GP I (Kapitulli 23): E drejta e Pronës në kuadër të Kapitullit 23, 22 dhjetor 2022

Më 22 dhjetor 2022 u mbajt në Tiranë sesioni i dytë për Grupin e Punës I “Gjyqësori dhe Të Drejtat Themelore”, me temën “E drejta e Pronës në kuadër të Kapitullit 23”. Ky takim u mbajt në sajë të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian që zbatohet nga EMA dhe Slovak Foreign Policy Association (SFPA) me mbështetjen financiare nga SlovakAid.

Takimi nisi me një fjalim hapës nga Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i EMA, i cili foli mbi rëndësinë e GPI, pasi Kapitulli 23 është jo vetëm një ndër më kompleksët e acquis së BE-së, por edhe më thelbësorët për arritjen e standardeve Europiane. Ai theksoi se këto konsultime me palët e interesit janë të nevojshme që procesi i integrimit të sjellë ndryshime reale dhe pozitive që do të gjejnë zbatueshmëri. 

Më pas fjalën e mori Andrej Leontiev, përfaqësues nga firma ligjore Taylor Wessing, Bratislavë, i cili së bashku me kolegen e tij Kristina Kesnerova ishin ftuar në cilësinë e ekspertëve. Së bashku Leontiev dhe Kesnerova, dhanë një përmbledhje të sistemit të regjistrimit të pronave në Sllovaki, ndryshimet që solli integrimi në BE dhe mënyrën e përshtatjes. Për vendet e dala nga regjime komuniste si Shqipëria, Sllovakia dhe shumë shtete të tjera, njohja dhe regjistrimi i pronësisë janë sfida të vërteta sidomos krijimi i regjistrave publikë dhe elektronik në standardet e BE-së. Në këtë dritë mësimet nga praktika sllovake si parimi i publicitetit [bërja publike e disa të dhënave], regjistrat e kadastrës elektronike lehtë të aksesueshëm nga publiku pa kosto dhe mënyrat e garantimit të vërtetësisë së të dhënave në regjistrat publikë, janë të një rëndësie të veçantë. Më tej prezantimi i ekspertëve sllovakë trajtoi nocionin e transparencës në BE, si një objektiv i politikave për interesin publik dhe publicitetin në një ndër disa mjete për ta arritur atë. Bërja publike e disa të dhënave mbi një pronë të caktuar siguron dhe mbron titujt e pronësisë në praktikë nga situata të mundshme të kundraligjshme. Megjithatë, këtu Leontiev ndalon të përmendë edhe disa problematika që regjistrat elektronikë publikë mund të sjellin si lidhur me normat për mbrojtjen e të dhënave personale (GDPR), kostot administrative për mirëmbajtjen e sistemit, barrierat e gjuhës, përshtatjen e sistemeve me ndryshimet në legjislacion etj. 

Aktiviteti më pas vijoi me prezantimin e Prof.Asoc. Denard Veshi, i cili analizoi impaktin që e drejta private europiane ka dhe do të ketë më konkretisht tanimë për shkak të nisjes së procesit të negociatave, në legjislacionin shqiptar. Veshi foli mbi rëndësinë dhe risitë e Rregullores (BE) 650/2012 për Trashëgiminë [e pronave], ndikimin e saj në legjislacionin e shteteve anëtare dhe jo anëtare. Më pas ai vijoi me një analizë të ndryshimeve ndër vite të neneve përkatëse për trashëgiminë në Kodin Civil të RSh duke e krahasuar edhe me ato të vendeve fqinje, anëtare në BE. Për sa i përket ndryshimeve specifike që ka sjellë në legjislacionin shqiptar, u përmendën ndikimi i Rreg. (BE) 650/2012 në reformën ligjore të vitit 2013 dhe ligjit për noterët në 2018. Gjithashtu, Veshi bëri një reflektim mbi disa mospërputhje mes ligjit aktual shqiptar dhe rregullores europiane, si dhe instrumentet e nevojshme në sistemin ligjor shqiptar për të zbatuar mekanizmin e përshtatjes me Rreg. 650/2012.