GP IV, Sesioni 3: Trupat e ndërmjetëm dhe roli i tyre në zbatimin e programeve rajonale të zhvillimit , 25 Maj 2021

Më 25 maj 2021, u mbajt sesioni 3 i Grupit të Punës IV me temë: “Trupat e ndërmjetëm dhe roli i tyre në zbatimin e programeve rajonale të zhvillimit”. Ky aktivitet u zhvillua nga EMA dhe ADF në bashkëpunim me SFPA dhe me financimin e SlovakAid.

Ermal Ilirjani, nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (ADF) shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen e tij në këtë sesion dhe theksoi rolin e autoritetit menaxhues të ADF në zbatimin e reformës së zhvillimit rajonal dhe kohezionit. Ai tha se trupat e ndërmjetëm kryejnë disa funksione të deleguara nga autoriteti menaxhues. Ilirjani vlerësoi ndihmën e qeverisë dhe ambasadave të huaja në këtë proces. Ai bëri me dije së Shqipëria është akoma në fazën e planifikim programimit dhe se do të krijohen dy institucione për të bërë koordinimin në nivel kombëtar dhe rajonal të cilat njëkohësisht do të shërbejnë dhe si struktura monitoruese.

Florian Xhafa, bëri një përmbledhje për situatën aktuale të Shqipërisë duke theksuar disa elemente të rëndësishme jo vetëm për miratimin por edhe për harmonizimin e legjislacionit vendas me Acquis e BE-së për kapitullin 22. Ai përfshihu në fjalën e tij  analizën e kuadrit ligjor që lejon trupat e ndërmjetëm të marrin përsipër detyra nga autoriteti menaxhues. Xhafa gjithashtu u shpreh se është shumë e rëndësishme për ADF dhe vendin që të ketë një udhëzues për çdo hap të reformës institucionale pasi ky proces i konsideruar i vështirë për shtetet anëtare të BE-s pritet të jetë i tillë dhe për ne.

Vladimir Benč, eksperti sllovak mbajti një prezantim specifik për Sllovakinë. Ai u shpreh se autoritetet menaxhuese kanë të drejtë t’i delegojnë pjesërisht ose tërësisht detyrat te trupat e ndërmjetëm. Gjithashtu legjislacioni europian lejon edhe njësitë private ta luajnë këtë rol. Më tej, Benč shpjegoi me detaje programin e integruar rajonal për Sllovakinë 2014-2020. Në pjesën e dytë ai foli për dështimet në zbatim duke thënë se ka një listë të gjatë projektesh që nuk kanë pasur përgatitjen e duhur. Ai u shpreh se në Sllovaki ndodh shpesh që financimet të bëhen sipas preferencave politike. Benč përmendi disa projekte sociale afatgjata të dështuara ndër to strehimin e popullsisë rome dhe mosarritjen e qëllimit për ofrimin e shërbimeve të integruara shëndetsore, duke u fokusuar vetëm te modernizimi i infrastrukturës.. Eksperti prezantoi dhe pikat më të rëndësishme të projektit pilot të bashkive për kujdesin mjekësor për të moshuarit. Në fund të prezantimit të tij, ai u shpreh se Shqipëria duhet të mësojë nga gabimet e Sllovakisë.

Diskutimet: Pyetjet u ngritën në lidhje me koordinimin ndër-institucional në nivel qendror dhe lokal, kufizimin e ndikimit politik në vendimmarrje dhe rekomandime për mënyrat se si Shqipëria mund të përthithë fonde nga këto programe zhvillimi. Ky sesion u moderua nga Nirvana Deliu- Hulumtuese Politikash pranë EMA.

Mund ta ndiqni këtu: “Trupat e ndërmjetëm dhe roli i tyre në zbatimin e programeve rajonale të zhvillimit”