Të premten më datë 28 tetor 2022, u zhvillua në Pogradec sesioni i dytë për Grupin e Punës V (Çështjet e Tregtisë dhe Ekonomisë) me temë “Standardet për prodhimin e ushqimit tradicional dhe artizanal – përvoja sllovake (fokus në Kapitullin 1)”. Ky takim u mbajt në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian, që zbatohet nga EMA në bashkëpunim me Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe mbështetjen financiare nga SlovakAid.
EMA në bashkëpunim me SHGPAZ dhe Bashkinë e Pogradecit bëri bashkë sipërmarrës, ekspertë dhe anëtarë të OSHC-ve për të diskutuar mbi sfidat kryesore që has sipërmarrja për këto produkte në Shqipëri, mbështetja që mund të jepet nga institucionet publike dhe çfarë mund të përfitohet nga eksperienca europiane, më konkretisht nga ajo sllovake.
Takimi nisi me një fjalim mikpritës nga Nirvana Deliu, EMA, e cila bëri një përmbledhje të procesit të integrimit për Shqipërinë dhe rëndësinë e nismës për Konventën Europiane. Kjo përpjekje e EMA për organizimin e tryezave të diskutimit në qytete të tjera veç Tiranës, shkon krah me objektivin për gjithëpërfshirje të procesit të integrimit me anë të bisedimeve aktive dhe konsultimeve me palët e interesit.
Më pas fjalën e mori Flutura Xhabija, Presidente e SHGPAZ, e cila foli mbi vlerën e një tryeze të tillë për të trajtuar probleme dhe tematika praktike që sipërmarrësit në qytete të vogla si Pogradeci hasin. Ajo theksoi se sa e rëndësishme është të mësohet nga ekperienca sllovake për të fituar kohën në procesin për integrim dhe të arrihet zhvillimi i synuar.
Pjesa e parë e aktivitetit i nisi me një prezantim nga Manjola Kamolli, nënkryetare e Këshillit Bashkiak në Bashkinë Pogradec, e cila bëri një panoramë të situatës ekonomike të qytetit, objektivat e synuara nga pushteti lokal dhe arritjet e deritanishme. U fol mbi larmishmërinë e prodhimeve ushqimore dhe artizanale në qytet dhe sipërmarrësit vendas, me fokus në prodhimet tradicionale. Kamolli bëri një pasyqrë edhe të mbështetjes dhe lehtësirave që Bashkia Pogradec ka përfshirë në planin strategjik për të ndihmuar bizneset vendase. Këtu përfshihen disa lehtësira fiskale për bizneset e reja, mbështetja ndaj grave sipërmarrëse si një target grup i veçantë, apo dhe rritja e incentivave për ngritjen e start-ups, botimi i materialeve informuese, arritja e standardeve për produktet vendase, konsultime të rregullta me publikun për të adresuar kërkesa apo probleme që mund të hasen, etj. Fokus i veçantë iu kushtua objektivave të bashkisë për të ofruar ndihmë në marrjen e certifikimeve për marka apo patenta vendase, për të krijuar mundësi eksporti për prodhimet lokale, mundësi për të rinjtë e qytetit, për të sjellë inovacione, rritur efikasitetin dhe përfitueshmërinë për sipërmarrësit.
Pjesa e dytë drejtuar nga Inxh. Viera Baričičová, PhD, eksperte pranë Ministrisë së Bujqësisë në Sllovaki, u fokusua në shpjegimin e standardeve europiane për prodhimin dhe përgatitjen e produkteve ushqimore. Baričičová bëri një përmbledhje të historikut se si lindi nevoja për përcaktimin dhe mbrojtjen e treguesve gjeografikë, si dhe kuadrit ligjor të BE-së. Ajo foli mbi certifikimet e garancisë në BE dhe kriteret specifike që duhen plotësuar për marrjen e këtyre pullave, si dhe mundësinë për ekzistencën e tyre edhe në nivel kombëtar. Doli në pah se treguesit gjeografikë kanë një funksion të dyfishtë pasi funksionojnë edhe si mbrojtjës për pronësinë intelektuale të prodhuesve (pulla autenticiteti), dhe kanë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në negociatat tregtare ndërmjet BE-së dhe vendeve të tjera. Me shumë rëndësi ishin rastet e suksesit nga Sllovakia për marrjen e këtyre certifikatave, si dhe përvoja të tjera që Baričičová solli nga eksperienca si eksperte pranë Ministrisë në Sllovaki dhe puna në Kosovë.
Sesioni u përmbyll me një diskutim të hapur mes pjesëmarrësve mbi sfidat që operatorët e biznesit hasin në përmbushjen e standardeve, promovimin e produkteve të tyre si dhe mungesa e mbështetjes financaire dhe teknike. U sollën raste nga përvojat e të pranishmëve për të gjetur zgjidhje të përbashkëta. Ekspertja u përgjigj pyetjeve konkrete rreth skemave të subvencioneve në BE dhe shtetet anëtare, si funksionojnë ato, strategjitë vendase dhe ndarjen e fondeve. Këtu Baričičová u ndal të përmendte edhe fonde nga të cilat mund të përfitojnë vendet jo anëtare. Gjithashtu, u fol gjatë sesi mund të arrihet një bashkëpunim mes aktorëve të ndryshëm publikë dhe privatë për të fuqizuar sipërmarrësit dhe rritur vlerën e produkteve, ku theksi u vendos te një partneritet më i fortë mes Ministrive përkatëse, biznesit dhe pushtetit lokal.