GP II (Kapitulli 24): Lufta kundër krimit Kibernetik në Shqipëri – Sfidat e reja në kuadër të procesit të Integrimit, 08 shkurt 2023

Më 8 shkurt 2023 u mbajt në Tiranë, tryeza e diskutimit për Kapitullin 24, me temën “Lufta kundër krimit Kibernetik në Shqipëri – Sfidat e reja në kuadër të procesit të Integrimit”. Ky aktivitet u zhvillua nga Ministria e Brendshme dhe Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), në kuadër të Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian dhe Konventës Kombëtare për Integrimin Europian. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga institucionet shtetërore si Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, dhe anëtarët e Tryezës për Kapitullin 24 të PPIE, nga shoqëria civile, universitetet dhe nga sektori privat.

Z. Besfort Lamallari, zëvendësministër i brendshëm përshëndeti aktivitetin duke u shprehur se kjo tryezë është mjaft e rëndësishme për të kombinuar sinergjinë e kërkuar në ndihmë të një procesi sa më cilësor në kuadër të negociatave dhe integrimit të vendit në BE që ka filluar zyrtarisht që nga 19 korriku i vitit të kaluar. Kapitulli 24 mbetet një kapitull kyç për gjithë Grupimin 1 por edhe për të gjithë kapitujt e tjerë, pasi lidhet drejtpërdrejt me shtetin e së drejtës e zbatimin e ligjit, dhe për këtë arsye ai do të  hapet i pari së bashku me Kapitullin 23 dhe do të mbyllen të fundit. Ministria e Brendshme është institucioni udhëheqës për këtë kapitull, që së bashku me rreth 70 institucioneve pjesë të GNPIE po punojnë për realizimin e kërkesave dhe detyrimeve si dhe janë përfshirë dhe kanë kontribuar gjatë procesit screening për këtë kapitull. Gjatë takimit shpjegues këto institucione janë përfshirë në mënyrë aktive ndërkohë që në datat 8-9-10 nëntor u realizua takimi dypalësh (bilateral screening) ku aty u prezantuan arritjet, masat e ndërmarra dhe planet e parashikuara në lidhje me kuadrin ligjor dhe atë të kapaciteteve institucionale. Z. Lamallari u shpreh që për hapjen e negociatave për Grupimin 1, duhet që fillimisht të realizohet Raporti Screening për të gjithë kapitujt që pritet të publikohet nga Komisioni Europian në periudhën shkurt – mars 2023 e më pas do i përcillet Këshillit, ndërkohë që miratimi i tij pritet të realizohet në muajt prill-qershor 2023. Ndërkohë nga ky dokument mund të dalin dhe standardet hapëse për kapitullin 24 (të njohura si opening benchmarks). Nga ana tjetër ai u shpreh se këto takime në kuadër të Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian, të realizuara në vazhdimësi nga Ministria e Brendshme janë të nevojshme për të ndarë përgjegjësitë dhe detyrat që aktorë të ndryshëm kanë në këtë proces si dhe për të kuptuar më mirë procesin e integrimit. Tryeza e radhës në kuadër të PPIE ka në fokus luftën kundër krimit kibernetik, e zgjedhur jo pa qëllim duke qenë që në korrik të 2022 vendi ynë u bë viktimë e një sulmi kibernetik të infrastrukturës së saj online, ku u prek gjithashtu edhe policia e shtetit. Kjo nxori në pah problematikat në këtë sektor si nevoja për më shumë investime, rritje të buxhetit por dhe ngritje të kapaciteteve të stafit dhe nevojën për një riorganizim të strukturës. Ai u shpreh në cilësinë e Kryetarit të Grupit të Punës për Riorganizimin e strukturës së policisë kriminale që ky sektor do të kthehet në drejtori, ku nuk do të jetë vetëm në qendër po planifikohet që të ketë njësi dhe në qarqe për të rritur standardet dhe shërbimet në të gjithë vendin.

Z. Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i EMA, u shpreh mbi rëndësinë e aktiviteteve të tilla, të cilat duke bërë bashkë grupet e interesit nxisin bashkëpunimin me ekspertët e fushës, duke e bërë procesin e integrimit më frytdhënës. Qëllimi i EMA-s është të bëjë bashkë ekspertët kombëtarë në këto tryeza me partnerët ndërkombëtarë, të cilët sjellin eksperiencat e tyre praktike për të lehtësuar dhe përshpejtuar këtë proces. Z. Gjipali theksoi se krimi kibernetik është një fushë relativisht e re, por i duhet kushtuar një vëmendje e veçantë që në hapat e parë për të sjellë rezultate të dukshme dhe sukses në përballimin e sfidave që krijon. Për këtë është thelbësore, plotësimi i kuadrit ligjor, krijimi dhe ndjekja e planit strategjik për të ndihmuar dhe fuqizuar strukturat në nivel qendror dhe vendor.

Znj. Suela Bonjaku, Specialiste në Sektorin për Hetimin e Krimit kompjuterik, Departamenti i Policisë Kriminale, gjatë fjalës së saj u përqendrua në shpalosjen e kuadrit ligjor shqiptar në këtë fushë, zbatimin në praktikë dhe gjendjen aktuale. Ajo u ndal të analizonte kornizën ligjore shqiptare tanimë të përafruar më shumë me atë europiane dhe traktatet ndërkombëtare të ratifikuara, si dhe ndryshimet institucionale që këto kanë sjellë. Këtu u përmend pika 24/7 në përputhje me Konventën e Budapestit, si dhe pikat e kontaktit për mbarëvajtjen e bashkëpunimit dhe koordinimit me Europol dhe Interpol. Znj. Bonjaku përmendi edhe disa pika ku Shqipëria ende duhet të përmirësohet, edhe sipas rekomandimeve të Komisionit Europian. Lufta kundër krimit kibernetik ka nevojë për rritje të kapaciteteve administrative dhe infrastrukturave për të vazhduar dhënien e rezultateve pozitive, sidomos në fushat më problematike si parandalimi i sulmeve kibernetike ndaj administratës publike apo ndalimi i fenomenit të abuzimit seksual të fëmijëve në internet. Për të adresuar nevojat dhe koordinuar punën në luftën kundër krimit kibernetik, është miratuar Strategjia Kombëtare e Hetimit të Krimit Kibernetik në Shqipëri 2021-2025 dhe Plani i Veprimit 2021-2025, ndarë në 4 shtylla kryesore dhe objektiva specifike. Përmbushja e këtyre objektivave do të garantohet nëpërmjet rritjes të kapaciteteve financiare, infrastrukturave administrative, stafit profesionist dhe forcimin e mjeteve ligjore për të siguruar zbatueshmëri. Znj. Bonjaku përmendi mes planeve për të ardhmen për përmirësimin e sektorit të krimit kibernetik shtrirjen e strukturave të hetimit në të gjithë territorin e vendit, përforcimin e mjeteve teknologjike dhe software-ve, rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe trajnimin e vazhdueshëm të tyre me teknikat më të fundit të hetimit dhe parandalimit, si dhe njëkohësisht do të ndërmerren fushata ndërgjegjësimi për publikun dhe se si mund te vetëmbrohen. Një pikë kyçe në këtë fushë është edhe vazhdimi i bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë. Së fundmi, znj. Bonjaku prezantoi një pasqyrë të statistikave të sektorit për vitin 2022, në mënyrë krahasimore edhe me vitin 2021, veprat penale më të shpeshta, duke nënvizuar punën e vazhdueshme të departamentit për hetimin e krimit kibernetik dhe duke listuar disa nga operacionet e suksesshme.

