
Lëvizja Europiane në Shqipëri në bashkëpunim me Ambasadën Sllovake në Shqipëri, në kuadër të Konventës për Integrimin Europian, zhvilloi më datë 16 mars 2017, një vizitë studimore ndjekur nga një forum diskutimi me fokus “Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Sigurinë Ushqimore”.
Gjatë vizitës së realizuar në një nga fabrikat e mishit në vend që përmbush të gjitha standardet e vendosura nga Bashkimi Europian mbi sigurinë ushqimore dhe cilësinë e ushqimit, të rinjtë dhe studentët pjesëmarrës u njohën më nga afër më gjithë procesin e përpunimit të mishit që nga rritja dhe ushqimi deri tek pastrimi dhe përpunimi i tij e më pas dalja në treg dhe konsumimi. Gjatë vizitës pjesëmarrësit vizituan ambientet përkatëse dhe u njohën me të gjithë procesin, ku u diskutua mbi temat kryesore që lidhen me respektimin e standardeve dhe sigurisë, për të nxjerr në fund një produkt të sigurt për t’u konsumuar, duke përmbyllur ciklin nga ferma në tavolinë.
Pas vizitës, një forum diskutimi mes ekspertëve dhe pjesëmarrësve u zhvillua.
Z. Gledis Gjipali, drejtori ekzekutiv i EMA, bëri një prezantim të shkurtër të nismës dhe rëndësisë që ajo ka jo vetëm për informimin dhe përfshirjen e të rinjve, por edhe për procesin e integrimit europian, mbi arritjen e standardeve dhe respektimin e kritereve për fusha me rëndësi si mbrojtja e konsumatorit dhe siguria ushqimore. Një risi është edhe fakti që për sa më shumë përfshirje, aktivitetet nuk do të zhvillohen vetëm në Tiranë, siç ndodh në të shumtën e rasteve por edhe në qytete të tjera ku këto fusha janë më të prekshme dhe më të ndjeshme. Kjo është dhe një arsye pse është përzgjedhur Lushnja, si një qytet me rëndësi në zhvillimin e prodhimeve ushqimore, bujqësore apo shtazore qofshin.
Znj. Luljeta Çuko, eksperte pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ofroi një pamje të qartë jo vetëm të legjislacionit shqiptar dhe zhvillimeve të fundit, por edhe mangësive dhe rrugës së gjatë që Shqipëria duhet të ndjekë për të plotësuar të gjithë kërkesat që vijnë nga Bashkimi Europian. Sipas znj. Çuko, siguria ushqimore është e vetmja çështje që nuk mund të negociohet, por që duhet të përmbushet plotësisht nga shteti shqiptar. Ajo nga ana tjetër bëri një dallim mes cilësisë së produktit dhe sigurisë, duke theksuar që pavarësisht sa cilësor është një ushqim, ai duhet domosdoshmërisht të jetë i sigurt. Një hap i rëndësishëm i ndërmarrë së fundmi nga autoritetet shqiptare është edhe ndarja në kategori e stabilimenteve që përpunojnë ushqimin në Shqipëri, ku sipas znj. Çuko ato ndahen në katër nivele: A (për ato që kanë arritur pjesën më të madhe të kritereve dhe kërkohet vetëm investim në më pak se 30%), B, C dhe D ku në grupin e fundit do të futen ata operatorë që nuk plotësojnë asnjë kriter të cilësisë, siç janë për shembull baxhot. Duke përmendur institucionet përgjegjëse të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së konsumatorit në Shqipëri, ajo bëri një ndarje të qartë mes Ministrisë si një institucion politikë-bërës dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit si një institucion zbatues dhe kontrollues. Si përfundim theksoi që Shqipëria po zhvillon legjislacionin e saj që të jetë në përputhje me rregulloren më të rëndësishme të BE-së në lidhje me ushqimin dhe sigurinë ushqimore, Rregullorja 178/2002.
Z. Florian Xhafa, jurist dhe ekspert i fushës së Mbrojtjes së Konsumatorit analizoi strukturën dhe elementët e legjislacionit që përfshihen në këtë fushë. Duke theksuar faktin që siguria ushqimore është vetëm një pjesë e Mbrojtjes së Konsumatorit, ajo ofron të drejta që derivojnë nga e drejta private: si e drejta e jetës, e shëndetit dhe ajo e zhvillimit ekonomik. Ndërkohë që dy të drejtat e para përfshijnë marrëdhënien prodhim-konsumator, e fundit përfshin atë mes operatorit dhe prodhimit. Të drejta të tjera janë edhe e drejta për informimin dhe ajo për pjesëmarrjen, si dhe e drejta e ankimimit. Kur vjen puna për këtë të fundit, dy janë institucionet përgjegjëse që pranojnë ankesat: Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit dhe AKU. Për të dërguar një ankesë është e nevojshme të ndiqet procedura përkatës. Një element i rëndësishëm në fjalën e z. Xhafa ishte përcaktimi i përgjegjësisë për sigurinë e produktit: a është kjo përgjegjësi e institucioneve shtetërore apo të atyre private (duke filluar nga fermerët, te përpunuesi i mishit, transportuesi, shitësi, konsumatori). Sipas z, Xhafa përgjegjësia nuk është e entit publik por e operatorëve private, duke theksuar që e vetmja përgjegjësi që kanë institucionet shtetërore është të identifikojë ku është problemi gjatë zinxhirit të procesit nga ferma në tavolinë. Për këtë është e rëndësishme sistemi i Gjurmueshmërisë që e lehtëson mjaft identifikimin e problemeve të tilla.
Aktiviteti u shoqërua nga pyetje dhe diskutime me pjesëmarrësit, të cilët patën shumë interes për diskutim rreth çështjeve me dimension praktik, dhe jo vetëm teorik.