazhdueshëm të procesit të negociatave dhe për të siguruar që standardet e BE janë zbatuar siç duhet në Serbi. Dragojloviç foli shkurtimisht për Kapitullin 1 (Lëvizja e Lirë e Mallrave) ku Serbia mori:
– dy piketa hapëse në 2015, – planin e veprimit për harmonizimin me nenin 34, 36 me afatet kohore për rishikimin analitik të legjislacionit vendas dhe praktikave administrative.
– Një strategji dhe një plan veprimi me afate kohore për zbatimin e legjislacionit evropian, që përmban plane për zbatimin e legjislacionit vertikal dhe horizontal në fushën e standardizimit, akreditimit, metodologjisë dhe mbikëqyrjes së tregut. Procesi i konsultimit me BE-në është ende duke vazhduar me disa çështje në këtë kapitull.
Lidhur me Kapitullin 3 (E drejta e themelimit dhe liria për të ofruar shërbime) piketa e vendosur përcakton se Serbia – duhet të përgatisë një strategji të hollësishme për përafrimin me Acquis të BE-së në fushën e kualifikimeve profesionale. Ky kapitull nuk është hapur ende dhe një nga pengesat më të mëdha është mungesa e një ligji për shërbimet.
Kapitulli 20 (Ndërmarrja dhe Politika Industriale) është hapur në 2017 dhe për të finalizuar kapitullin Serbi – ka nevojë për të hartuar dhe filluar zbatimin e një strategjie gjithëpërfshirëse industriale. Grupi i punës rekomandoi – që transparenca e të gjithë personave juridikë duhet të rritet dhe ata duhet të përfshihen në miratimin e rregulloreve të biznesit.
Dragojloviç tha se Kapitulli 28 (Mbrojtja e Konsumatorit dhe Shëndeti Publik) është i rëndësishëm sepse lidhet drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve. Nuk kishte piketa hapëse për negociatat në këtë kapitull dhe kërkohej forcimi i mëtejshëm i kapaciteteve institucionale dhe harmonizimi i legjislacionit vendas. Së fundmi, ajo përmendi thirrjen e Konventës Kombëtare Serbe për institucionet e BE për të përfshirë Ballkanin Perëndimor në Konferencën e Ardhmërisë së Evropës.
Gjatë diskutimeve të hapura u bënë pyetje lidhur me materialet që grupet e punës shqyrtojnë përpara se të japin rekomandimet e tyre dhe procedurën që ndiqet.
Dragojloviç shpjegoi hap pas hapi procedurën e punës para se të jepte rekomandimet. Fillimisht Konventa lexon dhe analizon raportin e Komisionit Evropian për vendin. Më shumë se 760 organizata të shoqërisë civile pjesë e Konventës, kryejnë analizat e tyre në fusha të ndryshme dhe i vendosin të gjitha ato rezultate analitike në tryezë për grupet e punës. Hapi tjetër është konsultimi i gjetjeve me përfaqësuesit e institucioneve shtetërore dhe ministritë kryesore. Në një mënyrë ndëraktive, politikat diskutohen dhe më në fund rekomandimet i dërgohen qeverisë, parlamentit, BE-së dhe organizatave të shoqërisë civile. Dragojloviç shpjegoi se ata kanë kërkuar nga Kryenegociatori që shoqëria civile të ketë qasje në të gjitha dokumentet që shërbejnë si bazë për negociata. Shumë prej organizatave përdorin mekanizmin e Konventës Kombëtare si një burim informacioni për një dialog të drejtpërdrejtë me vendimmarrësit. Ajo përmendi se një herë në vit ata kanë një takim me presidentin e Republikës dhe takime me Kryeministrin në baza mujore në lidhje me tema të ndryshme.
