Sistemi i Drejtësisë për të Miturit

Më 16 korrik 2015, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), në bashkëpunim me Slovak Foreign Policy Association (SFPA), si dhe me mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Integrimit Europian zhvilloi Sesionin e Parë të Grupeve të Punës me temë: “Sistemi i Drejtësisë për të Miturit”.

Sesioni u hap me fjalën e Z. Idlir Peçi, Zv. Ministër i Drejtësisë “Ndërsa ka shumë debate për Reformën në Drejtësi apo për hapjen e negociatave, çështje të ndjeshme si sistemi i drejtësisë për të Miturit shpesh harrohen apo injorohen. Rastet problematike ku fëmijët janë të përfshirë, na japin mesazhin e rëndësisë që duhet të ketë sistemi i drejtësisë për të miturit”

Sipas Znj. Vjollca Meçaj Drejtore Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, ligjërisht dhe nga pikëpamja kushtetuese në vendin tonë fëmijëve u ofrohet vëmendje dhe mbrojtje e veçantë, ndaj drejtësia për të miturit nuk duhet të kufizohet vetëm në sistemin penal; është një ndërlidhje e shumë elementëve si sistemi edukimit, mbrojtja e ofruar nga familja, shteti dhe shoqëria në përgjithësi. Prandaj është e nevojshme të vendoset bashkëpunimi dhe koordinimi i duhur ndërmjet institucioneve përgjegjëse. Një problem tjetër i ngritur nga znj. Meçaj është fakti se thuajse 90 % e të miturve që kryejnë kundravajte, shndërrohen në recidivistë në të ardhmen. Ajo propozoi si të nevojshëm krijimin e Gjykatës për të Mitur, me gjyqtarë dhe prokurorë të specializuar për fëmijët.

Z. Stefan Matula, ekspert nga Instituti Kërkimor për Psikologjinë e Fëmijëve dhe Patopsikologjinë në Sllovaki, solli eksperiencën e vendit të tij dhe mënyrën se si ajo mund të implementohet në realitetin shqiptar. Në kuadër të Programit Kombëtar i cili zbatohet në Sllovaki, ai shpjegoi krijimin e Kabinetit Hulumtues dhe Metodik për Udhëzimet Psikologjike dhe Parandalimin, pjesë e Institutit të Psikologjisë dhe Patopsikologjisë së Fëmijëve. Në mbyllje të fjalës së tij ai ftoi të gjithë të interesuarit nga pala shqiptare të bëhen pjesë e konferencës së ardhshme në Bratislavë për të ndarë eksperiencat e tyre.

Znj. Ina Verzivolli, përfaqësuese e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve theksoi nevojën e politikave sociale në sektorin e drejtësisë. Janë të shumta sfidat e gjetura nga raporit i agjencisë për 2013-2014 dhe duke qenë se aspekti social është shumë i rëndësishëm, sugjerohet bashkëpunimi ndërsektorial mes politikave sociale dhe sistemit të drejtësisë. Një çështje tjetër lidhet me moshën e përgjegjësisë penale. Legjislacioni në Shqipëri nuk siguron shërbime specifike për individët që janë nën moshën e përgjegjësisë penale dhe që kryejnë një kundravajtje. Gjithashtu prioritet duhet të marrë edhe edukimi. Sipas znj. Verzivoliii, Shërbimi i Provës është një hap pozitivë por specialistë për çështjet e fëmijëve vazhdojnë të mundojnë.

Gjatë diskutimit të hapur Znj. Deljana Nebiu, si përfaqësuese e Shërbimit të Provës, një sektor i hapur rishtaz, shpjegoi benefitet dhe trajtimet jo vetëm juridike por edhe sociale që mund të përfitojnë fëmijët prej këtij shërbimi. Takimi u përmbyll me mendime dhe sugjerime edhe të karakterit juridik përsa i takon boshllëqeve ligjore që ekzistojnë në këtë kuadër. Një problematikë e ngritur nga znj. Nebiu ishte nënvlerësimi i raporteve të përgatitura nga Shërbimi i Provës, nga ana e prokurorisë gjatë procesit të gjykimit. Kjo lidhet dhe me faktin që mungon një ekspertizë e kualifikuar që të merret me çështjen e fëmijëve.
Akademikë, pjesëmarrës në këtë Grup Pune, sugjeruan mendime të legjislacionit shqiptarë, duke marrë në konsideratë praktikat më të mira të rajonit dhe më gjerë.