Më 9 dhjetor 2020, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), Kuvendi i Shqipërisë dhe Sekretariati Teknik i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian (KKIE) në partneritet me Slovak Foreign Policy Association, me mbështetjen financiare të SlovakAid, organizoi Sesionin 1 të Grupit të Punës III me temë “Siguria ushqimore dhe standardet e kërkuara në kuadër të integrimit europian”. Grupi i Punës III, falë përvojës së ekspertëve, po shqyrton tema në fushën e bujqësisë, zhvillimit rural dhe sigurisë ushqimore duke parashikuar një proces të mëtejshëm të reformës dhe pranimit në BE me fokus kapitujt e Acquis të BE, konkretisht Kapitullin 11 dhe Kapitullin 12. Në këtë sesion të parë u përzgjodh për diskutim Siguria Ushqimore në Shqipëri, sfidat për arritjen e standardeve dhe politikat e ndërmarra, si dhe nevoja për bashkëpunim mes aktorëve shtetërore dhe atyre jo-shtetërorë në këtë fushë. Ky sesion gjithashtu nxori rekomandime dhe sugjerime në lidhje me temën e përzgjedhur dhe çështje që lidhen me kornizën ligjore; kapacitetin institucional dhe trajtimin e çështjeve.
Gledis Gjipali, drejtori ekzekutiv i EMA, hapi Sesionin 1 për Grupin e Punës III të Konventës. Fjalimi i tij nisi me një falenderim për pjesëmarrjen. Ai vazhdoi më pas me një shpjegim të shkurtër rreth Konventës për Integrimin Europian, ku theksoi se nëpërmjet saj synohet të krijohet një urë bashkëpunimi midis institucioneve publike të rëndësishme në procesin e integrimit si Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë nga njëra anë, dhe grupeve të interesit, shoqërisë civile dhe rrjeteve akademike, nga ana tjetër, të cilët do të kenë njëkohësisht si përfitime dhe kosto nga ky proces. Ai u shpreh gjithashtu se është shumë e rëndësishme që këto ura bashkëpunimi të ndihmojnë sa më shumë në ecjen përpara të procesit të integrimit, duke mirëinformuar, duke kontribuar në konsultimin rreth këtij procesi, si dhe duke krijuar një aleancë midis institucioneve shtetërore dhe qytetarëve të interesuar.
Znj. Vasilika Hysi, Nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë si dhe anëtare e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, ishte e ftuara e nderit e cila e nisi fjalimin e saj me një falenderim për ftesën. Ajo u shpreh se ky aktivitet i përbashkët është shumë me vlerë pasi nuk është kufizuar vetëm në diskutimin e atyre kapitujve më shumë të trajtuar, por dhe në kapitujt e tjerë të cilët prekin gjithashtu të drejtat e njeriut, ku një ndër to është dhe siguria ushqimore. Përsa i përket rolit të Parlamentit në këtë proces, ajo u shpreh se ky i fundit luan një rol të rëndësishëm jo thjesht në procesin e integrimit dhe negociatave, por dhe në fushën e sigurisë ushqimore dhe cilësisë së jetës së qytetarëve. Ajo theksoi se bashkëpunimi i Kuvendit me shoqërinë civile dhe me aktorë të tjerë shtrihet në pesë fusha të rëndësishme ku konkretisht përfshihen:
1.Përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë të BE;
2.Forcimi i mbikëqyrjes parlamentare, monitorimi dhe kontrolli i zbatimi të detyrimeve dhe reformave që shteti shqiptar ka marrë në kuadër të anëtarësimit;
3.Promovimi i procesit të integrimit europian nëpërmjet bashkëpunimit ndërparlamentar dhe informimit të publikut, ku zonja Hysi vuri në dukje se në fushën e sigurisë ushqimore ka akoma punë për të bërë në lidhje me informimin dhe ndërgjegjësimin e publikut përsa i përket kërkesave për të pasur siguri ushqimore.
4.Marrja e mendimeve të grupeve të interesit dhe të organizatave të shoqërisë civile në procesin ligjvënës dhe të kontrollit parlamentar ku sipas zonjës Hysi, ne kemi një përvojë të mirë, pasi kapacitetet e Kuvendit nuk mund të mundësojnë dije të specializuara në fushën e sigurisë ushqimore, prandaj dhe kontributi i tyre është i domosdoshëm.
5.Buxhetimi. Kjo fushë, u shpreh ajo kërkon institucione dhe burime njerëzore të specializuara dhe fonde për informimin dhe sensibilizim. Në këtë kuadër ajo gjithashtu shtoi se do të vlerësonte rolin e shoqërisë civile dhe institucioneve në adresimin nëpërmjet rekomandimeve konkrete për të sinjalizuar ato aspekte të punës që nuk funksionojnë në institucione publike të ngarkuara dhe të specializuara për të arritur sigurinë ushqimore.
Në lidhje me legjislacionin, zonja Hysi theksoi se Kuvendi i Shqipërisë ka shqyrtuar dhe miratuar gjate vitit 2019-2020, pesë ligje në fushën e sigurisë ushqimore. Nëpërmjet bashkëpunimit me shoqërinë civile, grupet e interesit dhe konsultimit publik, është bërë i mundur që nëpërmjet ligjit të miratuar në 2019 “Për skemat e cilësisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore”, të mundësohet një konkurrencë te drejtë për fermerët, informacion i nevojshëm për konsumatorët si dhe shqyrtimi dhe konsolidimi i detyrave dhe kompetencave përkatëse të organeve përgjegjëse. Ajo shtoi gjithashtu se ky ligj është përafruar dhe me rregulloren e BE të vitit 2012. Përsa i përket cenimeve në fushën e sigurisë ushqimore, ajo shtoi se në vitin 2019 janë bërë ndryshime në Kodin Penal, ku janë shtuar tre vepra të reja penale lidhur me çështjen. Ajo gjithashtu bëri një thirrje për të dhënë mendime dhe opinione që në fazën e konsultimit publik, lidhur me Kodin e ri Penal që po hartohet nga Ministria e Drejtësisë duke theksuar nevojën e një kodi të ri, modern, i cili duhet t’i japë rëndësi sigurisë ushqimore e cilësisë së jetës. Në lidhje me risitë e reja në fushën e legjislacionit, ajo tha se Kuvendi ka një Komision për veprimtarinë prodhuese të tregtisë dhe mjedisit i cili ka shqyrtuar ligjin për ushqimin ku janë bërë dhe ndryshime të rëndësishme. Një ligj tjetër i rëndësishëm sipas saj është dhe ligji i sapo miratuar për “Çrregullimet nga pamjaftueshmëria e jodit në organizmin e njeriut”, i cili ka nevojë të monitorohet. Ligji i fundit i miratuar në 2020 është ai “Për shtesa dhe ndryshime në ligjin për inspektimin sanitar”, i cili ka një rëndësi të veçantë sidomos në kushtet e pandemisë, shtoi ajo. Në fund ajo i vuri theksin nevojës së një plani veprimi ku mund të përfshihen sa më shumë organizata të cilat mund t’i shikojnë këto probleme nga këndvështrime të ndryshme, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë që ofron Kuvendi dhe duke dhënë kontributin e tyre për hartimin e projekt-ligjeve të reja në platformën online të konsultimit publik.
Znj. Elda Zenelaj, Drejtore e Sekretariatit teknik të KKIE, si fillim bëri një prezantim lidhur me Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian ku një nga detyrat e tij ka të bëjë me nxitjen dhe garantimin e bashkëpunimit gjithëpërfshirës ndërmjet forcave politike, institucioneve publike dhe shoqërisë civile si dhe rritjen dhe transparencën e vendimmarrjes për çështjet e integrimit europian. Lidhur me transparencën, ajo u shpreh se përveç transmetimit live, Këshilli publikon dhe procesverbalet e takimeve për t’u njohur me detajet e tyre. Lidhur me organizatat e shoqërisë civile, ajo shtoi se me vendim unanim, Këshilli e ka rritur numrin e tyre në 18. Aktualisht Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian, përbëhet nga 52 anëtarë, ku përveç deputetëve ka dhe përfaqësues të shoqërisë civile, grupeve të interesit dhe nga akademia. Në fund të prezantimit, zonja Zenelaj ofroi ftesën për vazhdimin e krijimit të aktiviteteve të tilla, jo vetëm në fushën e sigurisë ushqimore, por dhe në fusha të tjera.
