European Movement Albania (EMA) dhe Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian (KKIE), në bashkëpunim me Slovak Foreign Policy Association, me mbështetjen financiare të SlovakAid, organizuan Sesionin Plenar të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian 2021- 2023. Aktiviteti u organizua në dy pjesë dhe në panelin e parë përshëndeti znj.Jorida Tabaku, Kryetare e KKIE, znj. Etilda Gjonaj, Nënkryetare e Komisionit për Integrimin Europian, z.Gledis Gjipali, Drejtor ekzekutiv i Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe z. Tomas Strazay, Drejtor i Research Center of Slovak Foreign Policy Association (RC SFPA).
Jorida Tabaku në fjalën e saj fillimisht vlerësoi përfshirjen e shoqërisë civile dhe EMA në mënyrë të posaçme, në diskutimin lidhur me procesin e integrimit, por dhe grup kapitujve që janë duke u shqyrtuar në Bruksel në funksion të procesit “screening”. Tabaku parashtroi se tashmë çështja që duhet hedhur në diskutime është se çfarë do të ndodhë nga sot dhe në të ardhmen pas hapjes zyrtare të negociatave me BE dhe vlerësoi se me përfshirjen e disa aktorëve të shoqërisë, procesi i integrimit është bërë disi më i hapur dhe gjithëpërfshirës. Duke shprehur bindjen se pas miratimit të ligjit të ri për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit europian, gjërat do të ndryshojnë dhe diskutimet do të shtrohen mbi reforma apo çështje konkrete, Tabaku nënvizoi se secili nga aktorët e duhet të garantojë që procesi të jetë sa më i prekshëm nga qytetarët. Duke ndarë eksperiencën në takimet e organizuara nga Komisioni për Integrimin Europian me studentë të disa universiteteve të vendit, por dhe me grupet e interesit, fermerë apo biznese të vogla, Tabaku nënvizoi se ka një interes të madh nga qytetarët për të kuptuar dhe mësuar se cilat janë kosto/përfitimet e këtij procesi dhe inkurajoi shoqërinë civile që çështjet që po diskutohen apo procesin ti shndërrojnë në debate dhe tema të ditës. “Me përfundimin e procesit ‘screening’, Shqipëria nga muaji Shtator do të fillojë diskutimin për kapitujt konkretë, ndërkohë që nga muaji Prill, qeveria shqiptare duhet të fillojë dhe të paraqesë pozicionet hapëse “roadmap” me elementët kryesore dhe me pikat kryesore të pozicionet hapëse për secili prej kapitujve dhe unë besoj se pikërisht ky është momenti, kur ne do të kemi mundësi të diskutojmë më shumë në përmbajtje. Kjo koha e gjatë që kemi ndenjur “në paradhomë” duke pritur këto 8 vitet e fundit, na e ka bërë procesin shumë teknik, shumë të pakapshëm dhe shumë të pakuptueshëm, por besoj që ka ardhur koha që ne të gjithë bashkë, por dhe përtej kësaj salle, ta bëjmë më konkretë procesin, për të gjithë njerëzit”, u shpreh znj.Tabaku duke u ndalur më tej në sfidat që sjell procesi me reformat konkrete të cilat duhen ndërmarrë, duke nënvizuar se pavarësisht se ndryshimet janë pjesë e një procesi, duhet të nisin të trajtohen dhe nuk duhet mjaftuar vetëm në ligjet që miraton politika dhe Parlamenti. “Unë shpresoj shumë që qeveria shqiptare ti hapë ekipet e negocimit dhe për shoqërinë civile. Ka shumë tema specifike të cilat janë të pamundura të mbulohen me ekspertë vetëm nga ana e qeverisë, ka tema shumë specifike për të cilat shoqëria civile ka një potencial të jashtëzakonshëm që mund ta ofrojë dhe shoqëria civile duhet patjetër të jetë jo vetëm për të kontrolluar dhe orientuar por duhet të jetë pjesë integrale”, u shpreh Tabaku, e cila i siguroi pjesëmarrësit si Kryetare e KKIE, se shoqëria civile do të ketë një rol edhe më aktiv gjatë diskutimeve në këtë Këshill, për të kontribuar dhe dhënë dhënë një prespektivë tjetër për kapituj të ndryshëm.
