GP – Drejtësi, Liri, Siguri (Kapitulli 24): Udhërrëfyesi për Shtetin e së Drejtës dhe hapat e mëtejshëm pas çeljes së Grupimit 1: Themeloret, 7 dhjetor 2023

U zhvillua në Tiranë, më 7 dhjetor 2023 Tryeza për Grupin e Punës për Kapitullin 24 në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian dhe Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian, nga Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe Ministria e Brendshme e Shqipërisë. Me pjesëmarrjen e aktorëve të shoqërisë civile, ekspertëve të përfshirë në çështjet e kapitullit 24, përfaqësues nga universiteti dhe profesionistë përfaqësues nga administrata publike, fokusi i diskutimit ishte prezantimi i Udhërrëfyesit për Shtetin e së Drejtës dhe hapat konkrete që priten pas hapjes së negociatave për Grupimin 1 të kapitujve – Themeloret pas procesit screening të përfunduar me sukses për Shqipërinë.

Besfort Lamallari, Zëvendës Ministër i Brendshëm hapi takimin, dhe në fjalën e tij ai bëri një pasqyrë të qartë të procesit si ka shkuar deri tani dhe u ndal në disa elemente me rëndësi të lidhura me Udhërrëfyesin për Shtetin e së Drejtës, një dokument që është përgatitur nga Ministria e Brendshme në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë si dy institucionet përgjegjëse për negociatat për Kapitullin 23 & 24. Lamallari theksoi që pjesëmarrja në Bashkimin Europian sjell stabilitet dhe prosperitet, dhe progresi i bërë deri më tani është meritë e punës dhe angazhimit të bërë nga administrata dhe aktorët e tjerë që kanë bashkëpunuar, që kanë marrë gjithashtu vlerësime pozitive dhe nga Komisioni Europian. Është pozitive theksoi ai që ky proces nuk ka shkuar pas, por ajo që pritet në vijim kërkon dhe më shumë përpjekje, punë dhe produkte konkrete dhe të realizuara. Sa i përket Udhërrëfyesit për Shtetin e së Drejtës me fokus çështjet që mbulohen nga Kapitulli 24, Lamallari bëri një analizë të zhvillimeve legjislative, por dhe prioriteteve dhe masave të planifikuara për tu realizuar në vazhdim. Në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, ai përmendi që është prioritare Ngritja e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve, që do të ngrihet në Shqipëri për herë të parë. Një element tjetër prioritar është dhe ngritja e kapaciteteve kufitare, ku sipas Lamallarit sezoni turistik i këtij viti, ku janë pritur rreth 9 milionë turistë nxori në pah sfidat e policisë së kufirit për të menaxhuar këtë fluks që lidhen sipas tij në tre drejtime: 1) ngritje kapacitetesh, 2) rritje e bashkëpunimit me kolegët europianë, 3) përmirësimi i teknologjisë. Sa i përket luftës kundër drogave, zëvendës ministri nënvizoi bashkëpunimin që MB ka me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale jo vetëm për të identifikuar drogat e reja dhe për të shtuar luftën kundër tyre, por mbi të gjitha duke e prekur atë në një rrafsh horizontal ku kombinohet lufta kundër drogave, me parandalimin, me trajtimin e personave përdorues të tyre dhe mbrojtjes sociale dhe shëndetin publik. Ai në përfundim përmendi se për vazhdimësinë e procesit është i nevojshëm bashkëpunimi mes institucioneve dhe agjencive shtetërore, ku përmendi si rast suksesi pjesëmarrjen dhe prezantimet së bashku të tre agjencive gjatë procesit screening, Policisë, Prokurorisë dhe SPAK si dhe theksoi përfshirjen dhe kontributin dhe të aktorëve të shoqërisë civile dhe anëtarëve të Platformës, pasi ky proces do të kërkojë kohë, resurse financiare dhe burime njerëzore.

