U mbajt më 15 qershor 2021 sesioni 4 i Grupit të Punës III në kuadër të Konventës organizuar nga EMA, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në partneritet me SFPA dhe me mbështetjen e SlovakAid. Aktiviteti u fokusua te skemat e mbrojtjes dhe promovimit të cilësisë së produkteve – treguesi gjeografik dhe emërtimi i origjinës.
Florian Xhafa, anëtar i bordit të drejtorëve të EMA u shpreh se legjislacioni lidhur me temën është duke ndryshuar dhe institucionet duhet të jenë të vëmendshme ndaj zhvillimeve të fundit. Ai tha se Shqipëria ka një ligj të posaçëm dhe dispozita për markat dhe patentat për produktet bujqësore por ka akoma vend për përmirësim. Xhafa bëri me dije se hapësirat procedurale duhet të rregullohen njësoj si në vendet europiane pasi mundësojnë daljen në treg me aftësi konkurruese të produkteve shqiptare (mbrojtja e origjinës). Më tej, ai sqaroi se ka pasur një iniciativë të Ministrisë së Bujqësisë në kuadër të programit IPARD për ngritjen e Grupeve Lokale të Veprimit për shfrytëzimin e instrumenteve që jep BE për komunitetet.
Lauresha Grezda drejtore pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural falenderoi të pranishmit dhe vlerësoi vazhdimin e ngritjes së tryezave në kuadër të Konventës dhe procesit të negociatave. Ajo theksoi se kuadri ligjor lidhur me treguesin gjeografik dhe emërtimin e origjinës ka përfunduar. Për më tepër, ligji për standardet e cilësisë dhe regjistrimi i produkteve tradicionale ndiqet në mënyrë të rregullt nga ministria. Grezda tha se është hasur vështirësi në formimin e grupeve dhe promovimin edhe pse aktivitetet kanë rëndësi për rritjen e kapaciteteve. Ajo bëri me dije se produktet e lartpërmendura do të jenë pjesë e strategjisë së re që po harton ministria në përfundim të programit IPARD 3.
Viera Baričičová, Eksperte pranë Departamentit të Prodhimit Bujqësor, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Sllovaki bëri një prezantim të detajuar lidhur me temën. Ajo shpjegoi se prej vitit 1992 ekzistojnë 3 skema europiane në kuadër të paketave të cilësisë. Më tej, Baričičová tha se Bashkimi Europian ka propozuar ndryshimin e instrumenteve për produktet bujqësore në kuadër të politikave të cilësisë. Ajo u shpreh se këto paketa mbrojnë emërtimin e produkteve specifike dhe kanë një rol të rëndësishëm në negociatat e shkëmbimit të mallrave mes BE-së dhe vendeve të tjera. Në vijim Baričičová dhe detaje për secilën skemë certifikimi:
*Emërtimi i Mbrojtur i Origjinës (PDO) tregon se produktet lidhen ngushtë me zonën gjeografike të prodhimit
*Treguesi Gjeografik i Mbrojtur (PGI) tregon se produktet bujqësore lidhen me zonën gjeografike ku kryhet të paktën një fazë e prodhimit.
*Specialiteti Tradicional i Garantuar (TSG) tregon produkte tradicionale ose metoda tradicionale prodhimi
Këto skema synojnë të mbrojnë reputacionin e ushqimeve rajonale dhe të eliminojnë konkurrencën e padrejtë. Procesi i certifikimit merr një kohë të gjatë dhe Komisioni Europian do ta thjeshtojë këtë procedurë me një rregullore të re. Së fundmi, Baričičová prezantoi një bazë të dhënash online ku listohen të gjitha produktet e certifikuara europiane: https://www.tmdn.org/network/
Agim Rrapaj, Kryetar, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH) vlerësoi sesionin dhe u shpreh se duhet të ndërtohen objektiva konkrete lidhur me këtë çështje në Shqipëri duke komentuar shkurtimisht situatën në vendin tonë.
Diskutimet: Pyetjet u ngritën mbi pijet alkoolike në Shqipëri dhe përfshirjen e tyre në skemat e lartpërmendura, rekomandimet si dhe kuadrin ligjor shqiptar për treguesin gjeografik dhe mbrojtjen e origjinës.
Sesioni u moderua nga Nirvana Deliu, Hulumtuese Politikash pranë EMA.
Aktivitetin mund ta gjeni këtu: Sesioni 4, GP III