GP IV, Sesioni 4: Rregullat e prokurimit nën programet e zhvillimit rajonal, 7 qershor 2021

Më 7 qershor 2021 u mbajt Sesioni 4 i Grupit të Punës IV me temë: “Rregullat e prokurimit nën programet e zhvillimit rajonal”. Ky event u zhvillua nga EMA, ADF në bashkëpunim me Slovak Foreign Policy Association dhe me financimin e SlovakAid.

Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i EMA përshëndeti pjesëmarrësit dhe foli mbi rëndësinë e këtij sesioni të fundit për grupet e interesit. Në kuadër të Konventës për Integrimin Europian ky grup pune ka nxjerrë rekomandimet e nevojshme nga 3 sesionet e mëparshme. Udhëzimet lidhen me sfidat e kapitullit 22, forcimin e kapaciteteve administrative, hartimin e dokumenteve strategjikë, masat anti-korrupsion dhe unifikimin e prioriteteve të zhvillimit rajonal dhe ekonomik.

Ermal Ilirjani nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (ADF) u shpreh se procesi i prokurimit është një element i rëndësishëm i zbatimit të Programit Operacional të Zhvillimit Rajonal dhe Kohezionit. Ai bëri me dije se ky proces është një model që i jep më shumë hapësirë në zbatim atyre që deri më sot janë konsideruar si përfitues në investimet që kryhen nga buxheti i shtetit. Modeli i BE i sheh bashkitë, komunitetet apo shoqërinë civile si implementues duke i dhënë më shumë përgjegjësi në angazhimin e projekteve konkrete. Ilirjani u shpreh se prokurimi sipas shembullit të BE sjell një set rregullash që kërkojnë parapërgatitje kapacitetesh.

Florian Xhafa, theksoi në fjalë e tij se zhvillimi rajonal është një nga elementët kryesorë që mbulohet nga Kapitulli 22 i Acquis së BE. Shqipëria si vend kandidat është përfituese e programit IPA dhe në marrëveshjen kuadër me BE, referohen rregulloret për Kapitullin 22. Xhafa sqaroi se edhe pse për këtë kapitull vendit tonë formalisht nuk i kërkohet  transpozimi i  Acquis, futja e rregulloreve të BE në legjislacionin shqiptar është e domosdoshme. Më tej, ai u shpreh se të gjitha programet e zhvillimit kanë tre hapa ndjekës të njëri-tjetrit, të cilët janë:  1. Procesi i programimit 2. Procesi i monitorimit dhe raportimit dhe  3. Procesi i vlerësimit. Së fundmi, Xhafa tha se rregullorja financiare është e detyrueshme për një menaxhim korrekt të fondeve të dhëna nga BE.

Vladimír Benč, eksperti sllovak e nisi prezantimin e tij duke shpjeguar bazat e procedurave të prokurimit publik (PP). Sipas tij, Autoritetet Menaxhuese dhe Trupat e Ndërmjetëm në Sllovaki e kanë rritur monitorimin pasi korrupsioni haset më së shumti në etapat fillestare të këtij procesi. Benč dha një panoramë të përgjithshme të Sllovakisë si një nga vendet e para europiane ku është miratuar legjislacioni lidhur me PP. Ai shpjegoi se prokurimi publik është i centralizuar dhe se ekziston një zyrë e posaçme shtetërore administrative për të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Benč foli gjithashtu për sistemin elektronik kombëtar të prokurimit publik i cili publikon të gjitha të dhënat dhe informacionet për grupet e interesit. Më tej, eksperti shpjegoi mënyrën dhe rregullat që duhet të ndjekin aplikuesit. Autoriteti menaxhues kontrollon përputhjen me parimet e PP duke respektuar barazinë, ndalimin e diskriminimit, transparencën dhe efiçencën ekonomike. Benč shpjegoi se kontrollet e prokurimit publik ushtrohen për të siguruar një shpërndarje të frytshme të fondeve nga administrata publike sipas rregullave të BE dhe në përputhje me Kontratën Siguruese të Grantit. Kontrolli i parë (first ex ante control ) bëhet pas firmosjes së kësaj kontrate dhe para publikimit të PP. Kontrolli i dytë (second ex ante control) kryhet në fazën e tenderimit, ndërsa kontrolli i tretë (standard ex post control) bëhet PP pasi ka qenë subjekt i kontrollit të dytë. Dhe në fund kryhet kontrolli i rregullimeve dhe ndryshimeve që mund të pësojnë kontratat me kalimin e kohës. Pjesë e prezantimit të Benč ishin edhe treguesit që mund të lënë hapësira për korrupsion si: konflikti i interesit, ndarja e kontratës në disa pjesë, aplikimi i procedurave të përshpejtuara, kërkesa të përshtatura për të favorizuar një nga tenderuesit, numri i ulët i aplikantëve, ndryshimet e bëra menjëherë pas firmosjes së kontratës etj.

Diskutimet: Pyetjet kryesore u ngritën mbi mënyrën e diferencimit të sistemit kombëtar dhe atij europian në vendet anëtare të BE-së për prokurimin publik, ngërçin që mund të krijohet në Shqipëri pasi pranohet oferta me çmimin më të ulët ndërsa në vendet europiane oferta më e mirë për PP dhe së fundmi situatën në tërësi në vendin tonë.

Sesioni 4, Grupi i Punës IV (Fondet Strukturore)