Në datë 30 qershor 2022 u mbajt tryeza e diskutimit mbi pastrimin e parave përmes veprave të artit dhe kërkesat e vendosura për Shqipërinë në luftën kundër krimit të organizuar. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian, Tryeza për Kapitullin 24 dhe Konventës Kombëtare për Integrimin Europian 2021-2023 organizuar nga Ministria e Brendshme dhe Lëvizja Europiane në Shqipëri. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga institucionet shtetërore të linjës si Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit përfaqësues të misioneve diplomatike, nga sektori i shoqërisë civile, dhe universitetet. Aktiviteti u zhvillua në formantin hibrid, me pjesëmarrje fizike në mjediset e Xheko Hotel Imperial dhe online në platformën ZOOM.
Takimi u hap nga z. Besfort Lamallari, Zëvendës Ministër i Brendshëm i Shqipërisë, i cili falenderoi anëtarët e tryezës për pjesëmarrjen dhe u shpreh se ky takim nuk mund të shihet i shkëputur nga procesi i integrimit europian. Më tej, z. Lamallari theksoi se Ballkani është një rajon në zhvillim të vazhdueshëm dhe se Shqipëria i ka përmbushur tashmë kushtet për hapjen e negociatave. Gjë e cila është raportuar edhe nga KE dhe së fundmi, një konstatim i tillë është bërë edhe nga Komiteti Shtetëror për Integrimin Europian (KSHIE). Kjo deklaratë trajton shumë elementë, duke veçuar kryesisht Kapitullin 24. Shqipëria është e vendosur të vazhdojë luftën kundër korrupsionit dhe ka zgjeruar bashkëpunimin me Eurojust. Z. Lamallari gjatë fjalës së tij shtoi se, Shqipëria ka tashmë 14 skuadra për hetime të përbashkëta me Eurojust dhe së shpejti pritet që të formohen edhe 3 skuadra të tjera. Në përmbyllje të fjalës së tij, u shpreh se takime të tilla si ky i sotmi janë me shumë interes, me qëllim që t’i jepet vëmendja e duhur procesit të integrimit europian.
Z. Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i European Movement Albania (EMA), u shpreh se tryezat e Platformës së Partneritetit janë shumë të rëndësishme sepse e vendosin konsultimin me shoqërinë civile, me akademinë, me grupet e interesit dhe median etj. Gjithashtu ai e vuri theksin në rëndësinë që do të marrin këto tryeza, sidomos pas hapjes së negociatave për Shqipërinë.
Znj. Suela Jahaj, Drejtore në Drejtorinë e Integrimit, Marrëveshjeve, Koordinimit dhe Asistencës në Ministrinë e Brendshme foli për fushat kryesore të politikave të Kapitullit 24 dhe strukturën institucionale që mbulon fushat e këtij kapitulli. Për shkak të tematikave të shumta që ky kapitull përfshin ai është ndarë në katër nëngrupe, si: migracioni i ligjshëm dhe i paligjshëm, azili dhe politika e vizave; lufta kundër krimit të organizuar; lufta kundër terrorizmit; si edhe bashkëpunimi gjyqësor me çështjet civile dhe penale. Gjatë fjalës së saj , ajo u fokusua në t zbatimin e adresimin e rekomandimeve të KE-së në fushën e luftës kundër pastrimit të parave, dhe më konkretisht lidhur me rekomandimin për miratimin dhe zbatimin e rregullave mbi pasuritë, , znj. Jahaj u shpreh se Shqipëria ka ratifikuar dhe zbaton Konventën e Vjenës, Palermos, Varshavës dhe Konventën e Kombeve të Bashkuara, si pjesë e legjislacionit të brendshëm. Gjithashtu, znj. Jahaj bëri disa sugerime lidhur me përmirësimin e procesit si bashkëpunim më të mirë institucional, ku u shpreh se do të ishte mirë që brenda institucioneve të kishte persona të dedikuar në procesin screening, harmonizimin e legjislacionit si dhe raportimin mbi kapitujt e acquis. Ajo gjithashtu sugjeroi edhe rritje kapacitetesh si edhe shtimin e trajnimeve për anëtarët e rinj.