Gledis Gjipali, Drejtori ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri gjatë diskutimit të tij u ndal te përfshirja e aktorëve të shoqërisë civile në proces, duke hedhur dritë dhe mbi gjetjet e Raportit të Komisionit Europian për shoqërinë civile dhe duke bërë një krahasim dhe me situatën në vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Gjipali theksoi që është administrata publike, motori në bërjen e reformave, ligjeve dhe politikave që duhet të ndërmerren dhe ky është një proces që kërkon angazhim dhe energji, dhe mbi të gjitha bashkëpunimin dhe me aktorët jo-shtetërorë që mund të kontribuojnë. Rasti i tryezave për kapitullin 24 janë një shembull pozitiv, për bashkëpunimin e mirë dhe të frytshëm që është vendosur ndërmjet aktorëve shtetërorë dhe atyre të shoqërisë civile. Thënë kjo, sipas Gjipalit përsëri është e nevojshme dhe kërkohet, që përfshirja e aktorëve të shoqërisë civile të zgjerohet më tej, të thirren e të përfshihen më shumë, dhe të ofrohet mundësia që të informohen për të kuptuar rëndësinë e procesit dhe vlerën e kontributeve të tyre. Ai theksoi që është e rëndësishme që të kapitalizohet ky moment i mirë bashkëpunimi për të krijuar një kanal dialogu dhe bashkëpunimi të qëndrueshëm mes palëve, sidomos për procese që janë të gjata dhe kërkojnë vite. Vlerësimi i Komisionit për shoqërinë civile në Shqipëri vazhdon të mbetet i njëjtë me atë të një viti më parë ku Udhërrëfyesi për Shoqërinë Civile nuk është efektiv si dhe puna e Këshillit Kombëtar për Shoqërinë Civile nuk ka ecur para. Ka një vlerësim pozitiv sa i përket procesit të konsultimit publik, por ende ka mangësi në disa fusha dhe në këtë drejtim. Gjipali theksoi se në përgjithësi vlerësimi i raportit të Komisionit për Shqipërinë ka qenë pozitiv dhe ka të paktën në tre vitet e fundit që flitet për progres, ndryshe nga disa vende të BP që kanë regres apo kanë mbetur në vend.

Aleksandar-Andrija Pejović, ish-negociator i Malit të Zi për Integrimin Europian theksoi mbi të gjitha që Udhërrëfyesi për Shtetin e së Drejtës është një nga dokumentet më të rëndësishëm të vendit mbi çështjet e lidhura me shtetin e së drejtës dhe është një kombinim i planifikimit strategjik nga njëra anë, me hapat konkrete që duhet të ndërmerren nga ana tjetër. Ai do të udhëheqë Shqipërinë për nismat dhe reformat që duhet të ndërmerren në vitet në vazhdim në kuadër të procesit të negociatave. Ai argumentoi se udhërrëfyesi është një dokument praktik, më i thjeshtë për tu ndjekur se sa një dokument planifikues, pasi ai përcakton cilat janë prioritetet strategjike dhe politike të vendit dhe cilat janë masat dhe hapat konkrete që duhet të ndërmerren për ti arritur këto prioritete. Për Pejović, gjatë këtij procesi edhe shoqëria civile mund të luajë rolin e saj dhe të kontribuojë konkretisht sidomos sa i përket monitorimit të tij dhe realizimit të raporteve dhe dokumenteve monitorues dhe vlerësues. Ai përmendi si një shembull pozitiv punën që OSHC-të në Serbi bëjnë, duke realizuar ato që njihen si shadow reports, raporte që vet shoqëria civile përgatit me fokus shtetin e së drejtës pas monitorimit të punës së institucioneve publike përgjegjëse, dhe që krahasojnë raportimet e nxjerra nga vet ato. Ai duke shpjeguar procesin e negociatave, nënvizoi që për secilin kapitull (23 dhe 24) marrë shkas dhe nga eksperienca e Serbisë dhe Malit të Zi, mund të ketë rreth 20-30 piketa të ndërmjetme që do i kërkohen vendit për ti realizuar dhe kjo mund të jetë një element me rëndësi ku të përfshihet dhe shoqëria civile me ekspertizën e vet, për të asistuar për realizimin  e tyre por dhe për të monitoruar procesin. Sa i përket shtetit të së drejtës elementet ku Shqipëria, sipas tij duhet ta vendosi më shumë theksin janë te rritja e numrit dhe kapaciteteve të burimeve njerëzore, mjetet teknike që do të nevojiten, ngritja e agjencive dhe strukturave të reja si dhe një track record realist dhe i qëndrueshëm ( ku vlerësohet jo vetëm numri i rasteve dhe konfiskimeve, por dhe rëndësia e madhësia e tyre). Në përfundim ai u shpreh që për një përfshirje sa më të qenësishme të OSHC-ve në proces, dialogu me institucionet publike dhe koordinimi sa më i mirë i punës është kyç. Ky bashkëpunim mes dy palëve do të bëjë të mundur që të ndahen eksperienca dhe të rriten kapacitetet nga të dyja anët. Ai përfundoi duke theksuar se progresi për Grupkapitullin 1 është thelbësor, pasi nëse nuk ka progres aty nuk do të ecë procesi as në grupkapitujt e tjerë.

Tryeza pati diskutime dhe rekomandime të nxjerra nga anëtarët e tryezës për Kapitullin 24, ku në fokus të veçantë u vendos mënyra si mund të përfshihen dhe informohen më mirë anëtarët e shoqërisë civile për fazat e ardhshme të procesit, mundësitë për bashkëpunime për aktivitete dhe nisma të përbashkëta të lidhura me çështjet e Kapitullit 24 si konfiskimi i aseteve, krimi kibernetik si dhe rritja e bashkëpunimit me universitetet dhe lektorë që mund të ofrojnë ekspertizën e tyre dhe të informojnë dhe studentët e të rinjtë për procesin.