Lëvizja Europiane në Shqipëri në partneritet me Slovak Foreign Policy Association, me mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Integrimit Europian organizoi më datë 19 janar 2016 sesionin e dytë të Grupit të Punës I me temë “Zgjidhja e çështjeve ligjore në sajë të ndërmjetësimit”.
Takimi u hap nga z. Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, i cili shpjegoi funksionimin e Grupit të Punës të mbajtur në kuadër të Konventës për Integrimin Europian, si një urë lidhëse mes institucioneve shtetërore dhe aktorëve të shoqërisë civile. Meqënëse ndërmjetësimi konsiderohet si një alternativë shumë e mirë për zgjidhjen e konflikteve zgjidhje mjaft efektive e për më tepër është në linjë me kërkesat e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, u konsiderua i nevojshëm trajtimi i tematikës nga grupi I punës Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore. Sipas Z. Gjipali, tryeza shërben për të nxjerrë platforma rekomandimesh të rëndësishme lidhur me trajtimin e çështjeve të ndërmjetësimit, ofrimit të një zgjidhjeje më të lehtë gjyqësore për qytetarin, si dhe ndihmon në arritjen e një standardi të nevojshëm për të avancuar në përmbushjen e prioriteteve të BE-së drejt rrugëtimit të hapjes së negociatave. Ky proces, sipas z. Gjipali ka nevojën e një transparence dhe gjithëpërfshirjeje, për njohjen e çështjeve të ndërmjetësimit, për arritjet dhe sfidat në vazhdimësi, bashkëpunimin me median dhe grupet e tjera të interesit.
Znj. Tetis Lubonja, Drejtore e Drejtorisë së Integrimit dhe Projekteve në Ministrinë e Drejtësisë gjatë fjalës së saj theksoi se roli i Ministrisë së Drejtësisë është mbikëqyrës dhe mbështetës i funksionimit dhe veprimtarive të Ndërmjetësimit. Në sajë të evidentimeve të kryera, u shpreh për praninë e një sërë problematikash në sistemin gjyqësor si: mbingarkesë pune të gjykatave në Shqipëri, realizimi i seancave gjyqësore me diferencë të madhe kohore nga njëra-tjetra, burokraci që rezulton të jetë e lartë, kosto të papërballueshme për qytetarët dhe besimi i ulët i publikut ndaj vendimeve të gjykatave. Për një sistem gjyqësor efikas dhe transparent, znj. Tetis u shpreh se nevojitet shumë punë dhe bashkëpunim. Ajo vlerësoi punën e shërbimit të ndërmjetësimit në ndihmë të qytetarëve, por si një iniciativë që duhet afirmuar për ta kthyer në një traditë të konsoliduar. Përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësisë foli dhe për rëndësinë e Projektit të Binjakëzimit, një mbështetje me ekspertizë dhe praktikat më të mira nga BE për ofrimin e zgjidhjeve alternative të situatave konfliktuale në Shqipëri.
Sesioni i II i Grupit të Punës të Gjyqësorit dhe të Drejtave Themelore u moderua nga Znj. Vjollca Meçaj, eksperte e grupit të punës dhe Drejtore Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Ajo përshëndeti Grupin e Punës dhe vuri në dukje nevojën e shoqërisë shqiptare për ndërmjetësimin, si një hap i lehtësimit të problematikave të ndryshme qytetare. Ajo u shpreh se këto problematika rrjedhin nga një mungesë e përgatitjes së qytetarit me demokracinë dhe mënyrën e funksionimit të saj, duke nisur kryesisht nga problemet me pronën private. Znj. Meçaj bëri një analizë të situatës konfliktuale ndër vite në Shqipëri dhe përsëri theksoi se shoqëria shqiptare nuk përbën një shoqëri konfliktuale në vetvete, por një shoqëri të mbushur me konflikte si pasojë e natyrës së sistemit politik me probleme korruptive. Për sa i përket ndërmjetësimit, ajo e vlerësoi atë si një praktikë të hershme të historisë sonë, duke përmendur zgjidhjet e hasmërive dhe situatave të gjakmarrjeve. Ajo e vlerësoi rolin e ndërmjetësimit si lehtësues jo vetëm për ngarkesën e madhe të sistemit gjyqësor, por dhe për qytetarin dhe zgjidhjen në kohë dhe pa kosto të konflikteve. Për znj. Meçaj roli i institucioneve shtetërore është mjaft i rëndësishëm, pasi këto të fundit duhet të ndihmojnë në zhvillimin e ndërmjetësimit dhe rritjen e informimit mbi avantazhet e tij, që më pas edhe publiku të ketë mundësi të përfshihet.