Z. Florian Xhafa, Ekspert i brendshëm i Konventës për Grupin e Punës III, bëri një prezantim për disa nga pikat kryesore të standardeve në lidhje me sigurinë ushqimore dhe evoluimin e procesit të integrimit europian. Ai u përqendrua në katër pika kryesore të sigurisë ushqimore dhe zhvillimeve të kësaj fushe në Shqipëri, jo vetëm në aspektin ligjor, por dhe atë të zbatimit të ligjit. Ai gjithashtu shtoi se përsa i përket BE, ai do të përqendrohet në lëvizjen e lirë të mallrave ndërmjet vendeve anëtare e cila është e rëndësishme për Shqipërinë pasi kuptojmë dy aspekte ku ndikon siguria ushqimore konkretisht në fushën e shëndetit publik dhe lëvizjen e lirë të mallrave. Në lidhje me aspektin e parë, legjislacioni i sigurisë ushqimore në Shqipëri, ka ecur relativisht mirë duke u përqasur dhe me Acquis e sigurisë ushqimore të BE, veçanërisht me rregulloret, pasi ndryshe nga shumë fusha të BE ku shtetet anëtare zgjedhin vetë format e rregullimit, siguria ushqimore është e rregulluar në nivel komunitar, pra shtetet anëtarë kanë hequr dorë pothuajse tërësisht nga sovraniteti i tyre në drejtim të së drejtës komunitare, i cili vendos për sigurinë ushqimore të këtyre shteteve. Përsa i përket legjislacionit shqiptar, zoti Xhafa tha se ai është përshtatur me atë të BE duke filluar që nga Rregullorja e Higjienës e 2002, e cila është dhe rregullorja bazë e ligjit për sigurinë ushqimore në BE. Ai shtoi gjithashtu se ka disa elemente të sigurisë ushqimore në Shqipëri që e bëjnë deri diku te paprekshëm impaktin e miratimit të këtij legjislacioni e cila ka të bëjë me mënyrën se si zbatohet ky legjislacion. Lidhur me rregulloren e higjienës së BE të cilën ne e kemi miratuar në 2008, ka disa parime të cilat bëjnë të mundur zbatimin e saj ku një ndër to është kontrolli i ushqimit nga ferma në tavolinë, ku Shqipëria nuk ka një autoritet të vetëm përgjegjës për këtë kontroll. Ky kontroll në Shqipëri kryhet nga tre autoritete të cilat janë sa të pavaruara aq dhe të ndërlidhura me njëri-tjetrin, pra këtë kontroll në mënyrë të natyrshme në BE, ne e kemi copëzuar, kjo përbën problem pasi shumica e problematikave lidhur me sigurinë ushqimore lidhen me produktet me origjinë shtazore, tha ai. Parimi i dytë i rregullores së higjienës lidhet me analizën e riskut, ku Shqipëria paraqet probleme pasi edhe sot ne ende nuk kemi një plan analitik të sigurisë ushqimore. Parimi i tretë, i cili ka të bëjë me përgjegjësinë kryesore, atë të prodhuesve, lidhet me parimin e katërt i cili është gjurmueshmëria, pra kush e ka sjellë defektin e produktit, tha ai. Parimi i pestë, shtoi zoti Xhafa, është informimi, i cili duhet të jetë publik, pasi ka të bëjë më të drejtën themelore të qytetarëve për t’u informuar, por edhe pse këto sisteme informimi i kemi në ligje, në praktikë ato mungojnë. Përsa i përket aspektit të dytë atë të lëvizjes së lirë të mallrave, Shqipëria në vitin 1992 ka miratuar marrëveshjen e tregtisë së lirë, ku produktet me origjinë shtazore mund të tregtohen lirshëm në BE. Megjithatë Shqipëria tregton vetëm disa produkte të certifikuara në nivel industrie, ndërsa produktet me origjinë shtazore nuk nxirren jashtë Shqipërisë, theksoi ai. Për këtë çështje ai fajëson paaftësinë e shtetit shqiptar për të garantuar kontrollin e vetëm autoritar veterinar, siç ndodh në BE.
