Të martën më datë 20 dhjetor 2022, u zhvillua në Shkodër sesioni i tretë për Grupin e Punës V (Çështjet e Tregtisë dhe Ekonomisë) me temë “Barrierat në kuadër të ofrimit të shërbimeve dhe njohja e kualifikimeve profesionale me BE (Kapitulli 3)”. Ky takim u mbajt në sajë të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian, që zbatohet nga EMA dhe Slovak Foreign Policy Association (SFPA) me mbështetjen financiare nga SlovakAid. EMA në bashkëpunim me Shoqatën e Grave Profesioniste Afariste e Zejtare të Shqipërisë (SHGPAZ) bëri bashkë sipërmarrës, ekspertë dhe anëtarë të OSHC -ve për të diskutuar më në detaje mbi sfidat kryesore që has sektori i shërbimeve jashtë Shqipërisë.
Takimi nisi me një fjalim hapës nga Nirvana Deliu, Koordinatore pranë EMA, e cila bëri një përmbledhje të procesit të integrimit për Shqipërinë dhe punës së Konventës Kombëtare për Integrimin Europian. Organizimi i sesioneve të diskutimit në qytete të tjera vec Tiranës, është një nismë e EMA-s për të patur një proces gjithëpërfshirës, duke informuar të gjitha palët e interesit për zhvillimet më të fundit por edhe mikpritur rekomandimet nga ekspertët vendas dhe grupet e interesit.
Më pas fjalën e mori Flutura Xhabija, Presidente e SHGPAZ, e cila foli mbi vlerat dhe përfitimet e sesioneve të Grupeve të Punës për përgatitjen e bizneseve shqiptare në arritjen e standardeve europiane në përputhshmëri me legjislacionin e BE-së. Puna e SHGPAZ konsiston pikërisht në udhëzimin e sipërmarrësve mbi ndryshimet legjislative dhe përshtatjen me tregun europian. Megjithatë, Xhabija vlerëson se ekpertët shtetërorë dhe sllovakë në këtë tryezë sjellin mësime të vyera praktike të cilat do të lehtësojnë procesin e integrimit edhe për bizneset.
Ondrej Blažo, Drejtor i Institutit të së Drejtës Europiane në Universitetin Komenius Brastislavë, ishte i ftuar në këtë sesion në cilësinë e ekspertit për Kapitullin 3 të acquis të BE-së. Prezantimi i tij nisi me një përmbledhje të legjislacionit europian dhe garancitë që sigurojnë lirinë e ofrimit të shërbimeve. Blažo solli raste nga praktika e Gjykatës Europiane të Drejtësisë si dhe çështje të Komisionit Europian, për të evidentuar barrierat për ofrimin e shërbimeve në shtetet anëtare dhe praktika të tjera të ndaluara që Shqipëria duhet të shmangë. Më tej, ai foli mbi eksperiencën e shtetit sllovak gjatë procesit të negociatave dhe se si përshtatja me sistemin europian solli përfitime edhe për sipërmarrësit dhe ofruesit e shërbimeve vendas, si rritja e standardeve dhe krijimi i lehtësirave të tjera, veçanërisht për profesionet e rregulluara dhe për njohjen e kualifikimeve. Gjithashtu, eksperti u ndal të përmendte edhe disa mësime nga Sllovakia që mund të lehtësojnë procesin e transpozimit të direktivave europiane dhe rritur zbatueshmërinë e tyre.
Sesioni u përmbyll me një diskutim të hapur mes pjesëmarrësve mbi sfidat që operatorët e biznesit hasin në ofrimin e shërbimeve të tyre brenda dhe jashtë vendit. si dhe mungesa e ekpertizës lidhur me këto çështje. Të pranishmit sollën raste nga përvojat e tyre, për të evidentuar problemet më kyçe dhe për të gjetur zgjidhje të përbashkëta. Doli në pah nga ky diskutim nevoja për konsultime edhe me ekpertë vendas me aktorët kryesorë të këtij sektori për të ndihmuar në depërtimin e barrierave hyrëse të produkteve dhe shërbimeve shqiptare në tregun europian.