Në datë 08 korrik 2022 u mbajt tryeza e diskutimit mbi ligjin e mbrojtjen e të dhënave personale. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian, Tryeza për Kapitullin 23 dhe Konventës Kombëtare për Integrimin Europian 2021-2023 organizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Lëvizja Europiane në Shqipëri. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga institucionet shtetërore të linjës si Ministria e Drejtësisë, sektori i shoqërisë civile, dhe universitetet. Aktiviteti u zhvillua në formantin hibrid, me pjesëmarrje fizike në mjediset e Xheko Hotel Imperial dhe online në platformën ZOOM.
Takimi u hap nga Zv. Ministrja e Drejtësisë, Adea Pirdeni, e cila falenderoi anëtarët e tryezës për pjesëmarrjen dhe u shpreh se Ministria e Drejtësisë ka filluar të merret dhe të ndajë këtë projektligj me grupet e interesit që prej qershorit, duke e vënë informacionin e duhur në faqen e tyre zyrtare si dhe duke përfshirë organizatat e shoqërisë civile dhe aktorë të fushës së biznesit në konsultimin e këtij projektligji. Projektligji, u shpreh ajo, synon që të forcojë mekanizmin e mbrojtjes duke shtuar kategoritë e të drejtave dhe të forcoj detyrimet ndaj kontrolluesve. Qëllimi i projektligjit sipas Pirdenit, është të japë një kuadër më të gjerë se si do duhet të zhvillohet procesi i garantimit të të dhënave, të fuqizohen mekanizmat e kontrollot dhe sanksionet në përputhje të plotë me mbrojtjen e të dhënave personale.
Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i EMA theksoi punën që duhet të vazhdojë për hartimin dhe përditësimin e legjislacionit dhe përgatitjen e institucioneve, të lidhura me ngritjen e kapaciteteve, të cilat janë një faktor shumë i rëndësishëm i gjithë procesit. Ai u shpreh se do të ketë gjithnjë e më shumë nevojë për nisma dhe aktivitete për ndërtim kapacitetesh, jo vetëm për strukturat e administratës publike, por dhe për grupet e tjera të interesit që janë shumë të lidhura me çështjet e Kapitullit 23. Ai nënvizoi që Kapitulli 23 është i një rëndësi të veçantë për momentin ku ndodhet vendi, pasi ai është një nga kapitujt e parë që do të hapen për tu futur në BE, siç ka ndodhur dhe me vendet e tjera që i kanë hapur tashmë negociatat si Serbia apo Mali i Zi.
Elona Bano, Drejtore për Integrimin dhe Negociatat në Ministrinë e Drejtësisë theksoi se objektivat e Urdhrit të Kryeministrit Nr. 113 të vitit 2019 për format e pjesëmarrjes, funksionimit dhe strukturën e Platormës së Partneritetit për Integrimin Europian janë disa, ku më kryesoret përmenden: ndërgjegjësimi publik mbi procesin e anëtarësimit në BE, shpjegimi i rëndësisë së këtij procesi mbi shoqërinë, ekonominë dhe gjithë vendin, dhe të sigurohet ajo që është më e rendësishme, qasja e shoqërisë civile në këtë proces, që siç edhe Bano nënvizoi duhet të jetë i gjithëkuptuar. Ajo sqaroi që Tryeza për Kapitullin 23 u themelua në 2020 dhe kishte vetëm 9 anëtarë, dhe tani pas thirrjes së tretë janë 12 anëtarë që vijnë nga bashkitë, 18 përfaqësues nga bota akademike dhe 8 institute dhe shoqata që bëhen gjithsej 38 anëtarë për Kapitullin 23. Anëtarët e tryezës nuk takohen vetem në takime të mëdha, por i japin rëndësi dhe mbledhjeve dhe bisedave me grupe më të vogla e më specifike, si dhe ajo përmendi që një mock trial është realizuar për këtë temë në mënyrë që pjesëamrrësit të kenë sa më shumë mundësi për të dëgjuar e informuar, si dhe për tu shprehur.
Ilir Bejko, Drejtor i së Drejtës Publike, Drejtoria e Përgjithshme e Kodifikimit dhe Harmonizimit të Legjislacionit, Ministria e Drejtësisë i kushtoi vëmendje pyetjes“Si mund të mbrohen të dhënat?”. Ai sqaroi se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë garanton në nenin 35 të saj mbrojtjen e të dhënave personale dhe i graranton secilit individ që të vendos vetë se cilat janë ato të dhëna personale që dëshiron të bëjë publike dhe lejon të përdoren nga të tretët. Bejko sqaroi se kjo e drejtë ka shpërblyer si bazë për projektligjin e ri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i cili synon mbrojtjen e të dhënave personale në Republikën e Shqipërisë. Për Ministrine e Drejtësisë, ky projektligj sipas tij, konsiderohet i një rendësie shumë të veçantë, pasi ai do ti garantojë çdo qytetari mbrojtjen nga keqpërdorimi i të dhënave personale si dhe mbrojtjen e sferës private sipas parimeve të përcaktuara dhe në GDPR. Në bazë të këtij projektligji përpunimi i të dhënave do të duhet të realizohet vetëm kur ka një qëllim/arsye të caktuar dhe ato duhen fshirë menjehërë nëse qellimi nuk ekziston. Përveç kësaj janë shtuar dhe masa e sanksione që ndalojnë keqpërdorimin e këtyre të dhënave. Të prekurit kanë të drejtë të informohen për përpunimin e të dhënave të tyre dhe sipas rastit ta kundërshtojnë këtë procedure, apo të kërkojnë saktësi. Ai thekso dhe njëherë që është shumë e rëndësishme marrja e opinionit të shoqërisë civile përsa i përket mbrojtjes së të dhënave personale pasi dhe vetë Ministria e vlerëson këtë proces si thelbësor për realizimin e një ligji sa më të mirë.