Z. Agim Rrapaj, Kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH) paraqiti një panoramë lidhur me problematikat kyçe që adresohen në këtë fushë. Ai e filloi fjalimin e tij me një prezantim të shkurtër lidhur me Këshillin e Agrobiznesit Shqiptar, i cili këtë vit shënon dhe 20 vjetorin e tij. Siguria ushqimore, shtoi ai, është pjesë kryesore e disa hallkave si: fermeri (bujqësia), blegtori (blegtoria), peshkimi dhe akuakultura, agrobiznesi, agro-përpunimi (industria ushqimore), bletaria dhe mjedisi, bimët mjekësore, tregjet agro-blegtorale dhe në fund mikrofinanca, ku ai theksoi dhe nevojën e një ligji në lidhje me hallkat e përmendura. Më pas zoti Rrapaj, adresoi problematikat për çdo hallkë, duke e nisur me fermerin dhe rëndësinë e informimit, pasi këta fermerë kanë potenciale të jashtëzakonshme të cilat vërtetohen me moskthimin e kamionëve gjatë vitit 2020, të fruta-perimeve, në vendet e BE. Përsa i përket peshkimit dhe akuakulturës, ai tha se qeveria i ka kushtuar një rëndësi të veçantë, duke e dyfishuar buxhetin e kësaj fushe, duke treguar që ky sektor është në eksport tashmë, por që po has në vështirësi nga pandemia. Një problematikë që shtroi ai, lidhet me midhjen e Sarandës, e cila për arsye burokratike të mosgjurmueshmërisë, nuk mundëson eksportin. Më pas ai kaloi tek agrobiznesi, tek qendrat e grumbullimit, të cilat janë nyja kyçe e zinxhirit ushqimor dhe duhet të vazhdojmë t’i fuqizojmë ato duke i rritur në sasi, të cilën ne e kemi arritur dhe për momentin kemi 227 qendra, nga 20-30 të tilla para 7-8 viteve. Nga pikëpamja sasiore e kemi plotësuar hartën, por nga na cilësore ne kemi akoma probleme, pasi janë akoma të paplotësuara me mekanizmat që duhen dhe veçanërisht më çështjen e laboratorëve, të cilët përveçse janë të lidhur ngushtësisht me sigurinë ushqimore, janë të lidhur dhe me eksportin. “Nëse ne do të kishim laboratorë të akredituar për produktet tona”, shtoi ai, “do të zgjidhnim një problematikë të madhe në hallkat e zinxhirit, veçanërisht tek investimet private, pasi nuk mund të investojnë nëse nuk ka një laborator, ku përveç godinave moderne duhet dhe një staf”. Ai përmendi dhe një problematikë tjetër me këto qendra, e cila është dhe informaliteti, ku me statistikat e vjetra, nga 354 000 fermerë rreth 15% e tyre kanë një NIPT, ndërsa 85% nuk e kanë këtë. Ai gjithashtu vuri në dukje se ligji ‘Për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor’ është i vitit 2012 dhe nuk ka asnjë amendament, asnjë udhëzim dhe është i pazbatueshëm, pra ose duhet hequr nga skena e ligjeve ose duhet amenduar që të shërbejë realisht. Sa i përket bletarisë dhe bimëve medicinale, zoti Rrapaj tha se Shqipëria ka shumë potencial, por problematika qëndron tek certifikimi, ku zgjidhja e duhur sipas tij do të ishte certifikimi në grup dhe jo ai individual. Në lidhje me tregjet agro-blegtorale, ai u shpreh se janë hallka më e dobët, veçanërisht ato blegtorale, ku nga 33 tregje blegtorale, vetëm 2 i plotësojnë kriteret. Si përfundim ai u shpreh se nëse do të rishikohet dhe shtohet buxheti në investimet private, do të bëhet e mundur që fjalët të mos mbeten në letër, por të bëhen realitet.
