GP III, Sesioni 3: Politika e Përbashkët Bujqësore Europiane (CAP) – risitë dhe sfidat, 28 prill 2021

Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe në partneritet me Slovak Foreign Policy Association, me mbështetjen financiare të SlovakAid zhvilluan më 28 prill 2021 Sesionin 3 të Grupit të Punës III me temë “Politika e Përbashkët Bujqësore Europiane (CAP) – risitë dhe sfidat.

Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i EMA përshëndeti pjesëmarrësit dhe foli shkurtimisht mbi rëndësinë e kësaj teme në procesin e integrimit europian dhe në zhvillimin e vendit. Ai theksoi se këto sesione kanë si qëllim informimin dhe ndarjen e eksperiencave mes aktorëve lokalë dhe  ekspertëve sllovakë e europianë.

Florian Xhafa u përqëndrua kryesisht te mbështetja për zhvillimin rural në Shqipëri dhe Programi IPARD, si një nga pikat e projektit IPA. Ky është një instrument thelbësor për ta bërë Shqipërinë dhe zhvillimin rural në tërësi, konkurues jo vetëm me rajonin por me gjithë tregun europian. Kjo nismë ka disa kushte që duhet të plotësojnë aplikuesit për të përfituar. Kushti i parë ka të bëjë me pronësinë e tokës bujqësore, ndërsa i dyti me aftësinë e fermerëve për të prodhuar aplikime të mirëfillta dhe një plan të qartë biznesi. Financimi nëpërmjet programit IPARD është ex-post. Një aplikues duhet të ketë mjetet financiare për të kryer investimin dhe më pas do të rimbursohet.

Jan Barsvary, eksperti sllovak mbi politikat bujqësore e filloi prezantimin e tij me dy shtyllat e strukturës CAP. Shtylla e parë përfshin pagesat direkte për fermerët dhe financohet nga Fondi Europian i Garancisë Bujqësore. Shtylla e dytë ka të bëjë me politikat e zhvillimit rural dhe synon të arrijë qëndrueshmëri në bujqësi. Më tej, Barsvary paraqiti një tablo të detajuar me kushtet legjislative për përfitime bazë dhe të tjera nën shtyllën e parë. Në prezantimin e tij, ai shpjegoi edhe reformën CAP 2023-2027 dhe rregulloret e reja mbi planet strategjike, organizimin e tregut dhe së fundmi financimin dhe menaxhimin e CAP. Për sa i përket politikave kyçe dhe objektivave të ardhshme të CAP, Barsvary tha se për shtyllën e parë dhe të dytë ka 9 objektiva. Ai shpjegoi me shembuj nga Slovakia se si këto objektiva lidhen me strategjitë e ndërhyrjes. Më tej, eksperti sllovak dha informacione për masat që BE mori gjatë periudhës së pandemisë Covid-19 në sektorin bujqësor. Si fillim, u hartuan programe të përkohshme me ndihmë financiare nga shteti. U krijuan disa “green-lines” specifike që lejuan transportin e gjësë së gjallë jashtë kufijve. Shteti rriti pagesat direkte dhe ato për zhvillimin rural. Për më tepër, u lejua ruajtja dhe magazinimi privat i produkteve të qumshtit dhe mishit. Pra, gjatë kësaj periudhe u bënë përjashtime të mëdha nga rregullat e BE-së për tregun. Ai gjithashtu foli për masat e marra nga Sllovakia në nivel kombëtar dhe rezultatet e CAP. Ky program u ka sjellë fermerëve më shumë stabilitet dhe një burim të ardhurash të garantuara. Nga ana tjetër potenciali i CAP nuk u shfrytëzua plotësisht sepse kontributi i përbashkët nga shteti ishte shumë i ulët.  Barsvary dha disa rekomandime konkrete për Shqipërinë. Ai nënvizoi se nuk duhet hezituar për të negociuar me Komisionin Europian për të mbrojtur interesat kombëtare. Gjithashtu, programi CAP për bujqësinë është i pamjaftueshëm dhe se shteti duhet ta ketë prioritet investimin në këtë sektor dhe të modernizojë  industrinë e përpunimit ushqimor.

Agim Rrapaj, Kryetar i KASH u shpreh se nëse marrim parasysh kushtet e kërkuara për IPARD, shumica e fermerëve në Shqipëri nuk e kanë pronësinë e tokës të certifikuar. Informaliteti në vendin tonë është rreth 83% dhe ndikon negativisht në përthithjen e fondeve. Rrapaj foli edhe për mangësitë që ka legjislacioni aktual në lidhje me sektorin e bujqësisë dhe mungesën e sigurimeve. Ai bëri me dije se kohët e fundit edhe se në zonat më prodhimtare ka pasur një rënie të konsiderueshme të blegtorisë që prodhon qumësht dhe mish.

Lauresha Grezda, Drejtore pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural falenderoi ekspertët dhe pjesëmarrësit, duke theksuar rëndësinë që ka përfshirja dhe bashkëpunimi i tyre dhe i grupeve të interesit në hartimin e legjislacionit në Shqipëri. Grezda foli dhe për rëndësinë që ka lobimi i bërë nga përfaqësuesit e shtetit në zyrat e Brukselit dhe për grupin që pritet të dërgohet nga Shqipëria. Së fundmi, ajo shprehu gadishmërinë e Ministrisë për mbështetjen e nismave të tilla.

Diskutimet u ngritën mbi organizimin e disa projekteve konkrete në Shqipëri dhe rolin e gruas në bujqësi. Informacione të detajuara u dhanë edhe mbi procesin e lobimit që bëjnë strukturat që asistojnë fermerët në Parlamentin Europian.

Konventa për Integrimin Europian, Sesioni 3, Grupi i Punës III: Kapitulli 11, 12- “Politika e Përbashkët Bujqësore Europiane (CAP) – risitë dhe sfidat “