Më 16 janar 2024 u mbajt Tryeza Themeluese për Kapitullin 5 – Prokurimi Publik në kuadër të Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian dhe Konventës Kombëtare për Integrimin Europian nga EMA në bashkëpunim me Agjencinë e Prokurimit Publik. Ky takim shënoi themelimin formal të Tryezës së PPIE-së për Kapitullin 5, ku u prezantuan dy dokumente strategjike përkatësisht Draft-Strategjia Kombëtare për Prokurimin Publik 2024 – 2030 dhe Plani i saj i Veprimit 2024-2027, si dhe Plani Kombëtar për Integrimin Europian 2024 – 2026 për Kapitullin 5 në prani të anëtarëve të tryezës, të cilët ishin përfaqësues të shoqërisë civile, sektorit privat të biznesit, akademisë dhe medias, të përzgjedhur në bazë të thirrjes së bërë në kuadër të tryezës.
Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i EMA-s dhe njëkohësisht moderatori i kësaj tryeze, në fjalën e tij hyrëse përshëndeti anëtarët e tryezës dhe pjesëmarrësit e saj, ku secili prezantoi organizatën apo institucionin përkatës që përfaqëson dhe rolin e tyre në vijimësi të mbarëvajtjes së këtij procesi. Gjipali po ashtu vuri theksin në rëndësinë që ka themelimi, ngritja dhe mbarëvajtja e këtyre tryezave në kuadër të Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian. Ndër të tjera, ai përmendi se do të ishte me vlerë dhe në të mirë të procesit të integrimit nëse do të kishte rritje të interesit dhe pjesëmarrjes aktive në lidhje me këto tryeza për çdo kapitull, ku rekomandimet dhe kontributi cilësor shihen me vlerë.
Reida Kashta, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Prokurimit Publik, mori fjalën duke theksuar se ndërkohë që diskutimi mbi problematikat e Kapitullit 5 vazhdon, duhet të konsiderojmë sensitivitetin që mbart ky proces në vetvete. Qëllimi i këtij procesi është që të krijohet një sistem prokurimi i qëndrueshëm dhe transparent. Në kuadër të këtij tranzicioni kemi dy procese paralele të hartimit të akteve ligjore, ku së pari është hartimi i Strategjisë së parë Kombëtare për Prokurimin Publik dhe njëkohësisht aktet dytësore, të cilat do të reflektojnë ndyshimet e ligjit dhe rezultatet nga entet kontraktuese. Gjithashtu Kashta pohoi se prioritetet në fushën e Prokurimit Publik u bënë të qarta në lidhje me kontekstin shqiptar dhe në procesin screening, të cilat duhet të reflektohen dhe në plan-veprimet e ardhshme me masat e parashikuara që do të ndërmerren.
Daniela Laze, Përgjegjës i Sektorit të Zbatimit të Politikave Strategjike dhe Statistikës, Agjencia e Prokurimit Publik, bëri prezantimin e Draft-Strategjisë për Prokurimin Publik 2024 – 2030 dhe Planit të Veprimit 2024-2027, ku u nënvizua se është strategjia e parë e hartuar me Urdhërin e Kryeministrit nr.77; datë 27.06.2023, dhe njëkohësisht do të hartohet një raport monitorimi për vitin 2023. Kjo draft-strategji ka 5 qëllime kryesore ku fokusi është krijimi i një sistemi prokurimi publik efiçent dhe të qëndrueshëm; përmirësimi i kuadrit ligjor për koncesionet dhe Partneritetin Publik-Privat; riorganizimin e prokurimeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë; blerjen e përqendruar; si dhe përmirësimin e sistemit të shqyrtimit dhe kontrollit të ankesave. Po ashtu Laze vuri theksin te vizioni i formulimit të kësaj strategjie, pra promovimin dhe avancimin drejt një qasje moderne në bazë të katër parimeve thelbësore të prokurimit publik, sipas praktikave më të mira ndërkombëtare. Përsa i përket ‘Treguesëve të Performancës’, strategjia ka si direktiva 5 indikatorë të cilët do të luajnë një rol kyç në rritjen e transparencës në këtë drejtim, të cilët janë: promovimi i konkurrencës; promovimi i pjesëmarrjes së SME-ve në procedurat e prokurimit; cilësi më e mirë për mallra, punë dhe shërbime; rritja e përdorimit të kritereve mjedisore dhe sociale; rritja e eficiencës së sistemit të ankesave nëpërmjet rritjes së shpejtësisë në vendimmarrje. Në përfundim, ajo përmendi gjithashtu se janë ndërmarrë 3 politika kyesore me qëllime të qarta veprimtarie ku ndër to mund të përmendim: krijimin e një procesi të prokurimit publik eficient dhe efektiv; një sistem prokurimi i qëndrueshëm, mjedisor, social, dhe inovativ, si dhe integriteti dhe ligjshmëria e prokurimeve publike. Ajo e mbylli prezantimin e saj duke theksuar se është një punë e gjatë dhe e lodhshme në vazhdim, e cila do të kërkojë impenjim, transparencë dhe rinovim të brendshëm të ideologjive.