Sesioni 1: Lëvizja e Lirë e Mallrave – praktikat e zbatimit para dhe pas anëtarësimit në BE
Martin Vlachynsky, nga Instituti i Studimeve Ekonomike dhe Sociale në Sllovaki (INESS) foli për lëvizjen e lirë të mallrave dhe praktikat para dhe pas pranimit në BE. Ai filloi prezantimin e tij me një sfond historik të situatës ekonomike të Sllovakisë para vitit 1989 kur fokusi ishte në industrinë e rëndë dhe NVM-të private ishin inekzistente. Pas vitit 1990 kishte një liberalizim të tregut, por pasi Çekosllovakia u nda, Sllovakia shkoi në një drejtim tjetër dhe u quajt “vrima e zezë në Evropë” për shkak të situatës politike. Një qeveri e re u zgjodh në 1998 (rizgjedhur në 2002) dhe filloi një sërë reformash ekonomike: rikapitalizimi dhe privatizimi i industrisë bankare, thjeshtimi i ligjeve tatimore, krijimi i shtyllës private të pensioneve, ndryshimet në kodin e punës dhe kursi luhatës i këmbimit. Vlachynsky shpjegoi zhvillimin e secilit kapitull para finalizimit duke theksuar se bujqësia mbeti një çështje e hapur deri në momentin e fundit. Lidhur me lëvizjen e lirë të punëtorëve ai tha se disa vende pranuan punëtorë sllovakë dhe të tjerë vendosën periudha të ndërmjetme. Nga ana tjetër, shoqatat industriale dhe aktorët e tjerë të lidhur me ekonominë kishin një kapacitet të ulët analitik. Ai shpjegoi se pas vitit 2004 kishte investime masive direkte të huaja (IHD) dhe një rritje të fortë të PBB-së. Stabiliteti i reformave pas anëtarësimit nuk ishte i mirë sepse ekzistonte një shtet i dobët i ligjit, mungesa e reformave në sektorin publik, arsimi shëndetësor etj. Për më tepër, Vlachynsky analizoi kronologjinë historike të IHD-ve dhe tregtisë duke thënë se Sllovakia ka pasur disa përparësi konkurruese (gjeografia, paga për punë të kualifikuar) ndërsa në ditët e sotme ka një ngadalësim të IHD-ve, përqendrim të eksportit dhe rritje të pjesëmarrjes së partnerëve tregtarë jo-BE.
Sesioni 2: – Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale – çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga eksperienca sllovake gjatë procesit të negociatave
Z. Martin Vlachynsky, nga Instituti i Studimeve Ekonomike dhe Sociale në Sllovaki (INESS) foli shpjegoi se anëtarësimi siguron funksionimin e ekonomive të tregut, eleminimin e faktorëve që rrezikojnë funksionimin e tregut të përbashkët dhe miratimin e rregulloreve dhe normave harmonizuese. Ai përmendi sfidat e Sllovakisë duke përfshirë vështirësitë në administrimin e Acquis, thellimin dhe shtrirjen e reformës dhe transformimin e ekonomisë, uljen e niveleve të larta të papunësisë dhe përballimin e të gjitha sfidave pa rrezikuar mbështetjen e publikut për zgjerimin. Anëtarësimi në BE ndryshoi industrinë e Sllovakisë nga energjia, tekstili, armët në teknologjitë e automjeteve dhe komunikimit. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) kanë probleme për të konkurruar në tregun e hapur dhe për të tërhequr investitorë dhe kanë një barrë të burokracisë së BE. Anëtarësimi në BE nuk ndihmoi me shumë probleme të bujqësisë, sepse nuk arriti të reformonte pronësinë jashtëzakonisht të copëtuar të tokës dhe kishte efekte demotivuese të pagesave direkte. Vlachynsky vuri në dukje se konvergjenca ekonomike është në vazhdim, si për sa i përket PBB-së dhe standardeve të jetesës dhe se shumica e pjesëve të ekonomisë sllovake kanë qenë në gjendje të lidhen me zinxhirët e vlerës globale. Ai shtoi se vendi mbetet mjaft tërheqës për IHD-të.