Znj. Drita Avdyli, Kryetare e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve në Shqipëri (DHKN) foli mbi rezultatet pozitive të punës dy vjeçare të institucionit që drejton. Misioni i DHKN-së është sigurimi i një alternative të re me anë të marrëveshjeve gjyqësore me më shumë transparencë dhe kohë të shkurtër, duke ndihmuar në efektivitetin dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë. Z. Advyli prezantoi disa karakteristika të ndërmjetësuesit si palë e tretë, i cili mban një titull ekzekutiv dhe marrëveshja e arritur nga ai është e zbatueshme dhe ligjore. Njëkohësisht, ajo shprehu shqetësim mbi rastet e paregjistruara në DHKN, por që ushtrojnë aktivitetin e tyre si ndërmjetësues duke mbështetur interesa të tjera. Sipas saj DHKN ka një bazë ligjore të pasur duke përfshirë edhe Kodin e Etikës 2015, Statutin e DHKN-së, Aktvendime dhe VKM të ndryshme. Për më tepër në vitin 2013 është miratuar dhe vendimi mbi Manualin e Tarifave të Shërbimit, ku znj. Avdyli theksoi që për personat me vështirësi ekonomike ky shërbim ofrohet edhe falas. Në sajë të mbështetjes me statistika, Kryetarja e DHKN, paraqiti se për vitin 2014 treguesit thonë se nga 1100 raste të regjistruara, 857 prej tyre rezultuan të zgjidhura në sajë të ndërmjetësimit, si dhe për 6-mujorin e parë të vitit 2015 rezultojnë se 282 raste të zgjidhura me sukses me nxjerrje të marrëveshjes dhe ekzekutimin e tyre. Po ashtu, gjatë fjalës së saj i dha një rëndësi të veçantë trajnimit dhe shkallës së kualifikimit të ndërmjetësve, ku përmendi përfaqësues të Ambasadën Angleze si trajnuese dhe mbështetës në procesin e kualifikimit. Ajo ftoi të gjithë ndërmjetësuesit të regjistroheshin pranë organeve tatimore për të licencuar veprimtarinë e tyre, si dhe të përpiqen në dhënien e një shërbimi sa më të mirë për qytetarët.
Së fundmi, Këshilltarja për Projektin e Binjakëzimit në Shqipëri, Znj. Marjo Naapi foli për zhvillimin e projektit si dhe solli ekspertizën e saj si ndërmjetësuese dhe trajnuese në Finlandë. Përfaqësuesja finlandeze vlerësoi punën e bërë në Shqipëri mbi ndërmjetësimin, ekzistencën e DHKN-së si dhe ligjeve mbështetëse. Ajo sqaroi se është pjesë e grupit të punës për përgatitjen e kurrikulave dhe për trajnimin e ndërmjetësuesve. Si pjesë e Projektit të Binjakëzimit ajo bëri një prezantim të procesit dhe fazave në të cilat do të kalojë duke përmendur që përfituesit kryesorë do të jenë Ministria e Drejtësisë dhe DHKN. Projekti i nisur më 5 tetor të 2015, do të vazhdojë për 18 muaj dhe do të ketë aktivitetin përfundimtar në prill të 2017.