GP III, Sesioni 5: Themelimi, organizimi dhe funksionimi i rrjetit të të dhënave të kontabilitetit në fermë (FADN) – praktikat më të mira nga Sllovakia”, 22 qershor 2021

Më 22 qershor 2021, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në partneritet me Slovak Foreign Policy Association dhe me mbështetjen financiare të SlovakAid organizuan sesionin e fundit të Grupit të Punës III – Zhvillimi Rural dhe Mbrojta e Konsumatorit.  Fokusi i këtij aktiviteti ishte te themelimi, organizimi dhe funksionimi i rrjetit të të dhënave të kontabilitetit në fermë (FADN) si dhe praktikat më të mira nga Sllovakia.

Florian Xhafa, anëtar i bordit të drejtorëve të EMA foli mbi rëndësinë e kësaj teme në vendin tonë, aktorët e përfshirë dhe strukturën që duhet ngritur. Ai u shpreh se nevojitet një rikonceptim i ligjit përkatës për më shumë rezultate konkrete. Xhafa, theksoi se Shqipëria ka shumë për të mësuar nga praktikat e vendeve të tjera duke filluar nga mënyra e hartimit të politikës, amendimin e ligjit përkatës si dhe ngritjen e nje sistemi efektiv e të zbatueshëm në terren. Ai shtoi se vendi ynë mund t’i shtrijë masat përfituese nga program IPARD vetëm me përmbushjen e këtyre objektivave.

Lauresha Grezda, Drejtore pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bëri me dije se FADN ka qenë pjesë e rekomandimeve në raportin e Komisionit të BE-së për vendin tonë dhe se puna për krijimin e këtij sistemi ka filluar. Ajo tha se duhet forcuar fryma e bashkëpunimit mes institucioneve të përfshira në këtë çështje. Grezda përmendi hartimin e dy dokumenteve kryesore, ku i pari ka të bëjë me Strategjinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Peshkimit. Dokumenti i dytë lidhet me IPARD III dhe është në fazën e konsultimit për sa i përket studimeve sektoriale. Ajo e përmbylli fjalën e saj duke theksuar rëndësinë e eksperiencës sllovake dhe duke vlerësuar ngritjen e këtyre tryezave.

Frantisek Huska, nga FADN në Sllovaki u ndal në të gjitha hallkat e procesit të mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave duke theksuar se edhe atje institucioni përgjegjës është Ministria e Bujqësisë.  Më tej, Huska sqaroi se FADN ka një plan përzgjedhje në të cilin bëhet shtretëzimi i fermave sipas klasave ekonomike dhe llojit. Në vijim, ai shpjegoi hapat që ndiqen për mbledhjen e të dhënave. Fillimisht kontraktohen fermerët që duan të bashkëpunojnë ose ata që kanë kontrata të mëparshme bashkëpunimi për të plotësuar një pyetësor. Të dhënat e mbledhura mund të jenë informacione të përgjithshme për punët, tokën, gjënë e gjallë, prodhimin etj. Këto të dhëna raportohen në databazën e FADN nga fermerët për kontrolle dhe verifikime të mëtejshme. Në rast raportimesh të sakta, fermerët marrin një pagesë dhe të dhënat transferohen në programin kompjuterik të DG-AGRI RICA 1. Në përfundim të prezantimit të tij, Huska dha disa udhëzime specifike për Shqipërinë.

Diskutimet: Pyetje të shumta u ngritën mbi mënyrën e riorganizimit të strukturave në vendin tonë, dhe krijimin e një komiteti kombëtar lidhur me këtë çështje. Vëmendje të veçantë mori dilema nëse të dhënat e mbledhura për statistikë duhet të ndahen me autoritetet fiskale. Në rastin e FADN për të mbledhur informacione sa më të sakta fermerët sigurohen që ato nuk do të jenë pjesë e sistemit fiskal. Nga ana tjetër, në rast se FADN ka interes të dhënat që ka grumbulluar mund t’i krahasojë me ato që kanë autoritetet fiskale.

Aktivitetin e plotë mund ta gjeni këtu: “Themelimi, organizimi dhe funksionimi i rrjetit të të dhënave të kontabilitetit në fermë (FADN) – praktikat më të mira nga Sllovakia”