Etilda Gjonaj, zëvendëskryetare e Komisionit të Integrimit Europian, duke e cilësuar procesin e integrimit si destinacionin final që kërkohet dhe meritojnë qytetarët, vlerësoi se Shqipëria ka ardhur nga një proces sfidues dhe ka arritur përparime të qenësishme në fusha si mirëqeverisja apo sundimi i ligjit, forcimi ekonomik, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjonaj nënvizoi se pas vendimit të 19 korrikut 2022 që shënoi dhe çeljen zyrtare të diskutimeve mes Shqipërisë dhe BE, çdo ditë është bërë më e qartë se procesi ka nevojë të jetë i hapur dhe sa më gjithëpërfshirës. “Ka nevojë për politikën, ka nevojë për qeverinë e cila ka përgjegjësinë kryesore institucionale por ka nevojë edhe për të gjithë aktorët që jo vetëm kanë ekspertizën më të mirë në fusha të caktuara, por nga ana tjetër mbrojnë interesat dhe drejtat e grupeve të ndryshme apo vetë qytetarëve”, u shpreh Gjonaj. Duke u ndalur tek sfidat që sjell procesi dhe kapacitetet për ta përballuar atë, ajo u ndal në disa prej reformave që janë ndërmarrë në aspektin politik, ekonomik apo social, por dhe reformimit që i është bërë rolit të Parlamentit dhe Komisionit për Çështjet Europiane në drejtim të forcimit të rolit mbikëqyrës dhe kontrollues të raportimeve të strukturave negociuese përpara negocimit apo dakordësimit të hapave të procesit me BE. “Tashmë KKIE nuk është më një këshill apo platformë konsultative që i përket Parlamentit, mund të drejtohet formalisht nga Parlamenti apo përfaqësues të opozitës, por në fakt kjo është një platformë që iu përket juve dhe duhet konsideruar si e tillë. Ne kemi biseduar në mënyrë të vazhdueshme, nxisim në mënyrë të përsëritur aktivizimin e aktorëve të shoqërisë civile, sepse vërtet kemi nevojë jo thjeshtë për ekspertizën tuaj, por kemi nevojë për zërin tuaj dhe për të thënë se ku procesi ka nevojë të përmirësohet apo të ketë një vlerë të shtuar, siç do ta jepni ju nëpërmjet ekspertizës apo oponencës konstruktive”, u shpreh Gjonaj, duke sqaruar më tej përgjegjësinë që do të ketë Parlamenti në përafrimin e legjislacionit, por dhe vlerën e shtuar konkrete në aspektin përmbajtësor dhe plotësimin e kritereve që do të vendosen nga BE.
Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizja Europiane në Shqipëri në fjalën e tij vlerësoi bashkëpunimin e mirë ndër vite me KKIE për trajtimin e çështjeve të veçanta dhe të ndjeshme për shoqërinë shqiptare dhe rrugën transformuese që do të sjellë procesi. Duke nënvizuar rolin që ka shoqëria civile për të sjellë shqetësimet apo sugjerimet e aktorëve të ndryshëm të interesit pranë institucioneve kryesore në procesin e integrimit europian. Gjipali u ndal shkurtimisht në aktivitetet që janë ndërmarrë apo do të ndërmerren në të ardhmen nga EMA për trajtimin e kapitujve specifikë dhe më të rëndësishmit në këtë fazë të procesit të integrimit. Gjipali vlerësoi më tej vullnetin politik të treguar nga palët e përfaqësuara në Kuvend për çuarjen përpara procesit, në tërheqjen e ekspertizës, ndarjen e informacionit dhe rritjen e bashkëpunimit me shoqërinë civile, duke garantuar që procesi të jetë gjithëpërfshirës dhe vendimmarrja të shtrihet edhe tek grupet e interesit që kanë potencialin e duhur për të kontribuar.
Tomas Strazay, Drejtor i Research Center of Slovak Foreign Policy Association (RC SFPA) pasi bëri një përmbledhje të bashkëpunimit me partnerët lokalë, vlerësoi progresin e bërë në përgatitjet për procesin e negocimit dhe forcimin e kapaciteteve në sektorë të ndryshëm. Duke sjellë eksperiencën sllovake në procesin e integrimit, vështirësitë dhe sfidat që u hasën, Strazay u ndal tek qëllimi i realizimit të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian 2021- 2023. Konventa shërben si një platformë bashkëpunimi ku vëmendje e veçantë i kushtohet përpjekjes për integrimin europian të vendit, si dhe promovimin e bashkëpunimit të sektorit shtetëror me shoqërinë civile, me qëllim forcimin e kapaciteteve dhe aftësive që mundësojnë plotësimin e kritereve për integrimin në BE.
Pas fjalëve përshëndetëse, të pranishmit në takim ndanë vlerësimet dhe sugjerimet e tyre për forcimin e rolit të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit në çështje të një rëndësie të veçantë, si: bujqësia, të drejtat e konsumatorit, sigurisë ushqimore, por dhe në procesin negociues.
Në pjesën e dytë të takimit moderuar nga Nirvana Deliu, Koordinatore e Grupeve të Punës për Konventën Kombëtare për Integrimin Europian, Elona Bano, Drejtore, Drejtoria e Integrimit dhe Negociatave, Ministria e Drejtësisë, Suela Jahaj, Drejtore, Drejtoria e Integrimit, Marrëveshjeve, Koordinimit dhe Asistencës, Ministria e Brendshme, Agim Rrapaj, Kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar dhe Flutura Xhabija, Presidente e Shoqatës së Grave Profesioniste, Afariste e Zejtare të Shqipërisë, ndanë eksperiencën e bashkëpunimit mes institucioneve dhe shoqërisë civile, sfidat dhe progresit të bërë në procesin e integrimit sipas 4 grup kapitujve që janë në proces shqyrtimi nga BE: Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore; Drejtësia, liria dhe siguria ; Bujqësia dhe mbrojtja e konsumatorit; Tregtia dhe çështjet ekonomike.
Konventa fokusohet në 3 drejtime kryesore: 1) rritja e pjesëmarrjes së të gjithë segmenteve të shoqërisë shqiptare (përfshirë edhe nivelin lokal); 2) institucionalizimi i debatit publik në çështjet e BE-së bazuar në bashkëpunimin e institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile dhe ato të biznesit; dhe 3) forcimi i kapaciteteve në negociatat për integrimin në BE përmes transferimit të njohurive sllovake.