Blerta Xhako, Drejtore e Çështjeve Juridike dhe Integrimit, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale shpjegoi se gjatë vitit 2021-2022 është zbatuar projekti i binjakëzimit nëpërmjet disa ekspertëve austriakë dhe italianë që është i përbërë nga 3 komponentë, i pari është realizimi i një draftligji për mbrojtjen e të dhënave personale dhe hartimi ose rishikimi i udhëzimeve pra i akteve nënligjore, i dyti është forcimi i kapacitetit të stafit në zyrat e komisionerit me risitë që sjell projektligji për mbrojtjen e të dhënave personale dhe së fundi ndërgjegjësimi i të gjithë kontrolluesve publikë dhe privatë mbi risitë e ligjit. Xhako sqaroi se qëllimi i këtij projekti është zhvillimi i të drejtave të subjektit të të dhënave, rritja e një niveli kontrolli më të lartë duke forcuar disa të drejta që ai aktualisht i gëzon, por që tani janë më të detajuara dhe më të hollësishme. Risitë si e drejta për tu harruar, që është e drejtë e re e përfshirë në legjislacionin shqiptar dhe që lidhet me të drejtën që ka subjekti dhe çdo qytetar që në rast se ai dëshiron të bëj një fshirjë të të dhënave personale nga të gjithë motorëët e kërkimit online siç jane google ose rrjetet sociale, të gjithë operatorët kanë detyrim të plotësojnë kërkesën e individit dhe nëse vlerësojnë të arsyeshme bazuar dhe në atë çfarë ligji prashikon, duhet ti fshijnë, pasi këto të dhëna mund të ndikojnë negativisht në reputacionin e personit të prekur.
Zuzana Motúzová, juriste dhe eksperte sllovake për mbrojtjen e të dhënave gjatë fjalës së saj prezantoi në detaje se si po zbatohet GDPR në legjislacionin e brendshëm sllovak – duke u përqendruar te parimet kryesore dhe implikimet që zbatimi i kësaj rregulloreje ka. Rregullorja e përgjithshme e mbrojtjes së të dhënave e cila ndryshoi mbrojtjen e të dhënave personale në BE e njohur dhe thjesht si GDPR- ka bërë të mundur unifikimin e përgjithshëm të mbrojtjes së tyre në nivel të gjithë Bashkimit Europian, si dhe ka përforcuar neutralitetin teknik dhe zbatimin e përgjegjshëm të masave adekuate të sigurisë së informacionit.
Gjithashtu, Motúzová vuri theksin te fakti që duhet të merret parasysh që GDPR zbatohet nga sektori publik dhe ai privat, duke rritur nivelin e përgjegjshmërisë dhe detyrimeve për të dy sektorët. Ajo nënvizoi të drejtat që GDPR garanton, duke u ndalur te e drejta për t’u harruar si një sfidë ligjore dhe teknike. Ndër të tjera ajo shpjegoi dhe listën e të dhënave që mund të përpunohensi dhe i kushtoi vëmendje të veçantë të dhënave personale biometrike, përpunimi i të cilave është i ndaluar, përveç nëse GPDR e lejon këtë (neni 9 par. 2). Ajo në përfundim të fjalës së saj ofroi disa rekomandime se si duhet institucionet dhe aktorët e prekur dhe qytetarët të përgatiten ndaj ndryshimeve dhe efekteve që sjell zbatimi i legjislacionit të përafruar me GDPR, duke dhënë dhe raste konkrete nga Sllovakia dhe shembuj të praktikave të suksesshme. Motúzová vëmendje i kushtoi dhe rolit që duhet të luajë Autoriteti për mbrojtjen e të dhënave personale.
Pjesa e dytë e takimit iu kushtua diskutimeve dhe komenteve nga ana e pjesëmarrësve, anëtarë të tryezës për Kapitullin 23 ku nuk munguan pyetjet dhe rekomandimet e ofruara në lidhje me disa fusha e çështje të përmendura dhe gjatë prezantimeve, me fokus përgatijen e projektligjit por dhe ngritjen e kapaciteteve për zbatimin e tij pas miratimit dhe informimit mbi risitë, të drejtat dhe procedurat e parashikuara.