GP I (Kapitulli 24): Takimet dypalëshe në kuadër të procesit “screening” – përvoja dhe përgatitjet e grupit negociues për kapitullin 23, 29 qershor 2021

Ministria e Drejtësisë dhe Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), në partneritet me Shoqatën Sllovake për Politikën e Jashtme (SFPA) dhe me mbështetjen financiare të Slovak Aid/Asistenca Zyrtare për Zhvillim e Republikës së Sllovakisë, zhvilluan më 29 qershor 2021 konferencën virtuale me temë: “Takimet dypalëshe në kuadër të procesit “screening” – përvoja dhe përgatitjet e grupit negociues për kapitullin 23”.

Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA) moderoi sesionin dhe foli për rëndësinë e Kapitullit 23 në procesin e integrimit europian. Ai u shpreh se shoqëria civile ka një rol të rëndësishëm dhe kontribues duke përmendur ngritjen e Platformës së Partneritetit. Gjipali shtoi se identifikimi i problematikave kryesore dhe unifikimi i qëndrimeve të të gjithë aktorëve të përfshirë lehtësojnë plotësimin e kushteve të kërkuara nga BE.

Znj. Adea Pirdeni, Zëvendësministre e Drejtësisë dhe Negociatore për Kapitullin 23, në fjalën e saj hapëse falenderoi ekspertët dhe të gjithë pjesëmarrësit. Ajo tha se Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me aktorët e shoqërisë civile promovon dhe rrit kapacitetet e strukturave të përfshira në procesin e integrimit. Pirdeni komentoi shkurtimisht dhe vendimin e BE-së për të mos avancuar me negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ajo u shpreh se ky takim informativ është një mundësi e mirë për të përfituar nga përvoja e vendeve si Sllovakia dhe Kroacia duke i dhënë rëndësi orientimit të qasjes drejt rezultatit. Zëvëndësministrja theksoi elementin politik në vendimmarje dhe tha se duhet të jemi të përgatitur për sfidat në procesin screening. Më tej, Pirdeni shpjegoi se Metodologjia e Re e Zgjerimit synon kredibilitet dhe parashikueshmëri për procesin.

Jan Figel, ish-komisioneri europian dhe ish-kryenegociatori për aderimin e Sllovakisë në Bashkimin Europian foli për procesin e zgjerimit duke thënë se politikat e BE-së kanë qenë të suksesshme por nuk kanë përfunduar akoma. Figel dha një panoramë të historikut të marrëdhënieve Sllovaki-BE dhe analizoi kryerjen e referendumit vendas për anëtarësim. Ai tha se Shqipëria duhet t’i kultivojë marrëdhëniet e mira me Komisionin Europian dhe të tregojë maturi duke zbatuar reformat e kërkuara. Ish-komisioneri u shpreh se duke marrë parasysh numrin e lartë të strukturave të përfshira duhet që të ketë qëndrueshmëri institucionale dhe rritje të kapaciteteve administrative. Së fundmi, Figel tha se integrimi europian duhet parë me pozitivitet pasi nuk mund të imponohet dhe se ky proces duhet të bëhet në Shqipëri, nga shqiptarët për Shqipërinë.

Ružica Gelo, eksperte e procesit të integrimit europian të vendeve kandidate dhe negociatore për disa nga kapitujt në procesin e negociatave BE-Kroaci shpjegoi në prezantimin e saj fazat pasardhëse në rastin e hapjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Ajo tha se reformat fillojnë dhe mbarojnë me dëshirën politike dhe gatishmërinë për të ndryshuar shoqërinë. Me fillimin e negociatave dhe hapjen e Konferencës bëhet një takim i nivelit të lartë me përfaqësuesit e të dy palëve negociuese dhe më pas vijon takimi në nivel teknik me në fokus kapitullin 23. Kjo fazë i jep mundësinë Shqipërisë për të shpjeguar nivelin e arritur të harmonizimit të legjislacionit me Acquis e BE dhe renditjen e arritjeve të tjera. Theksi vihet te zbatimi dhe planet për të ardhmen duke qenë se Komisioni Europian e monitoron nga afër të gjithë procesin. Më tej, KE kërkon prezantime të bazuara në axhendën e takimeve shpjeguese ose në disa raste dhe plotësimin e pyetësorëve. Raporti i 2020 për Shqipërinë tregon se nuk ka një raportim të mirëfilltë dhe një sistem të besueshëm duke lënë hapësirë për përmirësime në aspektin ligjor, atë të burimeve njerëzore dhe në buxhet. Gelo shtoi se ekspertët duhet të jenë vendas dhe se mungesa e njohurive të gjuhës angleze nuk duhet të përbëjë problem.

Znj. Najada Shundi, Shefe e Njësisë për Integrimin Europian pranë Ministrisë së Drejtësisë dha një panoramë të qartë të të gjithë fazave që ka kaluar Shqipëria deri më sot për sa i përket integrimit europian. Ajo e filloi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në 2006 dhe përfundoi me vendimin e marrë së fundmi për shtyrjen e Konferencës Ndërqeveritare. Shundi foli dhe për strukturat shtetërore dhe grupet ndërinstitucionale përgjegjëse për procesin e negociatave. Më tej sqaroi se takimi shpjegues për kapitullin 23 u zhvilluan në datat 27-28 shtator 2018 në Bruksel. Acquis për këtë kapitull përbëhet nga një vëllim prej 126 aktesh, “hard acquis”  61 akte  dhe “soft acquis” ” 65 akte dhe ndahet ne tre nënkapituj tematik:  Nënkapitulli “Gjyqësori”; Nënkapitulli “Anti-Korrupsioni” dhe Nënkapitulli “Të Drejtat Themelore”. Në vitin 2019, filloi procesi i hartimit të tabelave të përputhshmërisë (TOC), proces i cili nuk ishte realizuar më parë për këtë kapitull. Paralelisht vijoi puna dhe për IAGA (strukturat për kapacitetet institucionale dhe administrative që do të mbulojnë acquis). Në vitin 2020 u krye përditësim i LGA-ve, duke përfshirë dhe gjetjet e ToC.  Përgjatë vitit 2021, puna ka vijuar dhe po vijon për konsolidimin e të gjitha gjetjeve te dokumenteve të LGA-së, ToC dhe IAGA. Së fundmi, Shundi përmendi ngritjen e Platformës për Integrimin Europian dhe asistencën e huaj teknike.

Diskutim i hapur: Pyetjet u ngritën mbi arritjen e balancës mes Metodologjisë së Re të zgjerimit me shtetet anëtare që nacionalizojnë procesin në përputhje me interesat e tyre, mbi reformat thelbësore për avancimin e procesit, ndryshimet mes road- maps dhe action plans si dhe rolin e shoqërisë civile dhe botës akademike në procesin e integrimit.

Youtube link: