Më 22 nëntor, EMA në bashkëpunim me Slovak Foreign Policy Association, me kontributin e Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar dhe me mbështetjen financiare të SlovakAid zhvilloi në Vlorë sesionin e tretë të Grupit të Punës III. Ky aktivitet u mbajt në kuadër të Konventës 2021-2023 dhe u fokusua te modelet e zhvillimit socio-ekonomik për zonat rurale (Projekti pilot “Oazi Ekologjik i Butrintit”) dhe përdorimi i pesticideve në bujqësinë organike.
Arian Jaupllari Zv/Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural u shpreh se ministria mbështet format e bashkëpunimit dhe rritjen e kapaciteteve në sektorin e zhvillimit rural. Ai vlerësoi pozitivisht përafrimin e legjislacionit me Acquis e BE-së dhe shtoi se po identifikohen modelet më të mira të fermave në të gjithë Shqipërinë për të përfituar nga skemat mbështetëse financiare, si fondet e AZHBR-së dhe IPARDIII që fillon në janar 2023.
Ervis Moçka, Kryetar i Këshillit të Qarkut Vlorë tregoi gadishmëri për mbështetje e bashkëpunime me aktorë të ndryshëm në funksion të integrimit europian duke cilësuar me rëndësi rritjen e shkëmbimit të eksperiencave me Sllovakinë dhe vende të ngjashme.
Aulona Beqiri Veizi, N/Kryetare e Bashkisë Vlorë theksoi se në këtë qark ka një mbizotërim të vreshtarisë dhe nevojitet një shkallë më e madhe certifikimi për produktet bio. Veizi u shpreh se projekti Pilot “Oazi Ekologjik i Butrintit” ka objektiva interesante dhe duhet të zbatohet dhe në Vlorë. Ajo bëri me dije raportin tokë për frutikulturën dhe tokë arë në territorin e Bashkisë Vlorë ku kjo e dyta ishte krahasimisht me e madhe si dhe strukturën e dru-frutorëve ku mbizotëron ulliri me 79 %, më pas vjen vreshtaria me 17%, pemët frutore me 3%, etj.
Agim Rrapaj, Kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH) shpjegoi hapat për zbatimin e projektit pilot duke filluar nga bashkëpunimi dhe koordinimi; inovacioni dhe dixhitalizimi; financimi si dhe përmirësimi i legjislacionit e përafrimi me atë të BE-së. Ai vuri në dukje faktin se kjo nismë do të kontribuojë në zhvillimin e formave të ndryshme të turizmit dhe do shërbejë si model i ri zhvillimi socio-ekonomik për zonat rurale. Realizimi i këtij projekti kërkon angazhim nga strukturat shtetërore, jo-shtetërore si dhe nga universiteti për të siguruar një efikasitet sa më të lartë me ekspertë të fushës.
Eksperti sllovak Ján Baršváry solli më afër rastin e Sllovakisë përsa i përket zhvillimit rural dhe shpjegoi përdorimin e pesticideve në bujqësinë organike bazuar në rregulloren e BE-së dhe ndryshimet që pritet të ndodhin duke dhënë rekomandime dhe për strategjinë që po hartohet në Shqipëri. Ai renditi disa nga objektiva kryesore të parashikuara në rregullore si: zvogëlimi në masë i përdorimit të pesticideve kimike me rreth 50% dhe gjetja e alternativave zëvendësuese, ulja me më shumë se 50% e përdorimit për plehrat e dëmshëm ndaj mjedisit, përmirësimi i të dhënave të nxjerra prej vrojtimeve mbi aplikimin e pesticideve, inkurajimi në përdorimin e teknologjive të reja për të ulur sa më shumë rrezikun që vjen prej plehrave kimik si dhe rreth 25% e totalit të tokës bujqësore të jetë kthyer në bujqësi organike. Nga ana tjetër eksperti theksoi faktin se kërkohet rritja e mbështetjes shtetërore që shkon për fermerët në Shqipëri që të realizohet sa më sipër. Ai u shpreh se duhet të rritet buxheti dhe të lehtësohen barrierat burokratike në mënyrë që të përfitojnë të gjithë. Këto fonde më pas do ndihmonin në aplikimin e një teknologjie te re në bujqësi dhe do siguronin gjetjen e formave alternative për pesticidet duke ulur kështu në një masë të konsiderueshme ndikimin negativ të tyre në mjedis.