Reforma në sigurinë ushqimore/ fuqizimi i partneritetit publik – privat për rritjen e efektivitetit të kontrollit zyrtar

Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), në partneritet me Slovak Foreign Policy Association, me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, realizoi më datë 29 korrik 2015 Sesionin e I të Grupit të Punës 3, me temë ”Reforma në sigurinë ushqimore/fuqizimi i partneritetit publik – privat për rritjen e efektivitetit të kontrollit zyrtar”

Z. Alban Zusi, Zv. Ministër i Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, përforcoi idenë se procesi i integrimit në kuadër të negociatave për t’u përshtatur me komunitetin europian ka si bllok kryesor pikërisht sigurinë ushqimore dhe bujqësinë. Z. Zusi theksoi se Ministria e tij ka marrë përsipër zbatimin e një reforme që lidhet me sigurinë ushqimore, e cila ndihmon në përshpejtimin e rrugës drejt integrimit, ku duhen gjithnjë e më shumë garanci që ligjet dhe direktivat do të zbatohen në mënyrën e duhur. Ai theksoi se reforma e re kërkon krijimin e një shtrese të partnerëve privatë: biznesi dhe Agjencia Kombëtare e Ushqimit. Z. Zusi në fjalën e tij nënvizoi që i vetmi autoritet kontrollues i sigurisë së ushqimit do të mbetet AKU, duke mos lënë hapësira për justifikime se nuk është përgjegjësi e saj, por nga ana tjetër në sistemin horizontal subjekteve private mund t’i jepen funksione të deleguara që do të monitorohen nga AKU. Ai përmendi si proces të rëndësishëm Instalimin e Sistemit të Sigurisë Ushqimore ku do të krijohet një bazë unitare të dhënash për gjurmueshmërinë e prodhimit, duke rritur mundësinë e eksporteve për blegtorinë, rritje të sigurisë ushqimore si edhe konkurrueshmërinë në treg. Së fundmi, Zv. Ministri ritheksoi nevojën e biznesit privat në hartimin dhe zbatimin e projekteve në kuadër të procesit të sigurisë ushqimore, pasi këto projekte nuk duhet të varen vetëm nga politikat e Ministrisë.

Z. Agim Rrapaj, Kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, vlerësoi me interes të tilla angazhime. Ai shprehu se si shkak kryesor të bllokimit të eksporteve të produkteve vendase mungesën e sigurisë së duhur ushqimore, si pasojë e zbatimit jo të saktë të direktivave të miratuara nga Shqipëria. Për këtë arsye është e nevojshme hartimi i legjislacioneve në përputhje me to nga ana e Ministrisë së Bujqësisë, si dhe ndryshimi i disa ligjeve apo dhe propozimi i ligjeve të reja, përfshirë edhe Reformën e cila sipas tij po pritet me mjaft interes nga agrobiznesi.
Si Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ushqimit (AKU) z. Afrim Bakaj renditi një sërë problematikash që has institucioni. Fillimisht qenia e AKU-së si i vetmi institucion për sigurimin e ushqimit dhe mbrojtjen e konsumatorit, e kthen garantimin e sigurisë ushqimore, në një sfidë. Ai kërkoi një mbështetje të vazhdueshme nga qeveria dhe një bashkëpunim më të gjerë. Së dyti, këtij institucioni i mungon infrastruktura e duhur për të kryer detyrat, ku vihet re mungesa e specialistëve që të mund të garantojnë sigurinë ushqimore. Sipas z. Bakaj, si pikë kyçe qëndron bashkëpunimi dhe diskutimi për arritjen e qëllimit: “nga Ferma në Tavolinë” dhe garantimin e sigurisë ushqimore.

Z. Florjan Xhafa, Ekspert i Grupit të Punës EMA, komentoi tryezën si tepër të rëndësishme. Z. Xhafa shpjegoi procesin e rëndësishëm të integrimit dhe rëndësinë e patjetërsueshme që ka siguria ushqimore në BE e që duhet të ketë edhe në Shqipëri. Ai analizoi dy drejtimet kryesore të sigurisë ushqimore: -operator biznesi ushqimor (nga prodhimi, grumbullimi, paketimi, gjer te konsumatori) dhe inspektimi (kontrolli zyrtar), i cili ka përgjegjësi për procesin e kontrollit dhe të monitorimit, por jo për prodhimin. Pra ai garanton sistemin e sigurisë ushqimore dhe ka si qëllim të mbrojë konsumatorin duke mos pasur si qëllim të penalizojë bizneset, por t’i monitorojnë dhe të bashkëpunojnë me to. Z. Xhafa solli një panoramë të plotë të mënyrës së funksionimit të legjislacionit të BE-së në kuadër të sigurisë ushqimore dhe pohoi ekzistencën e një draft – VKM në Shqipëri për të vënë në zbatim partneritetin mes sektorit publik dhe atij privat. Po ashtu, z. Xhafa nuk nguroi të theksonte rëndësinë e patjetërsueshme që ka edhe edukimi në këtë fushë.
Gjatë diskutimeve mes pjesëmarrësve dhe panelistëve u theksuar se në ritmin e avancimeve teknologjike, duhet të ketë më shumë bashkëpunim me entet publike të avancuara. Të ngrihen bashkëpunime me institucione të kërkimit shkencor për laboratoret. Po ashtu, institucionet shtetërore në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile dhe median, duhet të realizojnë një fushatë edukimi dhe sensibilizimi e gjerë e popullsisë mbi problematikat e sigurimit ushqimor.