Z. Robert Bohunicky, Ekspert në Byronë e Policisë Kriminale, në Ministrinë e Brendshme të Sllovakisë, bëri një prezantim të gjendjes aktuale legjislative dhe institucionale në Sllovaki, duke u përpjekur të japë edhe disa këshilla praktike për Shqipërinë se si mund të përmirësohet dhe fuqizohet sektori në luftën kundër krimit kibernetik. Për Sllovakinë riorganizimi fillimisht në vitin 2013 dhe më thellësisht më 2022 si krijimi i departamentit specifik për krimet kibernetike ishte një kthesë shumë e rëndësishme, duke krijuar edhe një infrastrukturë rrjeti të veçantë për të rritur efikasitetin e njësisë. Këtu eksperti u ndal të theksonte nevojën për rritjen e stafit dhe ekspertizës në fushën e krimit kompjuterik në mënyrë urgjente për të përballuar ngarkesën e punës. Për këtë arsye, eksperti ndau me të pranishmit planet për rritjen e burimeve njerëzore dhe bisedimet me Ministrinë e Brendshme Sllovake vazhdojnë. Lufta kundër krimit kibernetik është tepër sfiduese, kjo edhe për shkak rritjes së dukshme e kohëve të fundit, pas vrullit të marrë gjatë kohës së pandemisë Covid-19. Gjithashtu për shkak të natyrës dinamike të teknologjisë, modus operandi i individëve të përfshirë në këto aktivitete ndryshon shpesh, duke i bërë më të vështirë për tu ndaluar. Rritja e kapaciteteve njerëzore është e lidhur ngusht edhe me gamën e gjerë të përgjegjësive të Njësisë së Krimit Kibernetik. Këtu nuk përfshihen vetëm veprimet operative dhe hetimore, por gjithashtu krijimi i protokolleve për hetimin e krimeve kibernetike, trajnimi dhe asistimi i njësive të tjera të policisë kriminale kur ndeshen me krimet kibernetike, bashkëpunimi me agjencitë dhe platformat ndërkombëtare. Ndaj edhe Njësia e Krimit Kibernetik në Sllovaki ndahet në dy sektorë, për të organizuar dhe ndarë më efektivisht përgjegjësitë. Eksperti sllovak theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi i ngushtë me agjencitë ndërkombëtarë, shtetet fqinje dhe pjesëmarrja efektive në platformat e përbashkëta. Këtu ai përmendi si tepër të rëndësishme EMPACT, një platformë instrumentale Europiane për bashkëpunimin operacional multidisiplinor dhe multiagjenci, me të cilën kanë pasur një bashkëpunim frytdhënës. Gjithashtu, forcat sllovake bashkëpunojnë edhe me sektorin privat në luftën kundër krimit kibernetik, të cilët falë teknologjive që zotërojnë ofrojnë informacione operacionale mbi kërcënimet aktuale në vend si viruset, malware, e-mail phishing etj. Së fundi, z. Bohunicky u shpreh edhe për nevojën e ndërgjegjësimit të publikut, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë lidhur me rreziqet e krimit kibernetik, duke ndarë disa praktika të mira që Sllovakia ka ndërmarrë në këtë drejtim.

Znj. Suela Jahaj, Drejtore në Drejtorinë e Integrimit, Koordinimit, Marrëveshjeve dhe Asistencës, moderoi diskutimin mes anëtarëve të tryezës, duke iu përgjigjur pyetjeve dhe mirëpritur sugjerime. Gjatë diskutimit u adresua nevoja për një analizë ligjore më të detajuar të Shqipërisë dhe asaj të BE-së, mënyrat e përdoruara nga institucionet përgjegjëse për të kontrolluar lëvizjet e shpeshta të stafit në Policinë e Shtetit dhe përpjekjet e Ministrisë për të trajnuar oficerët dhe tërhequr më shumë specialistë të fushës. Znj. Jahaj theksoi se platforma është një hap në drejtimin e duhur. Kapitulli 23 dhe 24 i acquis së BE-së janë thelbësorë dhe vijnë me një ngarkesë punë voluminoze. Ndaj edhe bashkëpunimi i të gjithë aktorëve dhe ekspertëve do të ndihmojë në krijimin e një udhërrëfyesi me hapa konkretë për të arritur një proces cilësor dhe efektiv.