Gjatë diskutimeve të hapura pjesëmarrësit kërkuan dhe morën rekomandime në lidhje me përparësinë e zhvillimit rural dhe industrial.
Sesioni 3: – E drejta e vendosjes dhe liria për të ofruar shërbime – roli i aktorëve jo-shtetërorë në rregullat dhe procedurat e njohjes së kualifikimeve
Znj. Lucia Húšťavová, nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Sporteve në Sllovaki, Qendra për Njohjen e Diplomave dhe Kualifikimeve foli për të drejtën e themelimit dhe lirinë për të ofruar shërbime dhe rolin e aktorëve jo-shtetërorë në rregullat dhe procedurat për njohjen reciproke të kualifikimeve. Ajo shpjegoi se kjo e drejtë është e garantuar nga Traktati për Funksionimin e Bashkimit Evropian (TFEU). Direktiva e Kualifikimeve Profesionale (DKP) përcakton në cilat kushte një shtet anëtar mund të kufizojë qasjen në disa profesione (shërbime) nga ligji kombëtar bazuar në kualifikimet e profesionistit. Húšťavová deklaroi se në Sllovaki ekziston një njohje akademike (për vazhdimin e studimeve ose qëllime të tjera) dhe njohja e kualifikimeve profesionale (për ndjekjen e profesioneve të rregulluara). Ajo përmendi disa nga sfidat që ka hasur vendi në këtë fushë duke treguar që jo çdo profesion i rregulluar që ka një kërkesë kualifikimi të përcaktuar nga ligji kombëtar është një profesion i rregulluar sipas legjislacionit dhe gjykatës së BE. Pajtueshmëria e DKP duhet të sigurohet për të gjitha profesionet e rregulluara dhe ka disa autoritete për njohje. Koordinatori krijon, mirëmban dhe përditëson Databazën Kombëtare të Profesioneve të Rregulluara, siguron pajtueshmërinë e DKP dhe ligjeve të tjera të BE-së. Qendra e Ndihmës u ofron qytetarëve, si dhe qendrave të ndihmës të Shteteve të tjera Anëtare, ndihmë në lidhje me njohjen e kualifikimeve profesionale (mjet i rëndësishëm për shkëmbimin e informacionit midis Shteteve Anëtare: sistemi IMI – Sistemi i Informacionit të Tregut të Brendshëm). Húšťavová përmendi që aktorët e përfshirë mund të jenë kombëtarë ose evropianë. Për më tepër, ajo shpjegoi disa sisteme të njohjes. Në Sllovaki: Kualifikimi është një diplomë e arsimit të lartë, diplomë pasuniversitare, çertifikatë e lënies së shkollës së mesme ose çertifikatë e provimeve përfundimtare lëshuar nga një institucion i njohur arsimor në përputhje me legjislacionin e një vendi anëtar ose një shteti të tretë. Ajo sqaroi se sistemi i funksionimit të sigurimit të cilësisë (akreditimi) mund të kërkohet ende nga dokumente të tjera ligjore, për shembull në fushën e Arsimit të Lartë.
Për të gjithë anëtarët e tryezave të kapitujve 1, 3, 20 dhe 28 projekti SANECA në bashkëpunim me EMA kanë krijuar një pyetsor për të mbledhur nevojat për trajnime dhe sesione informimi lidhur me temat që mbulohen nga kapitujt në fjalë. Drejtuesja e projektit SANECA znj.Blerina Raça ftoi anëtarët që të plotësojnë pyetsorin dhe të shprehin të gjitha sugjerimet e komentet e tyre. Të dhënat do të shërbejnë për organizimin e tryezave tematike me anëtarët e PPIE. Po ashtu janë planifikuar aktivitete konkrete konsultimesh mbi akte të caktuara dhe me interes për përfaqësuesit e grupeve të interesit në tryezat e konsultimit.