Më 28 shkurt 2023, Grupi i Punës III (Zhvillimi Rural dhe Mbrojtja e Konsumatorit) organizoi në kuadër të Konventës sesionin e radhës me fokus te sfidat e mbrojtjes së konsumatorit në raport me evoluimin e inteligjencës artificiale.
Gledis Gjipali/ Drejtori Ekzekutiv i EMA në fjalën hapëse falenderoi të pranishmit dhe u shpreh mbi rëndësinë e mbrojtjes së konsumatorit dhe mungesën e informacionit te publiku i gjerë për sa i përket përdorimit të inteligjencës artificiale në këtë fushë.
Jeta Deda, Drejtore e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) vlerësoi organizimin e këtij sesioni dhe bëri me dije se AKU i ka dedikuar një vëmendje të shtuar konsumatorit dhe një nga mënyrat për ta bërë atë më proaktiv është përdorimi i numrit të gjelbër. Deda përmendi gjithashtu ngritjen e sistemit të gjurmueshmërisë për adresën elektronike ku vijnë ankesa dhe kërkesa si dhe nisjen e një fushate dixhitalizimi si pjesë e një projekti të financuar nga BE. Ajo shtoi se të gjitha rrjetet sociale janë kthyer në një dritare online për të qenë më afër konsumatorit i cili ka më shumë interes për njoftimet që lidhen me alertet ushqimore.
Granit Sokolaj, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës ALERT mbajti një prezantim mbi rreqizet e përditshme të konsumatorit përfshirë dhe ato që vijnë nga përdorimi i inteligjencës artificiale. Fillimisht, ai foli për bazën ligjore specifikisht për ligjin Nr. 9918 / 2008 “Për komunikimet elektronike dhe postare në Republikën e Shqipërisë”; ligjin Nr. 9902/2018 “Për mbrojtjen e konsumatorit” (i ndryshuar); dhe rregulloren Nr.49, datë 11.03.2021 Për “Mbrojtjen e konsumatorëve dhe pajtimtarëve të shërbimeve të komunikimeve elektronike publike”. Sokolaj u shpreh se Shqipëria duhet të bëjë progres në bazën ligjore dhe forcimin e kapaciteteve institucionale për shtrirje sa më të gjerë dhe me fokus në sistemet e IA me rrezik të lartë. Ai theksoi se duhet të vendosen parime dhe detyrime bazë si drejtësi, llogaridhënie dhe transparencë. Ata gjithashtu duhet të kenë të drejtën për t’u ankuar në një autoritet kombëtar dhe për të nisur veprime ligjore, kur një sistem i IA ose praktika që i prek ata shkelin ligjin. Sokolaj tha se IA është programim, kodim, i cili shkruhet dhe ndërvepron me personat që e përdorin duke bërë me dije se të dhënat tona përdoren nga të tjerët dhe se në Shqipëri ndryshe nga rasti i BE-së ndërgjegjshmëria është shumë e ulët.
Zuzana Motúzová nga Motúzová & Lacko Law company/Sllovaki foli për ndërtimin dhe përdorimin e sistemeve të IA për një ndikim pozitiv te konsumatorët. Ajo tha se përdorimi i IA mund të ketë dhe efekte negative si pabarazia, manipulimi, keqpërdorimi i të dhënave, diskriminimi i konsumatorit etj. Motúzová shpjegoi legjislacionin e BE-së për këtë fushë duke përmendur: Direktivën për të drejtat e Konsumatorit 2011/83/EU; Direktivën për tregtinë elektonike; Direktivën për Kushtet e Padrejta të Kontratës; GDPR dhe mbrojtjen e të dhënave dhe privatësisë etj. Ajo gjithashtu përmendi legjislacionin sllovak për mbrojtjen e konsumatorit gjatë shitjes së mallrave ose ofrimit të shërbimeve në bazë të një kontrate të lidhur në distancë dhe ligjin mbi përgjegjësinë për dëmin e shkaktuar nga një produkt me defekt (Akti i Sigurisë së Produktit). Akti i Sigurisë së Produkteve zbatohet për të gjitha produktet e shitura në Sllovaki, duke përfshirë ato që mundësohen nga ose përfshijnë IA. Më tej, Motúzová shtjelloi propozimin e Komisionit Europian të datës 28 shtator 2022 për një rregullore që i ndan rreziqet që vijnë nga IA në 4 kategori: (rrezik i papranueshem- sistemet e IA të cilat shkelin vlerat e BE dhe të drejtat themelore; rrezik i lartë- përdorimi i IA në kontrollet kufitare, shërbime publike private, në edukim etj. për të cilat duhet krijuar një sistem i vlerësimit të riskut dhe mbikëqyrjes; rrezik i kufizuar- rritje e transparencës; rrezik minimal- për aplikacione lojërash). Ajo e përmbylli prezantimin e saj me disa sugjerime rishikimin e legjislacionit lidhur me IA, specifikimin e të drejtave të klientit në lidhje me AI në rastet kur nuk është e qartë, ndalimin e diskriminimit në vendosjen e çmimeve nga tregtarët dhe ofruesit e shërbimeve etj.
Hapësira e diskutimit u fokusua te mungesa e strategjive në nivel kombëtar për mbrojtjen e konsumatorit nga efektet negative të IA; burimet e informacionit ku qytetarët mund të drejtohen për të marrë informacion për rreziqet nga IA; mënyrat ku grupet e interesit mund te japin kontributin e tyre për përmirësimin e legjislacionit dhe së fundmi te të dhënat mbi numrin e ankesa për dëmet nga IA në Shqipëri.
*Konventa Kombëtare për Integrimin Europian po zbatohet nga EMA në bashkëpunim me Slovak Foreign Policy Association dhe mbështetjen financiare të SlovakAid.