Z. Lutfi Minxhozi, Drejtor i Ekonomisë dhe Krimit Financiar në Policinë e Shtetit, gjatë fjalës së tij u përqendrua në legjislacionin shqiptar për luftën kundër pastrimit të parave. Shqipëria e ka një ligj të posaçëm për pastrimin e parave, i cili është ndërtuar në përqasje me 40 rekomandimet dhe direktivat e nxjerra nga Bashkimi Europian. Shqipëria gjithashtu ka ngritur një komitet ligjor ndërinstitucional që drejtohet nga Kryeministri dhe ku të gjitha institucionet raportojnë çdo javë lidhur me zbatimin e direktivave. Në vijim të fjalës së tij, z. Minxhozi u shpreh se një çështje me interes ka qenë, edhe raporti i tretë i prezantimit të masave, i cili pati një vlerësim pozitiv, megjithatë Shqipëria u la përsëri në procesin e monitorimit për shkak të nevojës, për t’u rritur më tej eficenca e hetimeve. Grupi ndërkombëtar ka bërë një studim të thelluar të legjislacionit vendas dhe ndërkombëtar, si edhe ka parë eksperiencat e vendeve të tjera të rajonit. Sipas tij, rruga më e mirë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin është kapja dhe konfiskimi i pasurisë së kriminelëve.
Fjalën e mori z. Andrej Leontiev, avokat dhe bashkëdrejtues i zyrës ligjore Taylor Wessing në Bratislavë, i cili gjatë prezantimit të tij u përqendrua në Direktivën e Pestë të Pastrimit të Parave dhe në aplikimin e kësaj direktive. Sipas z. Leontiev veprat e artit janë objekte të thjeshta për t’u lëvizur, si edhe kanë një vlerë shumë të madhe. Z. Leontiev nuk ngurroi të sjellë shembuj nga vjedhjet e veprave të artit nga vendet e tjera të rajonit. Me tej, gjatë fjalës të tij prezantoi të pranishmit me dy dokumente shumë te rëndësishme si: ‘Basel Institute on Governance’ dhe ‘Gatekeepers Framework’, në hartimin e dokumentit të dytë vetë eksperti ishte pjesëmarrës. Sipas tij paratë e pista nuk mund të pastrohen pa marrjen e shërbimeve nga profesionistë si avokatë, banka, vlerësues të artit etj. Më tej, u ndal të flasë për zbatimin e kësaj direktive në Sllovaki duke sjellë edhe përvojën e Sllovakisë në zbatimin e këtij ligji. Sipas tij, Sllovakia ashtu si Shqipëria ka qenë përballur me pastrimin e parave, duke sjellë disa shembuj praktikë se si Sllovakia ka qenë pjesë e shumë skandaleve të kalimit të shumave të mëdha të parave. Gjatë fjalës së tij nuk nguroi të sillte mësimet e marra nga Sllovakia si edhe prezantoi pjesëmarrësit me procedurat që ndiqen në Sllovaki për regjistrimin e pasurive dhe të kompanive. Më tej, ai shtoi, se në Sllovaki, verifikimi ka 5 stade dhe se Sllovakia ka shpenzuar më shumë se 5 milion euro për verifikimin e këtyre të dhënave.
Pati interes nga pjesëmarrësit për të ditur mendimin e ekspertit sllovak mbi rritjen e kapaciteteve në Shqipëri, si edhe për të mësuar më shumë rreth dokumentit në hartimin e të cilit vetë eksperti sllovak kishte marrë pjesë. Gjithashtu nga pjesëmarrësit pati interes të dihej rreth eksperiencës sllovake në luftën kundër korrupsionit. Gjithashtu nga pjesëmarrësit u propozua si temë, që do të kishte interes për tryezat e ardhshme edhe migracioni.