Z. Matej Struhar, ekspert sllovak mbi sigurinë ushqimore, i cili prezantoi eksperiencën sllovake, elementet ku vendi ynë ka ngjashmëri si dhe mësimet që mund të nxirren dhe shfrytëzohen në rrugën drejt procesit të integrimit europian. Siguria ushqimore, u shpreh ai, është një nga prioritetet e BE dhe njëkohësisht dhe të Sllovakisë. Këto prioritete ndodhen në ‘Dokumentin e Bardhë të Sigurisë Ushqimore’, i cili është një dokument mbi sigurinë ushqimore në BE dhe përmban: parimet e përgjithshme të sigurisë ushqimore, elementet kryesore të politikës së sigurisë ushqimore, krijimin e një autoriteti mbikëqyrës, aspekte rregullatore, kontrolle dhe informacion për konsumatorin. Në lidhje me çështjet kryesore lidhur me sigurinë ushqimore, ai përmendi: pajtueshmërinë me kërkesat për prodhimin, përpunimin, transportin dhe magazinimin e ushqimit; pajtueshmërinë me kërkesat e ushqimit; respektimin e kushteve ushqimore, teknikave dhe higjienës së blegtorisë; pajtueshmërinë me kërkesat për prodhimin, përpunimin, transportin, magazinimin e ushqimit ;dhe pajtueshmërinë me kërkesat ushqimore në lidhje me sigurinë shëndetësore. Ai përmend dhe parimet kryesore që lidhen me mundësimin e sigurisë ushqimore si: monitorimi i lëndëve të para dhe ushqimit në të gjitha fazat gjatë gjithë procesit të prodhimit të ushqimit deri tek konsumatori përfundimtar, eliminimi i rreziqeve gjatë gjithë procesit të prodhimit të ushqimit për konsumatorin, ekzistenca e mekanizmave për zbatimin e shpejtë të masave efektive gjatë gjithë procesit për të zvogëluar dhe eleminuar kërcënimet ndaj shëndetit të konsumatorit dhe ndërveprimi i faktorëve, përcaktimi i kushteve, kontrollet, mbikëqyrja si dhe konsumi. Në lidhje me dokumentin i cili përmban parimet kryesore të sigurisë ushqimore, ai u shpreh se ky dokument u hartua sipas Autoritetit Europian të Sigurisë Ushqimore (EFSA), i cili mundëson sigurimin e këshillave dhe mbështetjes së pavarur shkencore për ligjin / politikat e BE-së mbi sigurinë e ushqimit, sigurimin e komunikimit të pavarur me kohë të rrezikut dhe nxitjen e bashkëpunimit shkencor. Në lidhje me sistemin e krijimit të ligjit europian për sigurinë ushqimore, ai tha se ky sistem përbëhet nga disa organe, duke filluar me Komunitetin Europian Shkencor, DG Sante – Drejtoria e Shëndetit i Komisionit Europian, Shtetet anëtare dhe Këshilli dhe Parlamenti. Zoti Struhar vuri në dukje dhe bashkëpunimin e Sllovakisë me ESFA. Departamenti i Sigurisë dhe Ushqimit të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i Republikës Sllovake kryen detyrat e Zyrës për Sigurinë e Ushqimit dhe funksionin e pikës së kontaktit kombëtar për bashkëpunim shkencor dhe teknik me EFSA. Sllovakia i siguron EFSA një bazë shkencore përfaqësuar nga 9 organizata sllovake. Sa i përket inspektimeve, autoritetet mbikëqyrëse në Sllovaki janë nën administrimin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Ai nënvizoi se kryesore gjatë inspektimeve është monitorimi dhe pajtueshmëria me legjislacionin. Gjatë prezantimit të tij, ai i kushtoi rëndësi dhe procesit të gjurmimit. Gjurmueshmëria, sipas tij, nënkupton aftësinë për të gjurmuar dhe ndjekur një ushqim ose substancë prodhuese të ushqimit që synohet të përfshihet ose pritet të përfshihet në një ushqim, përmes të gjitha fazave të prodhimit, përpunimit dhe shpërndarjes. Sistemi i gjurmueshmërisë është i bazuar në numrin e grumbullimit i cili përmban informacione mbi datën e prodhimit. Si përfundim, në lidhje me pyetjen se si siguron Komisioni Europian sigurinë dhe cilësinë e ushqimit dhe produkteve bujqësore ai u shpreh se kjo bëhet nëpërmjet origjinës dhe gjurmueshmërisë, emërtimeve dhe standardeve, paketimit, mirëmbajtjes dhe transportimit, certifikimit, sigurisë së shëndetit, njoftimeve në portalin RASFF në lidhje me rreziqet, bashkëpunimeve rajonale dhe ndërkombëtare dhe monitorimeve të mashtrimeve, tha ai në fund.
Ju mund ta ndiqni aktivitetin në YouTube në këtë link: https://www.youtube.com/watch?v=0zKwS9SJopc&list=PLo5-u0UaQgmyTuCLRbzLJh4xgggMHPCOe&index=3