Geri Pilaca, Përgjegjës i Sektorit të Integrimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë, Agjencia e Prokurimit Publik, i cili prezantoi Planin Kombëtar për Integrimin Europian 2024 – 2026 për Kapitullin 5, i cili po përgatitet në zbatim të nenit 70 të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe përfshin aktet ligjore të parashikuara për t’u miratuar nga institucionet shqiptare për një periudhë 3-vjeçare të cilat përafrojnë direktiva dhe rregullore të BE-së, si dhe standardet më të mira europiane dhe ndërkombëtare. Pilaca informoi se në vitin 2023, u shpall Programi Kombëtar për Aderimin në Bashkimin Europian (PKABE), një dokument tjetër që synon harmonizimin e dispozitave rregullative vendase me acquis të Bashkimit Europian duke përfshirë masat politike, ligjore, dhe investimet e nevojshme për zbatimin efektiv të tij duke funksionuar si instrument kryesor programues në procesin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Përsa i përket hartimit të PKIE 2024 – 2026, institucionet përgjegjëse kanë patur në vëmendje të veçantë angazhimet e marra në kuadër të procesit screening tashmë i përmbyllur dhe të gjitha rekomandimet e kryera nga Komisioni në projektraportin screening dhe raporti i fundit i Komisionit Europian. Pilaca bëri me dije se është ngritur edhe Grupi Ndërinstitucional i Punës për Integrimin Europian (GNPIE) për Kapitullin 5, i kryesuar nga APP dhe i përbërë nga disa institucione shtetërore, të cilat kanë si fokus arritjen e përmbushjes së masave të parashikuara në PKIE në periudhat e planifikuara me një ndarje kohore katërmujorëshe. Pilaca e mbylli fjalën e tij duke drejtuar vëmendjen drejt faktit që ky plan ka një afat-shtrirje 3 vjeçare dhe si i tillë ka shumë pika për t’u përmbushur, dhe padyshim që të gjithë aktorët si shtetërorë dhe ata jo-shtetërorë duhet të përkushtohen për realizimin e këtij plani.
Anëtarët e tryezës u aktivizuan duke shprehur rekomandimet e tyre dhe duke bërë diskutime mbi koncesionet, prokurimet në sektorin shtetëror dhe privat, përfshirjen e shoqërisë civile dhe zhvillimi i eventeve gjithëpërfshirëse, Planeve të integritetit, nxjerrjen e akteve ligjore në kuadër të rritjes së transparencës së procesit, si dhe krijimin e databazave funksionale dhe produktive. Diskutimi gjithashtu u shtri mbi dixhitalizimin e përdorimin e inteligjencës artificiale në sektorin e prokurimit publik, mbi kontrollin dhe rregullimin e prizmit legjislativ për Kapitullin 5, luftën ndaj korrupsionit dhe ndërlidhjen e sektorëve me njëri-tjetrin me synim përmirësimin e performancës dhe arritjes më të suksesshme të realizimit dhe zbatimit të këtyre dokumenteve strategjike.